1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhje të parakohshme në Ukrainë?

Herman Krauze1 Prill 2007

Në Ukrainë është ashpërsuar lufta për pushtet midis presidentit Viktor Jushcenko dhe kryeministrit Viktor Janukovic.

https://p.dw.com/p/Aqme
Demonstratë më 30 mars në Kiev
Demonstratë më 30 mars në KievFotografi: AP

Në Kiev, të shtunën(në fundjavë) u mblodhën dhjetëra mijëra ithtarë të të dy politikanëve në manifestime të mëdha. Jushcenko kishte kërcënuar se mund të shpërndante parlamentin

A ishin ndoshta 100 mijë, apo 200 mijë vetë që protestuan në "Maidan", në "Sheshin e pavarësisë" kundër qeverisë në pushtet? Shifrën e parë e përmendin gazetarët, të dytën organizatorët. Sido që të jetë kishim të bënim me një numër shumë të madh njerëzish- në krahasim me 30 mijë vetët që protestonin paralelisht për të mbështetur qeverinë. Julia Timoshenko, figurë simbol e "revolucionit të portokalltë" ndodhej në formën e saj të vjetër më të mirë, kur bëri thirrje për shpërndarjen e parlamentit. Një skenar që bëhet gjithnjë e më i mundur, sepse kjo është e vetmja mënyrë me të cilën presidenti Viktor Jushcenko mund të shpëtojë veten. Jushcenko, i cili krahas Julia Timoshenkos luajti dikur fijet e revolucionit, si president ndodhet gjithnjë e më shumë në një pozitë të vështirë. Për mendimin e tij, në parlament "ndodhin gjëra anti-kushtetuese", të cilat ai nuk mund t'i pranojë.

Me këtë ai ka parasysh kalimin gjithnjë e më tepër të deputetëve të tij dhe të Timoshenkos në kampin armik, në atë të Viktor Janukovicit. Janukovici arriti javët e fundit të fitojë rreth 20 deputetë për Partinë e tij të Rajoneve. Ndërkohë, kryeministri mund të mbështetet në një shumicë prej 260 nga 450 deputetë të parlamentit. Edhe disa deputetë të tjerë dhe Janukovici do të fitonte shumicën absolute, për të bërë ndryshime edhe në kushtetutë.

Dhe në një rast të tillë, p.sh. ai mund ta zhvlerësonte postin e presidentit duke e bërë atë një post thjesht reprezentativ. Në një rast të tillë ai do të bëhej personi me fuqi më të mëdha në shtet. Ky do të ishte për presidentin Jushcenko, ende lojtar kundërshtar të Janukovicit, fundi politik. Prandaj edhe kërcënimi i presidentit, për ta shpërndarë parlamentin. Jushcenko thotë se kalimi nga një fraksion parlamentar në tjetrin nuk është i lejuar. Kryeministri Janukovic kuptohet që këtë e sheh ndryshe. Julia Timoshenko, blloku i së cilës humbi gjithashtu pesë deputetë në dobi të Janukovicit thotë se parlamentarët u blenë me shumë para dhe premtime, ose u kërcënuan. Deri tani, këtë nuk e ka konfirmuar asnjëri nga ata që kanë ndërruar anën, por që rrjedhin mjete financiare, për këtë nuk ka dyshim.

Të hënën, presidenti Jushcenko do të zhvillojë bisedime me kryetarin e Parlamentit Moros dhe me kryeministrin Janukovic dhe do të vendosë pastaj nëse do të kërkojë zgjedhje të reja apo jo. Sipas një anketimi, 80% e të pyeturve besojnë se presidenti do ta shpërndajë parlamentin dhe që partia e tij ndoshta do të formojë sërish një koalicion me Julia Timoshenkon. Sepse ylli i saj është ngritur sërish. Përsa u përket vlerave të popullaritetit, Zhan D'Arka e revolucionit të portokalltë ndodhet papritur para Janukovicit- një zhvillim që u përvijua që të shtunën në Sheshin e Pavarësisë së Kievit.