Zgjerimi i BE-së shton trysninë e migrimit mbi këtë strukturë shtetërore | Evropa | DW | 18.02.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Zgjerimi i BE-së shton trysninë e migrimit mbi këtë strukturë shtetërore

Bashkimi Evropian është ende mjaft larg trajtimit të njësuar të atyre që si refugjatë dhe azilkërkues trokasin nga jashtë në portat e tij. Njohja e arsyeve për strehimdhënie është po aq e ndryshme sa edhe procedurat administrative dhe bazat statistikore.

default

Zgjerimi i Bashkimit Evropian në lindje dhe jug ka shtuar edhe trysninë e migrimit mbi këtë strukturë shtetërore me liri të pakufizuar lëvizjeje dhe vendosjese. Megjithatë Bashkimi Evropian është ende mjaft larg trajtimit të njësuar të atyre që si refugjatë dhe azilkërkues trokasin nga jashtë në portat e tij. Njohja e arsyeve për strehimdhënie është po aq e ndryshme sa edhe procedurat administrative dhe bazat statistikore. Një gjë dihet, Bashkimit Evropian i nevojitet një sistem azilimi i bashkërenduar, i cili siguron ndarje të drejtë të barrës mes anëtarëve të BE-së dhe trajtim të drejtë të azilkërkuesve. Bernd Riegert informon.

Në të ashtuquajturin "Program i Hagës" Bashkimi Evropian i ka vënë vetes si synim që deri në 2010-ën të paraqesë një sistem të njësuar azilimi në të gjitha 27 shtetet anëtare atëherë. Rregullat tepër të ndryshme sot për procedurat e azilimit dhe njohjen e arsyeve për strehimdhënie duhen njësuar. Azilkërkues të pranuar do të kenë atëherë të drejtën e lëvizjes së lirë brenda Bashkimit Evropian. Mes tyre shtetet synojnë ndarjen e ngarkesës, do të thotë që shtete me shumë azikërkues do të kenë mundësinë t'i kalojnë këta në shtete më pak të ngarkuara.

Rruga drejt sistemit të njësuar të azilimit është e gjatë dhe shtetet duhet të tregojnë vullnet më të madh për të punuar bashkarisht, shkruan në planin e tij më të ri të punës për këtë temë komisioneri evropian përgjegjës për drejtësinë Franco Frattini. Një hap i parë, i rëndësishëm do të jetë ngritja e një sistemi informimi mbarëevropian mbi vendet e prejardhjes të azilkërkuesve. Atëherë kriteret e azilpranimit mund të njësoheshin më lehtë. Për shembull: Strehimi për arsye përndjekjeje politike në vendin x do të njihet në të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Mbi këtë do të këshillohen ministrat e brendshëm të Bashkimit, të cilët do të takohen këtë të martë, por vendimet priten për muajin prill.

Në fuqi janë tashmë rregullat për standartet minimale në procedurat e azilimit dhe sistemimin e kërkuesve. Shtetet mesdhetare, të cilat pranojnë shumë azilkërkues dhe refugjatë nga shtetet afrikane, kërkojnë një ndarje më të mirë të njerëzve në shtetet anëtare. Në përgjithësi shtetet e reja anëtare në Evropën Lindore kanë ende vështirësi me procedurat e reja për ta të azilimit. Disa shtete anëtare i rrëzojnë shumë shpejt kërkesat për azil si dukshëm të pambështetura, çka kritikohet nga organizatat për të drejtat e njeriut si Këshilli Evropian për Refugjatët. Në përfundim politika mjaft e shtrënguar e azilimit në BE shpie në nxitjen e kontrabandës së njerëzve, sepse shumë refugjatë përpiqen të mbërrijnë jashtëligjshëm në Evropë, thonë kritikët.

Në vitin 2002 kanë ardhur në Evropë si azilkërkues gjithsej 380.000 njerëz - statistika më të reja nuk ka ende. Kuota e pranimit luhatet midis katër për qind në Austri e deri 25 për qind në Danimarkë. Shumica e azilkërkuesve erdhën në Britani të Madhe, Francë dhe Gjermani nga Iraku, Afganistani, ish-Jugosllavia dhe Turqia.

Por numri për Gjermaninë është në rënie, pasi ajo rrethohet ndërkohë nga shtete të ashtuquajtura të sigurta. Në rast se azilkërkuesi ka shkelur rrugës për në Gjermani një vend të sigurt, ai mund të kthehet pa procedurë të mëtejshme në këtë vend. Bashkimi Evropian nuk mundi të merrej vesh për caktimin e një liste të njësuar të shteteve të sigurta që shtrihen jashtë Evropës.

  • Data 18.02.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArC1
  • Data 18.02.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArC1