Ushqime dhe medikamente në prag të ofensivës
26 Dhjetor 2008Bëhet fjalë për një 'mision të kufizuar', i cili do të zgjasë disa ditë. Me këto fjalë e përshkruan gazeta „Ha’aretz", në numrin e saj të së premtes, detyrën deri tani jozyrtare me të cilën janë ngarkuar Forcat e Sigurisë të Izraelit.
Deri të dielën nuk pritet ndonjë aksion i ushtrisë
Operacioni i përbashkët ushtarak i trupave të këmbësorisë dhe aviacionit drejtohet kundër Hamasit dhe grupeve tjera ekstremiste në Rripin e Gazës. Të dielën (28.12.) kryeministri në dorëheqje Ehud Olmert do të këshillohet edhe njëherë me ekspertët e tij të sigurisë. Deri atëherë nuk pritet ndonjë aksion i ushtrisë, shkruan gazeta e cila bazohet në burime të kreut qeveritar. Forcat izraelite po planifikojnë një aksion ushtarak relativisht të shkurtër i cili do t'i shkaktojë Hamasit, citat: "dëme mundësisht të mëdha".
Të enjten, ekstremistët palestinezë shkrepën në drejtim të territorit izraelit shtatë raketa Kasam. Sipas të dhënave izraelite ato nuk shkaktuan dëme. Ministri izraelit i Mbrojtjes Ehud Barak paralajmëroi të premten (26.12) hapjen e kufirit me Rripin e Gazës për kalimin e ndihmave humanitare.
Sinjale paralajmëruese
Sipas të dhënave të një zëdhënësi të Ministrisë së Mbrojtjes ndërkohë kanë kaluar kufirin izraelito-palestinez rreth 80 kamionë të mbushur me ushqime, medikamente dhe drithëra. Po ashtu u transportuan sasi të kufizuara nafte industriale për termocentralin në Gazë. Bëhet fjalë për ndihmat e para humanitare në dhjetë ditët e fundit.
Kryeministri Ehud Olmert dëshiron që popullsia palestineze të jetë e furnizuar me ushqime dhe medikamente para fillimit të aksionit ushtarak. Sipas gazetës „Ha’aretz", Olmert nuk dëshiron që gjatë kohës së sulmeve të ketë një krizë humanitare shtesë.
Edhe Ministri i Mbrojtjes Ehud Barak, i cili ditët e fundit u tregua shumë i përmbajtur, sqaroi të premten në mëngjes se: "Edhe sot herët ne i kushtuam vëmendje të posaçme jugut. Nuk janë vetëm fjalë që për ne janë të papranueshme, por është gjendja e krijuar së fundi, të cilën nuk mund ta pranojmë. E vetmja që mund të them sot është se kushdo që sulmon qytetarët e Izraelit dhe ushtrinë e tij do të paguajë një çmim të lartë", tha Barak.