1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vritet në Moskë një avokat i të drejtave të njeriut dhe një gazetare

Auron Dodi20 Janar 2009

Asnjë gjurmë për vrasjen e djeshme të bujshme në qendër të Moskës, të një avokati të të drejtave të njeriut dhe një gazetareje të një gazete opozitare. Këshilli i Evropës kërkon nga Rusia të sqarojë plotësisht rastin.

https://p.dw.com/p/Gcf7
Stanislav Markelov, duke folur për mediat në Moskë, 2005
Stanislav Markelov, duke folur për mediat në Moskë, 2005Fotografi: AP

Policia ruse deklaroi të martën se po kontrollon regjistrime në video, në kërkim të vrasësve të një avokati të njohur të të drejtave të njeriut dhe të një gazetareje. Por autoritetet thanë se deri tani nuk ka qenë e mundur të identifikohet asnjë doras.


Avokati Stanislav Markelov dhe gazetarja Anastasja Baburova, u vranë dje në qendër të Moskës nga doras të maskuar, para syve të kalimtarëve. Zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme, Vladimir Markin deklaroi: "Komisioni hetimor po shqyrton versione të ndryshme të krimit, midis tyre edhe aktivitetet profesionale të avokatit të vrarë. Aktualisht, komisioni ka në dorë të dhëna operative, që i dyshuari si vrasës mbante një maskë, më saktë një kapuç me vende të hapura tek sytë."

Rruga Prechistinka ku u vra Stanislav Markelov, 19 janar 2009
Rruga Prechistinka ku u vra Stanislav Markelov, 19 janar 2009Fotografi: RIA Novosti


Zëdhënësi i Prokurorisë ruse dha se vrasësi i dyshuar e kishte ndjekur avokatin. Avokati 34 vjeçar, Stanislav Markelov vdiq në vend, nga një e shtënë me pistoletë në kokë. Ai kishte qenë në krye të përpjekjeve legale për të bllokuar lirimin para kohe nga burgu të kolonelit rus Juri Budanov, rasti i të cilit është kthyer në simbol për abuzimin e të drejtave të njeriut në Çeçeni. Trupi i Markelovit u gjet në rrugën Preçistinkaja, 10 minuta në këmbë nga Kremlini, thanë prokurorët. Ai sapo kishte mbaruar së dhëni një informacion reporterëve.

Gazetarja Anastasja Baburova, po e intervistonte Markelovin, në kohën që e vranë. Ajo vdiq nga plagët në kokë në spital. Baburova punonte për gazetën "Nowaja Gazeta". Gazetarja 25 vjeçare, trajtojnë në shkrimet e saj për gazetën opozitare lëvizjet rinore, midis tyre edhe ato neonaziste. Novaja Gazeta është gazeta e cila punësoi edhe Ana Politkovskajan, gazetaren dhe kritiken e fortë të Kremlinit, e cila u vra në vitin 2006.


Tanja Lokshina, zëvendëspresidentja e Human Rights Watch, e quajti vrasjen e Markelovit, po aq shokuese sa të Politkovskajas. "Për ata në Çeçeni, emri i Markelovit ishte një simbol shprese se mund të gjesh drejtësi dhe se vrasësi do të dënohet."


Lirimi i parakohshëm të enjten nga burgu i kolonelit rus Budanov, të dënuar më 2003 me 10 vjet heqje lire, për përdhunim dhe vrasje e një 18 vjeçareje, shkaktoi protesta të gjera në Çeçeni. Avokati Markelov, kishte në plan ta dërgonte këtë rast në Gjykatën Evropiane të të drejtave të njeriut në Strasburg, nëse Gjykata e Lartë e Rusisë do të refuzonte të dëgjonte një ankesë të re kundër lirimit të parakohshëm të Budanovit. Këshilli i Evropës ka kërkuar tani nga Rusia "të nxjerrë në pah të gjithë të vërtetën" për këtë rast. Moska duhet të dërgojë një "sinjal të qartë" kundër "banalizimit" të këtyre krimeve dhe për "rivendosjen e shtetit juridik", u tha në Strasburg.

(aca)