10 vjetori i masakrës në Srebrenicë & Programi elektoral i CDU-së | Studimi në Gjermani | DW | 12.07.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

10 vjetori i masakrës në Srebrenicë & Programi elektoral i CDU-së

Në shtypin e sotëm komentohen përkutjimi i masakrës së Srebrenicës me rastin e 10 vjetorit si dhe programi elektoral i partisë kristjandemokrate, CDU.

Boshnjakët vajtojnë në varrezën masive të Srebrenicës

Boshnjakët vajtojnë në varrezën masive të Srebrenicës

Lidhur me masakrën në Srebrenica e përditshmja "Handelsblat" vëren: "10 vjet pas Srebrencisë dhe Dejtonit ka kaluar koha e luftrave në Ballkanin Perëndimor. Por megjithatë ky rajon vazhdon të karakterizohet prej shteteve të dobëta dhe shoqërive të pazhvilluara civile. Dështimi i mundshëm i marrëveshjes për kushtetutën e BE-së dhe tendneca në rritje si rjedhojë tek vendet antare kundër pranimit të shteteve të reja në bashkësi mund të rrezikojë stabilizimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor. Kjo pasi Zagrebi, Sarajeva, Beogradi, Prishtina dhe Shkupi i kanë drejtuar sytë nga Brukseli. Për ata që janë përgjegjës në këto vende nuk janë të rëndësishme afatet e antarësimit, por dëshira për të qenë partnerë aktivë në integrimin e Evropës. E kjo në çfarëdolloj forme qoftë", komenton "Handelsbalt".

Në gazetën "Landeszeitung" autori tërheq vëmendjen për rolin e bashkësisë ndërkombëtare: "Masakra ishte pjesë e një genocidi të planifikuar. Ajo bëri që bashkësia ndërkombëtare të pranojë konceptin e luftës së ndërhyrjes për arësye morale. Bilanci 10 vjet më pas është i përzier: pozitive është që evropianët kanë nxjerrë mësim prej paaftësisë së helmetkaltërve. Të pakualifikuar dhe jo të armatosur si duhet ushtarët holandezë të OKB-së asistuan deportimet duke ngritur dolli me kasapët. BE-ja po forcon muskujt ushtarakë në mënyrë që të mos përjetojmë sërish tragjedi të tilla. Pozitive është edhe vlera që ka fituar tribunali ndërkombëtar në Hagë. Por negative është që Ballkani vazhdon të jetë larg një rendi të qëndrueshëm paqësor. Ndonëse dje një president serb morri pjesë për herë të parë në ceremonitë në Srebrenicë, Beogradi i shmanget fajit të vet. Për të të ardhur turp është gjithashtu që ish-udhëheqësi i serbëve Radovan Karaxhic dhe ish-gjenerali Ratko Mlladiç, dy përgjegjësit kryesorë të masakrës ndodhen ende të lirë", nënvizon "Landeszeitung".

Të njëjtit aspekt i referohet edhe komentatori i "Kieler Nachrichten": "Vetëm nën masa të forta sigurie presidenti serb Boris Tadiç guxoi të shkojë në Srebrenicë, për t´u përulur përpara viktimave. Prej shumë bashkëatdhetarëve të tij ish- udhëhqësi politik Radovan Karaxhiç dhe shefi i ushtrisë Ratko Mlladiç vazhdojnë të konsiderohen si heronj të popullit. Që të dy akzuohen për vrasje masive dhe askush nuk beson, se qeveria në Beograd nuk është në gjendje që t´i dorëzojë ata në Hagë, në qoftëse do. Tadiç premtoi tani, se do të angazhohet që më në fund kjo të realizohet. Por vallë a do të kujtohet nesër ai për këtë?", shtron pyetjen "Kieler Nachrichten".

Gazeta "Dresdner Neueste Nachrichten" shtron pyetjen, nëse: "Ishte masakra në Srebrenicë kaq e pashmangshme dhe kaq e paparashikueshme? Shumë gjëra flasin, se vrasjet masive ishin pasojë cinike e një zhvillimi fatal që nisi me fshehjen e vetëdijsshme të marrjes së Srebrenciës që po kërcënonte dhe vazhdoi me krijimin me gjysmëzemre të zonës së mbrojtur nga OKB-ja. Pavarësisht nga ekzistenca e një rezolute përkatëse shtetet që diskutoheshin për të marrë përsipër mbrojtjen, ngurronin të vinin në dispozicion ushtarët që kërkoheshin. Përgjegjësit kryesorë të masakrës Mlladiç dhe Karaxhiç edhe sot e kësaj dite janë në gjendje të lirë. Kjo nuk është rastësi, por pjesë e një ujdije, që NATO-ja e pranoi në mënyrë që Karaxhiçi të jepte dorëheqjen vullnetarisht", analizon "Dresdner Neueste Nachrichten".

Rreth programit elektoral të partisë kristjandemokrate në Gjermani e përditshmja "Märkische Oder-Zeitung" shkruan:
"Tani gjermanët e kanë dëgjuar edhe prej gojës se profesionistes, pra të kryetares së kristjandemokratëve, Angela Merkel, se ç´i pret kur të dalin në votime të parakohshme më 18 shtator: Një politikë, që do t´i kthejë Gjermanisë dinamikën ekonomike - çmimi i së cilës do të jetë rritja e taksës mbi vlerën e shtuar për hir të uljes së kostove shtesë mbi pagën, shtrëngimi i rripit në sektorët socialë si dhe ndryshimi i kodit të punës. Ky nuk është një program që ngjall entuziazëm, por me këtë zonja Merkel mban premtimin e ndershmërisë në politikë. E kush ka qenë ai politikan që ka hyrë ndonjëherë në fushatë elektorale duke premtuar rritje taksash? E pra rrespekt. Padyshim që programi i unionti kristjandemokrat është edhe një program provokues për shumë të tjerë. Megjithatë me logjikë ai mund të shpjegohet me letargjinë e përgjithshme që mbizotëron në vend si dhe me domosdoshmërinë për ndryshime urgjente. Por do të shohim nëse unioni do të jetë në gjendje ta shesë pozitivisht programin e Merkelit", komenton "Märkische Oder Zeitung".

Ndërsa "Kölner Stadt-Anzeiger" vëren: "Programet elektorale janë premtime politike. Por me to zgjedhësve nuk u garantohet nëse dhe kur do të përmbushen këto premtime. Unioni premton, se do t´u kushtojë rëndësi punësimit dhe rritjes ekonomike. Kjo është e drejtë, realiste dhe nuk i trëmb zgjedhësit. Por as Angela Merkel nuk mund t´ia dalë mbanë me një kurs të guximshëm reformash. Sepse ajo kurrësesi nuk është një Megi Theçër gjermane", nënvizon komentatori i "Kölner Stadt-Anzeiger".

  • Data 12.07.2005
  • Autor VFB
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arui
  • Data 12.07.2005
  • Autor VFB
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arui