A është momenti i duhur? | Ballkani | DW | 04.10.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

A është momenti i duhur?

Ministrat e mbrojtjes të Bashkimit Europian këshillohen mbi reduktimin e trupave në Ballkan

Reduktimi i trupave të BE-së në Bosnje-Hercegovinë mund të fillojë që në dhjetor

Reduktimi i trupave të BE-së në Bosnje-Hercegovinë mund të fillojë që në dhjetor

Ministrat e mbrojtjes të BE-së përfunduan dje (3.10) takimin e tyre dyditor në qytetin finlandez Kittilä. Në qendër të diskutimeve ishin reduktimi gradual i trupave në Ballkan, kriza rreth programit bërthamor të Iranit si dhe misioni europian në Kongo.

Bashkimi Europian synon të reduktojë gradualisht trupat e tij në Bosnje-Hercegovinë. Nga rreth 6000 ushtarë që ndodhen aktualisht aty pritet që të mbeten rreth 1500 vetë. Por në diskutimin e ministrave në Kittilä-n finlandeze kishte mendime të ndryshme përsa i përket dynamikës së proçesit të reduktimit.

Ministri gjerman i mbrojtjes Franz Josef Jung tha se tërheqja graduale e ushtarëve duhet të fillojë që këtë vit: "Unë jam i mendimit se hapi i parë duhet marrë në konsideratë konkretisht në fillim të dhjetorit. Mendoj se na duhet një fazë tranzitore për hyrjen e këtij vendi në një të ardhme të qëndrueshme dhe të mirë. Pas mënyrës se si u zhvilluan zgjedhjet mendoj se ky është një vendim i përgjegjshëm."

Megjithëse në zgjedhjet që u zhvilluan në fundjave në Bosnje-Hercegovinë fituan partitë nacionaliste, i ngarkuari i lartë i bashkësisë ndërkombëtare Christian Schwarz-Schilling lëvdoi mënyrën si u zhvilluan ato. Rezultati nuk do të thotë detyrimisht se myslimanët boshnjakë, kroatët dhe serbët nuk mund të bashkëpunojnë, ka thënë Schilling.

Në debatin për reduktimin e trupave të BE-së në Bosnje-Hercegovinë ministrat e mbrojtjes nuk kishin parasysh vetëm zhvillimet atje por edhe në Kosovë ku gjithashtu është e stacionuar një trupë paqeruajtëse e Natos. Ministrja franceze e mbrojtjes Michele Alliot-Marie tha se është e papërgjeshme të fillohet shumë herët reduktimi i trupave në Bosnje-Hercegovinë duke patur parasysh tensionet në Kosovë. Kryetari i rradhës i këshillit të BE-së, ministri finlandez i mbrojtjes, Seppo Käriäinen u shpreh:"Natyrisht misionet në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë janë të lidhura me njëri-tjetrin dhe proçeset politike në të dy vendet influencohen reciprokisht." Për këtë arsye vendimet që merren duhet të marrin parasysh si situatën politike në Bosnje-Hercegovinë ashtu edhe në Kosovë.

Ministri gjerman i mbrojtjes Franz Josef Jung tha se sigurimi ushtarak i zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë është dhe do të mbetet në përgjegjësinë e Natos, pavarësisht nga pyetja nëse në të ardhmen BE do të jetë e angazhuar në Kosovë me forca policore apo në ndonjë formë tjetër. Plane konkrete për këtë ende nuk janë paraqitur.

"Në rradhë të parë për zhvillimin e Kosovës është vendimtare që bisedimet mbi statusin të mbyllen me një rezultat të mirë. Dhe nëse negociatat për statusin zhvillohen pozitivisht atëherë duhet folur për çështje të tjera. Kjo nuk është për momentin temë aktuale por natyrisht kemi nevojë për një perspektivë europiane në këtë proçes", ka thënë Jung.

I ngarkuari i bashkësisë kombëtare për negociatat mbi statusin e Kosovës, Mati Ahtisari nuk u solli megjithatë lajme të mira ministrave të mbrojtjes. Sipas Ahtisarit është thuajse e pamundur të arrihet në një zgjidhje të negociuar mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.

Tema më delikate politike e këtyre ditëve nuk ishte në rendin e ditës të takimit në Finlandë: Irani nuk është çështje e ministrave të mbrojtjes të BE-së. Ndryshe qëndron puna me të ngarkuarin e BE-së me politikën e jashtme Javier Solana i cili asistoi në këshillimet në Kittilä-n finlandeze. Ai bëri të qartë se zgjidhja e konfliktit bërthamor me Iranin është e mundur vetëm në plan ndërkombëtar. Propozimin iranian për pasurimin e uranit nën kontrollin francez Solana e cilësoi interesant por shtoi se: "Nuk do të ketë asnjë iniciativë francezo-iraniane. Por ky propozim do të jetë pjesë e bisedimeve me ekipin negociues iranian nëse do të vihet deri tek negociatat."

Propozimi iranian duhet analizuar me kujdes tha Solana. Ai ka folur për këtë edhe me negociatorin iranian Ali Larixhani. "Eshtë një propozim interesant por i vështirë për t'u vënë në jetë", ka thënë Solana. Solana ka telefonuar të hënën sërish me Larixhanin dhe biseda sipas kryediplomatit të BE-së ka qenë konstruktive. Por ka edhe disa elemente mbi të cilat duhet rënë dakort tha Solana në përfundim. Bisedimet do të vazhdojnë.

Temë e rëndësishme në takimin e ministrave të mbrojtjes të BE-së ishte dhe misioni në Kongo. Zgjatja e misionit të trupave europiane në Kongo për momentin nuk diskutohet. Ministri finlandez i mbrojtjes përmblodhi në mbyllje të takimit mendimin e përbashkët: "Misioni EUFOR ka qenë shumë i suksesshëm dhe ka dëshmuar dobishmërinë e tij edhe sa i takon sfidave që e presin Republikën Demokratike të Kongos."

Ministrat e mbrojtjes ishin të një mendjeje se BE duhet të ndihmojë në forcimin e organeve të sigurisë dhe të drejtësisë në Liban. Por angazhimi europian duhet të jetë në kuadër të atij të Kombeve të Bashkuara. Ministrat në përfundim miratuan edhe një strategji për planifikimin e forcave të sigurisë gjatë dy dhjetëvjeçarëve të ardhshëm. Strategjia parashikon se ushtritë europiane duhet të bëhen më të vogla, mobile dhe të orientohen më shumë drejt misioneve të paqes.

  • Data 04.10.2006
  • Autor Ulrike Bosse
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arc4
  • Data 04.10.2006
  • Autor Ulrike Bosse
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arc4
Reklamë