1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Amerikanët pranojnë lëshimet e bëra në Marrëveshjen e Dejtonit

Daniel Sheshkevitz22 Nëntor 2005

Në një simpozium me zyrtarë të lartë me rastin e 10-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Paqësore të Dejtonit, kryendërmjetësuesi i atëhershëm Riçard Hollbruk shprehu keqardhje për lëshimet e bëra atëherë

https://p.dw.com/p/ArNE

Me Marrëveshjen Paqësore të Dejtonit para dhjetë vitesh iu dha fund luftës së përgjakshme qytetare në Bosnjë dhe u hodhën themelet për shtetin e ri të Bosnjë e Hercegovinës. Presidenca e saj tani është ftuar nga qeveria amerikane në Uashington. Në 'Institutin amerikan për paqe' së bashku me përfaqësuesit e diplomacisë amerikane ata bënë një bilanc të përkohshëm të 10 viteve të kaluara. Kryendërmjetësuesi i atëhershëm Riçard Hollbruk tha: "Më vjen keq për emrin 'Republika Srpska'. Unë ende jam i mendimit se ai duhet të hiqet nga përdorimi. Tre ushtritë ishin po ashtu një gabim. Por ky gabim është drejt rrugës së zgjidhjes. Dy forcat e ndryshme etnike policore ishin gjithashtu gabim. Ndërkohë edhe ky gabim po mënjanohet. Qeveria qendrore është shumë e dobët dhe përfundimisht gabim edhe vendimi për tre presidentët", tha Hollbruk.

Riçard Hollbruk është fitues i çmimit të sivjetëm për paqë të Institutit amerikan, i cili gjatë viteve të kaluara ndër të tjera i është ndarë edhe ish-presidentit amerikan Bill Klinton dhe filantropit Xhorxh Soros.

Hollbruk në fjalimin e tij falendërues bëri edhe disa propozime konkrete se si duhet të duket në të ardhmen presidenca e përbashkët e tre popujve të Bosnjë e Hercegovinës.

"Zgjidhjet mund të jenë të thjeshta. Një presidencë rotative do të ishte një mundësi apo ndarja mes tri etnive e tre posteve kryesore, presidentit, kryeministrit dhe një kryetari parlamenti. Ka shumë mundësi", tha Hollbruk.

Zëvendëssekretari i departamentit amerikan të shtetit Nikolas Bërns lavdëroi marrëveshjen paqësore përkundër të gjitha mangësive. Megjithatë lufta e Bosnjës mund të konsiderohet si e përfunduar në të vërtetë vetëm atëherë kur kryekriminelët të kenë dhënë llogari: "Në këtë vit disa të akuzuar për krime lufte janë dorëzuar vet. Ky është një përparim. Por popullata e Bosnjës nuk mund të gjej qetësi përderisa Radovan Karagjiqit e Ratko Mladiqit nuk do të u jetë bërë procesi në Tribunalin e Hagës për krimet që me siguri i kanë bërë", nënvizoi Bërns.

Ambasadori gjerman në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Volfgang Ishinger në fjalimin e tij u përqëndrua në mësimet e nxjerra nga luftërat e Ballkanit. Ai tha se ato ka patur mundësi të evitohen. Preventiva duhet të ketë përparësi para interevenimit edhe pse suksesi i saj është vështirë i parashikueshëm.

Sot sekretarja amerikane e shtetit Kondoleza Rajs pret në një drekë punë ushtruesin e detyrës së kryetarit të presidencës boshnjake, Ivo Miro Joviq. Me ministrin e jashtëm Mladen Ivaniq ajo do të nënshkruaj një marrëveshje të re për stacionimin e trupave amerikane në territorin e Bosnjë e Hercegovinës. Aktualisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë në kuadër të trupave të SFOR-it rreth 200 ushtarë. Si pasojë e luftës së Bosnjës kanë vdekur më tepër se 200 mijë njerëz dhe janë dëbuar më tepër se 500 mijë të tjerë.