Ukrainë: Ish-kryeministrja Julia Timoshenko në opozitë me presidentin Jushçenko | Politika | DW | 10.09.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Ukrainë: Ish-kryeministrja Julia Timoshenko në opozitë me presidentin Jushçenko

Dy figurat simbol të rezistencës ukrainase do të ndjekin në të ardhmen rrugë të vecanta. Kryeministrja e shkarkuar Julia Timoshenko shpalli të premten në mbrëmje në televizionin e Ukrainës prishjen me presidentin Viktor Jushcenko. Kryeministri i ri, Juri Jeshanurov ka nisur ndërkohë të formojë qeverinë e re

Julia Timoshenko dhe presidenti Jushçenko

Julia Timoshenko dhe presidenti Jushçenko

Ajo e ruan stilin e saj, një përzierje krenarie nacionale, vendosmërie dhe emocioni. Julia Timoshenko nuk dorëzohet pasi bashkëudhëtari i saj dhe partneri i revolucionit të enjten e nxori jashtë loje. Një ditë pas shkarkimit të saj si kryeminisgte, politikania ukrainase shpalli se do të jetë në të ardhmen në opozitë me presidentin Viktor Jushcenko. Dy politikanët ishin në fund të vitit të kaluar dy figurat simbol të revolucionit të portokalltë në Ukrainë.

Në një fjalim televiziv emocional, Timoshenko bëri përgjegjës për shkarkimin e saj jo Jushcenkon personalisht, por këshilltarët e tij:

"Eshtë ekipi i presidentit, janë njerëzit e afërt të tij, tek ata ka besim ai, dhe këta njerëz do të mbeten. Prandaj unë duhet të ndjek rrugën time, edhe nëse pa luftë midis nesh."

Ishte shfaqja e parë në publik e politikanes së vendosur dhe karizmatike pas shkarkimit të saj. Aty-këtu, zonja me gërshetin e verdhë dukej e trishtuar, por i bëri bisht në mënyrë të dukshme një sulmi ndaj Jushcenkos, i cili kërkoi të premten në mbrëmje mbështetje për qeverinë e re. Ai la të kuptojë edhe se Timoshenko dhe shefi i këshillit të mbrojtjes, Petro Poroshenko mund t'i përkisnin kabinetit të ri, nëse bashkëpunonin në të ardhmen. Por Timoshenko e bëri të qartë se një bashkëpunim me grupin rreth Poroshenkos për të nuk diskutohet:

"Si mund t'ua zgjas dorën atyre, kur ata gjithë kohën janë të preokupuar se si t'i vjedhin dicka shtetit?"

Shumica e vëzhguesve janë të mendimit se Timoshenko mbetet një faktor vendimtar në politikën ukrainase, megjithëse atë thuajse e urrejnë në Lindje të vendit, ku qëndrimi ndaj Rusisë është shumë miqësor. Prej atje vjen ish-sfiduesi i Jushcenkos, Viktor Janukovic. Edhe ai u shpreh në televizion dhe tha se shkarkimi i qeverisë ishte i drejtë, edhe nëse erdhi me vonesë:

"Eshtë qartaz një krizë e sistemit, e cila shkon më thellë. Prej fillimit të vitit kemi parë mënyra kaotike veprimi të pushtetmbajtësve dhe një mënyrë joprofesionale të vepruari."

Nëse ai kërkon me këtë afërsinë e Jushcenkos, për të hyrë sërish në lojë, apo kërkon vërtet të bashkëpunojë me të, kjo është e diskutueshme. Për ta mbështetur fitimtarin e zgjedhjeve, ai megjithatë vë kushte:

"Duhet kryer para së gjithash reforma kushtetuese, e cila duhet afruar. Dhe natyrisht duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare."

Kushtetuta e re e dobëson postin e presidentit dhe në atmosferën aktuale, Jushcenko mund të humbasë mbështetje edhe në parlament.

Që të kalojë në anën e ish-njeriut të Kucma-s, kaq larg Julia Timoshenko nuk dëshiron të shkojë. Ajo nuk merr pozicionin e gjykatësit mbi Jushcenkon:

"Unë dua thjesht që ai ta dijë se unë e fal. Një padrejtësi e tillë si kjo kundër meje padyshim nuk është ndonjë vepër shumë e mirë."

  • Data 10.09.2005
  • Autor Horst Kläuser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqtT
  • Data 10.09.2005
  • Autor Horst Kläuser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqtT