1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Anashkalim i senatit- Ambasadori i ri amerikan në OKB, Xhon Bolton, nis detyrën me imazh të dëmtuar

Daniel Sheshkevitz2 Gusht 2005

Presidenti amerikan, Xhorxh Bush ka emëruar në postin e ambasadorit të SHBA në OKB, ish sekretarin e shtetit për çështjet e armatimit, Xhon Bolton. Bush shfrytëzoi pushimet e verës të senatit, kohë kjo kur ai mund të marrë vendime edhe pa miratimin e senatit. Demokratët në opozitë e quajtën këtë një dredhi të presidentit. Ata e kritikuan këtë vendim duke e quajtur kandidatin e Bushit, të paaftë nga ana profesionale dhe njerëzore për të marrë këtë detyrë. Diplomati amerikan me përvojë, Xhon Bolton është bërë i njohur përmes kritikave të tij drejtpërdrejta në adresë të Kombeve të Bashkuara. Ai gjithashtu nuk është sjellë në mënyrë elegante me kritikët ë politikës së jashtme të Bushit

https://p.dw.com/p/AqjH
Presidenti amerikan, Xhorxh Bush dhe ambasadori i ri i SHBA në OKB, Xhon Bolton
Presidenti amerikan, Xhorxh Bush dhe ambasadori i ri i SHBA në OKB, Xhon BoltonFotografi: dpa


Çdokujt që ngjitet në një post të ri, i jepet fillimisht një afat. Janë ato 100 ditët e njohura, në të cilat i sapoemëruari fillon të orientohet i pashqetësuar nga spicat e politikës, në detyrat e tij të reja. Xhon Bolton nuk do ta ketë një afat të tillë. Sepse ai ngjitet në postin e ambasadorit me vonesë dhe mjaft i diskutuar në opinionin politik.
Bolton është ambasadori i parë amerikan, i cili nuk mori miratimin e senatit dhe besimin e dhomës së parlamentit, e cila luan rol të rëndësishëm në çështjet e politikës së jashtme. Kjo ndodhi sepse presidenti Bush synonte të vinte në këtë post patjetër, Xhon Boltonin, pavarësisht rezervave të pafshehura të disa rrymave në opinionin publik amerikan.
Sepse senati u tregua kokëfortë dhe madje senatorë nga radhët e partisë së Bushit nuk dhanë pëlqimin e vet për këtë kandidaturë, presidenti amerikan, Xhorxh Bush përdori fuqinë e postit të tij, të lejuar edhe nga kushtetuta dhe emëroi Boltonin në kohën që senati kishte shkuar me pushime.

Koha nuk priste sepse në muajin e ardhshëm do të takohet Asambleja e OKB-së, për të diskutuar kryesisht mbi reformën më të zgjeruar në historinë 60-vjeçare të OKB-së.
Tanimë Xhon Bolton duhet të dëshmojë se ai nuk e meriton namin si një politikan me etje sundimtari, i pakompromis dhe madje aspak diplomat. SHBA ashtu si çdo anëtar tjetër i OKB-së janë të varura nga mbështetja e shteteve të tjera për të çuar deri në fund synimet e tyre të reformës. Shumë nga diplomatët në OKB pyesin, se pse duhet të mbështesin ata pikërisht këtë njeri, Xhon Bolton, i cili është i deklaruar hapur, se në radhë të parë ai synon të fitojnë interesat dhe pikëpamjet amerikane? Si në rastin e misioneve të paqes me mandat të OKB-së, gjithmonë kur Amerika mendon, se po kërcënohen lirite dhe të drejtat e njeriut? Kjo mbështetje do të ishte e vështirë të fitohej, po qe se kujtojmë këtu, se SHBA deri më tani e refuzojnë idenë e zgjerimit të Këshillit të Sigurimit, dhe me këtë hedhin poshtë dëshirën e Gjermanisë por edhe të Indisë, vendeve afrikane për të pasur një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit.

Edhe në politikën e brendshme emërimi në këtë mënyrë i Boltonit mund t'i shkaktojë Bushit telashe. Senatorët demokratë ndoshta pikërisht tani mund të ndjejnë vetën të detyruar të fillojnë të bllokojnë kandidaturat që vinë nga presidenti. Si për shembull, Xhon Robertson, të cilin Bushi e ka propozuar në postin më të lartë të Gjykatës Supreme. Bolton pa miratimin e senatit mund t'a kryejë deri në janar të vitit 2007 detyrën e ambasadorit amerikan në OKB. Dëmi politik për Bushin do të ishte i konsiderueshëm. Por presidenti amerikan në kandidaturën e Boltonit, i qëndroi besnik vetvetes. Kthimi prapa në politikë nuk është karakteristikë e tij dhe për OKB Bush nuk ka ndonjë respekt të veçantë.

Kështu më shumë atë e ndihmon tani këmbëngulja, sipas motos: Unë jam po aq i pathyeshëm si kandidati im. Ose OKB-ja pranon ofertën e kanditaturës sime dhe reformohet sipas përfytyrimeve tona, ose ne nuk interesohemi më për të.
E parë kështu firma e Bushit në çështjen Bolton tregoi vendosmëri.