1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet ne Kosove: Premtimet e partive politike të ekzagjeruara

8 Dhjetor 2010

Qytetarët e Kosovës mendojnë se premtimet e partive politike gjatë kësaj kohe të fushatës parazgjedhore janë të ekzagjeruara dhe për rrjedhojë nuk u besojnë shumë, bëjnë të ditur organizatat joqeveritare

https://p.dw.com/p/QT0J
Zgjedhjet në KosovëFotografi: AP

Partitë politike në Kosovë tashmë janë në vlugun e fushatës së tyre për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit. Sipas analizave të bëra gjatë fushatës nga organizatat joqeveritare, partitë politike me programet e tyre janë të fokusuara kryesisht në zhvillimin ekonomik të vendit, mirëpo, premtimet e tyre sikurse dhe në të kaluarën duken të ekzagjeruara. Kështu thotë Petrit Zogaj, nga Lëvizja FOL, organizatë kjo e cila prej vitesh monitoron premtimet që janë bërë nga partitë politike.

Fushatë zgjedhore deklarative - Merren vendime qeveritare kur nuk ka qeveri

Partitë politike bëjnë një fushatë deklarative, e cila është e paimplemenueshme në terren. Po ashtu bëjnë një program politik të partisë i cili edhe ai është i paimplementueshëm në programin qeveritar dhe në fund, programi qeveritar tregon që gjatë implementimit të tij, është reduktuar dhe në masë të madhe implementimi nuk është bërë sipas afateve të përcaktuara nga qeveria”, thotë Petrit Zogaj.

Në të njejtën linjë shprehet edhe Avni Zogjiani nga organizata joqeveritare ”ÇOHU”. Sipas tij qeveria e Kosovës ka kohë që nuk ka mbajtur mbledhje, ndërsa, në emër të qeverisë nënshkruhen vendime.

Avni Zogiani nga organizata "Çohu" në Kosovë
Avni Zogiani nga organizata "Çohu" në KosovëFotografi: Avni Zogiani

Në emër të qeverisë merren vendime në kohën kur nuk ka mbledhje të qeverisë. Kosova faktikisht nuk ka qeveri, ka një qeveri të shkarkuar në parlament. Pra, gjatë kësaj kohe të fushatës, ky problem nuk është prekur nga asnjë parti politike opozitare, apo nuk është shprehur si shqetësim sa duhet”, thotë Avni Zogjiani.

Disa qytetarë nuk i besojnë më asnjë partie politike

Të shqetësuar për premtimet siç thuhet të ekzagjeruara të partive politike, gjatë kësaj fushate thonë mendimet e tyre edhe disa qytetarë të Kosovës.

Askujt nuk i besoj më, e kam humbur besimin tek të gjithë, sepse ka vetëm premtime të kota”.


Të gjithë e dimë se si ka qenë Kosova përpara, ndërsa, tash jemi në situatën kur të gjithë duhet të punojnë për zhvillimin e vendit”.

“Ka qenë shumë vështirë deri sa Kosova nuk ishte e pavarur, ndërsa, tash ke shanse shumë më të mira nëse politikanët angazhohen. Tashmë është koha e fundit që të zhduket edhe korrupsioni”.


Ata vetëm premtojnë, ndërsa, kur vijnë në pushtet po i harrojnë ato që kishin thënë. Shumë pak kanë realizuar nga ato që kanë premtuar”, thonë për DW disa qytetarë të Kosovës.

Jakup Krasniqi i bën thirrje partive politike për përmbajtje dhe fushatë demokratike

Jakup Krasniqi, president në detyrë i Kosovës
Jakup Krasniqi, president në detyrë i KosovësFotografi: DW

Në anën tjetër presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, thotë për DW se gjuha që po përdorin partitë politike gjatë fushatës është pjesë e demokracisë, por sipas tij disa parti kanë shkelur kodin e sjelljës.

Partitë politike në përgjithësi janë duke bërë një garë korrekte, nganjëherë edhe me një gjuhë të ashpër të disa partive, në ndonjë rast edhe e paargumentuar, por edhe kjo është pjesë e fushatës dhe pjesë e proceseve demokratike nëpër të cilat po kalon Kosova”, thotë Jakup Krasniqi.

Fushata për zgjedhjet jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit kësaj radhe zgjat vetëm dhjetë ditë. Presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi u bëri thirrje partive politike që të jenë të përmbajtura, të zhvillojnë një fushatë të ndershme dhe demokratike, ndërsa fton qytetarët që ditën e dielë me 12 dhjetor të dalin masivisht në zgjedhje.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi