1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

100 ditët e Merkelit & Gripi i shpendëve & Olimpiada Dimërore

25 Shkurt 2006

Kancelarja Angela Merkel ka nxjerrë një bilanc pozitiv për 100 ditët e qeverisë së saj. Kjo temë gjen jehonë në shtyp, ku trajtohet edhe problemi i gripit të shpendëve si dhe lojrat e Olimpiadës Dimërore në Torino.

https://p.dw.com/p/ArrD

Gazeta "Süddeutsche Zeitung" që botohet në Mynih lidhur me bilancin e 100 ditëve të qeverisë shkruan: "Koalicioni i gjerë ka vënë mjaft gjëra në lëvizje, duke qenë i çliruar prej bllokadave mes Bundestagut dhe Bundesratit dhe jo në situatën si dikur Gerhard Shrëderi që ishte në varësi të një mazhorance të ngushtë dhe shpesh herë në pozitë të vështirë prej antarëve të fraksionit të vet parlamentar. Për arësye demografike janë të pashmangshme rritja e moshës së pensionit deri në 67 vjeç, ashpërsimi i rregullave të asistencës për të papunët, programi i investimeve i përcaktuar nga qeveria si dhe reforma në sistemin e federalizmit. Por të gjitha këto nuk sjellin ndryshimin e madh. Sepse masat radikale si p.sh. shkëptuja e sistemeve të sigurimeve sociale prej parimit të solidaritetit, veçanërisht lidhur me sigurimin shëndetësor dhe atë të kujdestarisë për të moshuarit, nuk janë të mundura, pasi shumica e zgjedhësve nuk i pranon ato", tërheq vëmendjen "Süddeutsche Zeitung".

Ndërsa gazeta "Pforzheimer Zeitung" i referohet politikës ekonomike të qeverisë duke shtruar pyetjen: "Ç´kurs po ndjek politika ekonomike e kancelares Merkel dhe e koalicionit të gjerë? Asgjë konkrete nuk duket në këtë drejtim. Madje qeveria përsëri është duke e frenuar koniukturën. Mungon një program investimesh, që të mundësonte tendecën për një kthesë solide ekonomike", kritikon "Pforzheimer Zeitung".

Mbi këtë temë edhe një citat nga artikulli i "Osthüringer Zeitung" që trajton aspektin e reformës në sistemin e federalizmit: "Koalicioni i madh do të kishte mundësi që para së gjithash të korrigjonte diçka lidhur me reformën e federalizmit, që është bërë pengesë për zhvillimet shoqërore. P.sh. politika e arsimit: ekspertët e vlerësojnë si një pengesë të madhe copëzimin e sistemit arsimor, por megjithatë reforma e federalizmit synon ta forcojë edhe më shumë procesin e copëzimit. Eshtë një paradoks historik. Në një kohë që bota po globalizohet, politika gjermane po orientohet tek tradita mesjetare. Pikërisht kjo reformë, e cilësuar me modesti si "nëna e të gjitha reformave", duhet të jetë shembulli për aftësinë vepruese të qeverisë së re. Kjo na kujton thirrjen e Heines: jepi përpara, e nëse s´ke mjaft kuaj, merr gomerët në vend të tyre", komenton "Osthüringer Zeitung".

Lidhur me gripin e shpendëve gazeta "Lübecker Nachrichten" bën thirrje për veprime më konseguente në luftën kundër këtij virusi: "Përderisa virusi ka kohë që është përhapur tek shpendët e egjër, e përderisa këta shpendë nuk mund të izolohen, atëherë nuk mund të izolohet as virusi. Parë me mendje të kthjellët, këtu s´ka arësye për t´u shqetësuar, por s´ka as arësye për të qenë të qetë. Indiferenca fatale, që u shfaq në ditët e para pasi u konstatua virusi në ishullin Rygen, nuk duhet të përsëritet", shkruan "Lübecker Nachrichten".

Ndërsa "Nürnberger Zeitung" e relativizon gripin e shpendëve si sëmundje: "Virusi H5N1 dallon prej viruseve të tjerë me potencial pandemie vetëm, se pasojat e tij i hasim tek rosat dhe mjellmat e ngordhura. Po bëhet shumë zhurmë për disa shpendë të egjër të ngordhur, ndërkohë që askush nuk ndihet për rreth 8.000 njerëz që vdesin çdo vit vetëm në Gjermani prej një gripi të zakonshëm", thekson "Nürnberger Nachrichten".

Edhe dy zëra lidhur me lojrat e Olimpiadës Dimërore në Torino. "Westdeutsche Allgameine Zeitung" që del në Esen shkruan: "Italianët sollën një novacion, me të cilin ato do të mbeten në kujtesë. Përmes kontrolleve të policisë shëndetësore italiane në kampin e austriakëve më ashpër se çdo herë tjetër sportistëve iu bë e qartë, se dopingu nuk është një shkarje e vogël. Gjithnjë e më shumë po forcohet bindja, se mashtruesit nuk ndëshkohen vetëm kur ata testohen pozitivisht për doping. Dënimet janë të pashmangshme edhe në rast se atyre u gjenden mjete dhe aparatura që përdoren për dopingun. Kjo është një linjë që duhet ndjekur me konseguencë", apelon "Westdeutsche Allgemeine Zeitung".

Me nota mjaft pozitive i përshkruan lojrat dimërore në Torino edhe e përditshmja "Westfalenpost": "Me Italinë lojrat iu besuan një vendi klasik për sportet dimërore. Kjo ndjehej në çdo skaj. Sipas motos së kësaj veprimtarie në shenjën e pesë rrathëve olimpikë në Torino dhe në Piemont duhet të mbetet i gjallë pasioni, por zelli e pasioni në Itali duhet të tregohet edhe në fusha të tjera", vëren "Westfälischepost".