Zgjedhje parlamentare në Afganistan pas 36 vjetësh | Bota | DW | 18.09.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Zgjedhje parlamentare në Afganistan pas 36 vjetësh

Për herë të parë qysh prej 36 vjetësh afganët të djelën votuan për të zgjedhur parlamentin e ri. Paralelisht u zhvilluan votimet edhe për zgjedhjen e këshillave në 34 provinca.

Qendër votimi në Kandahar

Qendër votimi në Kandahar

Në garën politike merrnin pjesë 5.800 kandidatë gjithsej, një detyrë logjistike kjo jashtëzakonisht e vështirë. Por edhe zgjedhësit ndodheshin përpara një vendimi të vështirë. Vetëm në kryeqytetin Kabul në fletët e votimit ishin shënuar emrat e 390 kandidatëve. Kodi elektoral parashikon që kandidatët të konkurojnë si individë, ndërkohë që partitë nuk luajnë asnjë rol. Kësaj i shtohet edhe situata e paqëndrueshme në vend. Javët dhe ditët e fundit në prag të zgjedhjeve u rrit frika prej sulmeve. Shtatë kandidatë u vranë.

* * *

Një qendër votimi në një xhami të lagjes së Kabulit Shar-e-nav. Drejtuesi i komisionit zgjedhor të zonës jep udhëzimet e fundit dhe vëzhgon kutitë e votimit.

Eshtë pak para orës gjashtë të mëngjesit të së djelës. Votuesit e parë kanë mbërritur që para një ore dhe presin. Qendrat e votimit hapen në orën gjashtë. Drejtuesi i komisionit zgjedhor të zonës përpiqet të justifikojë vonesën: "Ne jemi një popull mysliman, ndaj prioritet ka shërbesa ndaj Zotit, duke ardhur sot në mëngjes këtu ne pamë se njerëzisht po faleshin, ndaj na u desh të prisnim. Ne u vonuam derisa njerëzit mbaruan së faluri."

Edhe shefja e misionit vëzhgues të BE-së, Ema Bonino, është duke pritur që nga ora gjashtë e mëngjesit. Me interes ajo ndjek përgatitjet e votimeve si dhe dhënien e votave të para, ja se si e komenton prozesin zonja Bonino: "Gjithçka po shkon në rregull këtu, ndonëse me vonëse, por kjo ishte diçka që pritej. Shpresoj se puna do të ecë më shpejt dhe se gjatë pasdites nuk do të ketë radhë kaq të gjata. Më duket se këtu çdo gjë është organizuar mirë."

Zgjedhësit fillimisht duhet të tregojnë kartën e regjistrimit në zgjedhje, një nga punonjësit e qendrës së votimit e siglon atë, më pas mollëza e gishtit stampohet me ngjyrë vjollcë, kjo bëhet për të verifikuar që personi ka votuar një herë, në mënyrë që të evitohen votimi i dyfishtë. Në zgjedhjet presidenciale në tetor të vitit të kaluar boja e përdorur për këtë qëllim shkaktoi indinjatë, sepse ajo hiqej menjëherë duke u larë. Drejtuesi i qendrës së votimit do t´i hedhë poshtë fjalët që qarkullojnë, se boja sërish është e paqëndrueshme. Për ta demonstruar këtë ai përpiqet të lajë mollëzën e ngjyrosur të gishtit: "E pra le ta provojmë, por ju garantoj, se kjo bojë është e qëndrueshme. Shikoni, ajo nuk hiqet."

Shpresa se dita e votimeve në Afganistan do të kalojë e qetë nuk u konfirmua, pavarësisht nga masat e forta të sigurisë. Pak pas hapjes së qendrave të votimit dy predha goditën ndaj territorit të OKB-së në Lindje të Kabulit. Nga provincat jugore u njoftua, se ka pasur sulme ndaj forcave afgane të rendit. Disa persona gjetën vdekjen. Në Jug të vendit gjithashtu nuk mundën të hapen disa qendra votimi. Kryetari i komisionit të zgjedhjeve, Peter Erben, përpiqet ta justifikojë këtë: "Ju lutem ta vlerësoni këtë duke pasur parasysh, se kemi 6.200 qendra votimi në Afganistan dhe në çdo lagje ka mundësi për të votuar."

Por megjithatë shtrohet pyetja nëse vërtetë janë të nevojshme kaq shumë qendra votimi. Vëzhguesit flasin për një pjesëmarrje të ulët në votime. Duket se tani është shuar entuziazmi që treguan afganët në zgjedhjet presidenciale një vit më parë.

Numërimi i votave në Afganistan fillon të martën dhe rezultatet përfundimtare pritet të shpallen në tetor.

  • Data 18.09.2005
  • Autor Karen Fisher
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArNz
  • Data 18.09.2005
  • Autor Karen Fisher
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArNz
Reklamë