BE-ja donatori më i madh i palestinezëve | Evropa | DW | 10.11.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE-ja donatori më i madh i palestinezëve

Dyshim për përvetësim dhe shpërdorim nga ana e Arafatit

Mahmut Abaz dhe Jaser Arafat

Mahmut Abaz dhe Jaser Arafat

Prej vitesh ka spekulime për llogaritë e fshehta bankare të Arafatit. Një shifër të saktë mbi ekonominë informale të kreut palestinez përmendi një vit më parë Fondi Monetar Ndërkombëtar. Sipas tij, nga arkat publike të Palestinës janë zhdukur të paktën 900 milionë dollarë. E paqartë është se në çfarë mase janë shpërdoruar ndihmat financiare ndërkombëtare. Gjurmët të shpien vazhdimisht në Bashkimin Evropian, sepse ai është donatori më i madh i territoreve palestineze, financon shkolla, spitale dhe projekte bujqësore. Armin Laschet është deputet demokristian gjerman në Parlamentin Evropian:

"Midis 2002-it dhe 2003-it BE-ja ka paguar pa dhënë qëllimin 10 milionë euro në muaj në buxhetin e autoriteteve autonome palestineze. Kjo ka çuar në kritika në parlament. Ndërkohë kjo praktikë është ndërprerë, tani financohen projekte."

Megjithatë Komisioni Evropian, ku vendoset mbi dhënien e miliona eurove subvencione, gjendet përballë një dileme. Që në territoret palestineze ka korrupsion dhe nepotizëm, këtë e dinë të gjithë personat përgjegjës. Nga ana tjetër, thotë zëdhënësja e komisionit Emma Udwin, përballë krizës shtrohej çështja e shpëtimit të autoriteteve autonome dhe e moskeqësimit të varfërisë së njerëzve. Por ajo pohon, se që prej fillimit të vitit organet e Brukselit po hetojnë vetë në këtë çështje:

"Njësia anti-korrupsion e Bashkimit Evropian, OLAF, po heton me dyshimin për shpërdorim të ndihmave financiare të BE-së për autoritetet palestineze. Komisioni i merr shumë seriozisht këto akuza, por ka dallim midis dyshimit dhe dëshmisë; deri tani nuk kemi gjetur fakte."

Edhe në Paris po vazhdojnë hetimet. Prokuroria franceze ka vënë në shënjestër që prej një viti gruan e Arafatit, Suha. Ajo akuzohet për pastrim parash. Autoritetet flasin për prova të forta pasi disa milionë dollarë nga llogari bankare zviverane përfunduan në llogaritë e Suha Arafatit. Por edhe këtu zanafilla nuk dihet. Dyshimi është se mund të jenë ndihma evropiane për popullin e Arafatit, prova nuk ka.

"Më duket se BE-ja duhet të mbajë qëndrim. Ai duhet të thotë, se kjo nuk është pasuri private, por janë para të popullit palestinez. Sa kohë që kjo është e mundur, BE-ja duhet t'i bllokojë paratë në llogaritë në Bashkimin Evropian dhe të ndikojë tek Zvicra që këto para të mos humbasin në kanalet private të zonjës Arafat apo të kujtdo qoftë," thotë eurodeputeti gjerman Laschet.

  • Data 10.11.2004
  • Autor Helga Schmidt
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArFs
  • Data 10.11.2004
  • Autor Helga Schmidt
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArFs