1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

100910 Banken Lektionen

15 Shtator 2010

Thuajse dy vjet kanë kaluar që atëherë: me falimentimin e bankës së investimeve të SHBA, Lehman Brothers më 15 shtator 2008, kriza financiare arriti kulmin e saj.

https://p.dw.com/p/PCrJ
Simbole të bankave gjermane
Simbole të bankave gjermaneFotografi: DW/AP

Për ta amortizuar krizën ekonomike që pasoi dhe për t'i shpëtuar bankat, qeveritë e kësaj bote shpenzuan 15 bilionë euro, një të tretën e produktit social bruto botëror. Që atëherë, politika dhe ekonomia financiare përpiqen të ngrenë një arkitekturë të re financiare botërore?

"Bankat kanë nxjerë sigurisht mësime. Deri tani bëhet fjalë për mësime që pasqyrohen kryesisht në menaxhimin e brendshëm, në strategji, në dizajnimin e produkteve të bankave përkatëse. Kjo sepse rregullimi, pra korniza juridike, brenda së cilës ndodhet ekonomia e financave në Gjermani dhe në botë tani sapo është duke u reformuar. Vetëm pak konstatime faktike janë pasqyruar deri tani në ligj."

...thotë Udo Steffens, president i Frankfurt School of Finance and Management.

Bursa e Frankfurtit
Bursa e FrankfurtitFotografi: AP

Kjo në një kohë kur inisiativa individuale e Gjermanisë, për të ndaluar të ashtuquajtura blerje bosh, për të ka vetëm një vlerë simbolike, meqenëse çdo bankë që vepron në plan ndërkombëtar mund ta zhvendosë aktivitetin në tregje të tjera financiare.

Veç kësaj, kabineti federal vendosi në gusht një "ligj ristrukturimi", në bazë të të cilit bankat që prej vitit 2011 duhet të paguajnë një taksë, në mënyrë që në rast krize, të mos jenë taksapaguesit ata që t'u duhet të paguajnë për bankat. Në rastin ideal, në këto fonde do të futeshin çdo vit 1,3 miliardë euro. Sa për krahasim: vetëm paketa e shpëtimit për financuesin e imobilieve Hypo Real Estate kap deri tani shumën 142 miliardë euro.

Në rrafsh evropian, është pikërisht rregullimi i ri për mbikqyrjen financiare, i cili u kremtua si vendimi më i rëndësishëm që prej shpërthimit të krizës financiare. Në bazë të kësaj, prej vitit 2011 fjalën e fundit do ta kenë tri autoritete mbikqyrëse të reja për bankat, sigurimet dhe bursat, po të ndodhet në vështirësi një koncern financiar me veprimtari ndërkombëtare.

Selia kryesore e Lehman Brother, Nju Jork
Selia kryesore e Lehman Brother, Nju JorkFotografi: AP

Me fjalë të tjera, këtu bëhet fjalë më shumë për menaxhim të krizës, se sa për parandalim të saj. Synimi i të gjitha hapave të reformës është ndërmarrja e të gjitha masave, në mënyrë që një krizë financiare e përmasave të tilla të mos përsëritet më. Parimet e një rregullimi të arsyeshëm të tregut janë tepër të thjeshta, thotë eksperti i financave dhe investuesi Max Otte. Në radhë të parë ai përmend kapitalin vetjak: "Deutsche Bank për shembull punon me 1,5 % kapital vetjak. Kur ata kërkojnë që një bankë të ketë për një produkt tetë ose nëntë përqind kapital vetjak, atëherë spekulantët angazhojnë më shumë para vetjake. Kjo natyrisht që të bën të jesh më i kujdesshëm. Më e rëndësishmja në kapitalizëm është kapitali. Dhe këtë duhet ta kenë edhe aktorët në sistemin bankar në sasi të mjaftueshme në dispozicion, përndryshe ne kemi për momentin socializëm për bankat."

Autor: Zhang Danhong/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama