1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Athina do të respektojë vendimin e Këshillit të Sigurimit për Kosovën

Niko Anagnosti18 Maj 2007

Me gjithë qëndrimin e saj të rezervuar ndaj pavarësisë së Kosovës Greqia do të respektojë vendimin e Këshillit të Sigurimit, thotë zëdhënësi i ministrisë së jashtme greke, Jorgos Kumucakos

https://p.dw.com/p/ArVT
Ndërrimi i rojeve, Athinë
Ndërrimi i rojeve, Athinë

Pa braktisur pozicionimin e saj koherent të deritanishëm për një zgjidhje konsesusi, diplomacia greke po bën gjithnjë e më të qartë se qëndrimi i saj përfundimtar për çështjen e statusit të Kosovës do të jetë i bashkërenduar me atë të Bashkimit Evropian.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme greke Jorgos Kumucakos, përjashtoi bile çdo qëndrim tjetër në përgjigje të pyetjes së gazetarëve, nëse Athina bashkërendohet me Moskën apo Brukselin, në prag edhe të samitit të sotëm Bashkim Evropian-Rusi në qytetin rus Samara dhe nëse braktis kështu politikën e saj parimore për "mosndryshimin e kufijve ekzistues në Ballkan". "Bashkimi Evropian duhet të strukturojë qëndrimin e tij dhe bile një qëndrim unik pasi më parë të merret vendimi nga ana e Këshillit të Sigurimit" theksoi Kumucakos, duke e cilësuar këtë të fundit të një "rëndësie decizive".

Vendimi, sipas tij, "do të shënojë edhe bazën politike por edhe juridike për hapat e mëtejshme. Në këtë kontekst nuk lihet as hapërsira më e vogël për diferencim nga rezoluta, që siç, dihet pritet të jetë në favor të propozimit të ndërmjetësit ndërkombëtar Ahtisari. "Qëndrim konstant i politikës së jashtme greke është respektimi i vendimeve të Këshillit të Sigurimit" tha shprehimisht zëdhënësi i ministrisë së jashtme greke. Një paralajmërim i qartë pra, për njohjen e pavarësisë së Kosovës
nga ana e Athinës, edhe pse deri më sot për hir të ekuilibrit me Beogradin eviton retorikën në "mbështetje të planit të Ahtisarit" apo shprehet për një zgjidhje pa "fitimtarë fodullë dhe pa të humbur të poshtëruar" siç tha kryeministri grek Karamanlis në samitin ballkanik të Zagrebit.