1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë ekspertësh!? - KfW i transferon bankës së falimentuar Lehman Brothers 300 milionë euro

Frank Christian Starke18 Shtator 2008

Çfarë gabimi! Banka shtetërore gjermane Kreditanstalt für Wiederaufbau, shkurt KfW, i ka transferuar bankës Lehmann Brothers 300 milionë euro.

https://p.dw.com/p/FKTx
Logo e Bankës shtetërore gjermane Kreditanstalt für Wiederaufbau (KfW),
Logo e Bankës shtetërore gjermane Kreditanstalt für Wiederaufbau (KfW),Fotografi: picture-alliance/ dpa

Të tilla transferta nuk janë të pazakonta kur bankat i huazojnë para njëra tjetrës dhe nuk përbën normalisht një ngjarje të veçantë. E keqja është se në momentin e transferimit të parave nga KfW-ja, Banka Lehman Brothers ishte pak para falimentimit dhe tani ka shumë të ngjarë që këto para të jenë të humbura. Ishte një gabim teknik, thotë KfW-ja, por me siguri që asnjë politikan nuk është i gatshëm ta pranojë këtë shpjegim.

Zanafilla janë të ashtuquajturat transaksione "swap", një produkt financiar shumë i komplikuar në parketin e bursës me të cilat sigurohen p.sh. rreziqet nga kurset e këmbimi.

Përse paratë janë transferuar?

A ishte vërtet një gabim teknik siç thuhet dhe në rradhë të parë a do të rishfaqen sërisht paratë, të gjitha këto janë ende të paqarta. Në debatin për buxhetin e qeverisë gjermane për vitin e ardhshëm, të mërkurën (17.9.) në parlament shumë prej deputetëve që morën fjalën kërkuan sqarime dhe i bënë pyetje vetes dhe qeverisë se si ishte e mundur të ndodhte një gjë e tillë. Përgjigje u përpoqën të jepnin në rradhë të parë zëdhënës të ministrave përgjegjës. Por edhe në ministrinë e financave ka shumë pikëpyetje. Torsten Albig thekson në emër të ministrisë së financave: "Ajo që u desh të lexonim sot është me tepër se e habitshme dhe revoltuese. Ne presim një sqarim të shpejtë të një gabimi të tillë teknik i cili është për ne i pashpjegueshëm. Shpresojmë që ai të sqarohet sa më shpejt dhe të merren masa."

Çfarë masash do të merren dhe çfarë pasojash mund të ketë është çështje e hapur

Reagimet e para janë indinjatë dhe shpoti. KfW, 'Kreditanstalt für Wertverlust', shqip: Banka për humbje vlerash monetare. Kështu e quajti me ironi institucionin bankar shtetëror kryetari i komisionit parlamentar për buxhetin Otto Frike i partisë liberale FDP. Dhe Gregor Gysi nga të majtët, ironizoi në parlament: "Tani dëgjoj në lajme se banka kredidhënëse për rindërtim pak përpara falimentimit të bankës amerikane Lehmann Brothers i ka transferuar asaj 300 milionë euro. Këto para janë të humbura. Ekspertë të shkëlqyer punojnë në KfW vetëm këtë mund të them, ekspertë të shkëlqyer!"

Banka shtetërore të manaxhohet si institucion privat dhe të mbikqyret

Politikanë të shumë partive, edhe të unionit kristiandemokrat-kristiansocial, kërkojnë që tani që banka shtetërore të manaxhohet si një institucion privat dhe të mbikqyret. Durimit me institucionin i cili pak kohë më parë ishte në kryetitujt e gazetave për bizneset me humbje të bankës së mesme IKB, duket se i ka ardhur fundi.

Zëdhënësi i ministrit të ekonomisë Michael Glos mbetet megjithatë i rezervuar. Shefi i tij, ministri Glos është kryetar i këshillit administrativ të KfW-së. "Hapat duhen hedhur njëri pas tjetrit. Tani është e rëndësishme në rradhë të parë të sqarohet se çfarë ka ndodhur. Dje u bë e ditur nga KfW-ja se revizioni i brendshëm atje ka nisur hetimet. Pasi të ketë ndodhur kjo duhen parë rezultatet dhe duhet menduar se çfarë duhet dhe mund të përmirësohet."

Sot pritet të mblidhet këshilli administrativ i bankës dhe ai me siguri që do të presë përgjigje nga shefi i zgjedhur para pak kohësh i KfW-së, Ulrich Schröder.