1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ukrainë: Pokeri për pushtet mund të zgjasë edhe vitet e ardhshme

Klaus Dahmann17 Prill 2007

Gjykata kushtetuese ukrainase trajton sot pyetjen nëse shpërndarja e parlamentit prej presidentit Viktor Jushçenko dy javë më parë ishte e ligjshme.

https://p.dw.com/p/Ar8L
Viktor Jushçenko në Bruksel me José Manuel Barroso
Viktor Jushçenko në Bruksel me José Manuel BarrosoFotografi: AP

Jushçenko e shpalli parlamentin të shpërndarë, pasi 11 deputetë të kampit të tij kaluan në shumicën parlamentare të Janukoviçit. Kampi i Janukoviçit e cilësoi dekretin për shpërndarjen e parlamentit antikushtetues dhe iu drejtua gjykatës kushtetuese. Lufta për pushtet në Ukrainë po paralizon prej javësh punët e shtetit. Aktorë kryesorë të kësaj lufte: presidenti Viktor Jushçenko, kryeministri Viktor Janukoviç dhe udhëheqësja e opozitës Julia Timoshenko.

Ai u shfaq si bartësi i madh i shpresave: Viktor Jushçenko, kandidati kryesor i opozitës, e cila synoi zëvendësimin e regjimit të autokratit pro-moskovit Leonid Kuçma.

Jushçenko dhe aleanca 'portokalle' e mbledhur pas tij përfaqësonin kursin pro-perëndimor, pro-evropian dhe kishin mbështetës kryesisht në perëndim të vendit. Për ta eksperti ekonomik me përvojë ndërkombëtare nuk ishte vetëm simbol i nisjes së re, por edhe i vuajtjeve që regjimi i Kuçmës u kishte shkaktuar kundërshtarëve: Jushçenko është shpërfytyruar nga aknja e klorit, një sëmundje burimi i vërtetuar i së cilës është helmimi me dioksinë. Vetë ai flet për një atentat me motiv politik.

'Revolucioni portokalli' triumfoi në fund mbi regjimin e Kuçmës: Gardës së vjetër, besnike të Moskës iu desh ta pranonte humbjen në zgjedhjet presidenciale. Jushçenko doli fitues dhe në fillim të 2005 bëri betimin si president.

Bashkëpunëtoja e tij dhe idhulli i 'revolucionit portokalli' ishte Julia Timoshenko. Jo vetëm pamja e saj karizmatike me gërshtein e verdhë, prej vajze të re kanë zgjuar interes të madh edhe jashtë vendit. Por 'Jeanne d'Arc-a e Ukrainës' është një njeri që kërkon pushtet. Dhe në të kaluarën e saj ka disa njolla që kundërshtarët mund t'i përshkruajnë të paktën si të dyshimta: Nga koha si drejtore e koncernit të madh energjetik EESU ekzistojnë akuza për dyshime për kontrabandë dhe mitdhënie. Por akuzat janë rrëzuar.

Përkrah Jushçenkos Timoshenko bëri më pas karrierë politike: Pas 'revolucionit portokalli' ajo u bë kryetare e qeverisë.

"Duhet t'u vëmë vijë armiqësive dhe përplasjeve. Ne do të jemi qeveri e unitetit dhe e mirëkuptimit. Të gjithë së bashku do të justifikojmë angazhimin e njerëzve, që dolën në protesta në lindje dhe në perëndim."

Por një gjysmë viti më vonë Timoshenko dhe Jushçenko u grindën, presidenti e pushoi kryeministren. Pas zgjedhjeve të lira në pranverën 2006 ajo ishte në prag të bërjes sërish kryeministre, por marrëveshja e nënshkruar e koalicionit dështoi kur socialistët dolën nga 'koalicioni portokalli' dhe ndërruan anën.

Duke shkuar në kampin e Viktor Janukoviçit. Ish-i favorizuari i Kuçmës, i cili ishte dëbuar nga karrikja e pandehur e sigurt e presidentit, u ngjit tani në fronin e kryeministrit.

"Jam i sigurt që qeveria do të punojë në mënyrë aktive, profesionalisht dhe me përgjegjësi. Jam i gatshëm të marr përgjegjësi. Nëse më mbështesni, do të bashkëpunojmë."

Dhe ai morri madje mbështetjen e kundërshtarit fitimtar për portin e presidentit, Viktor Jushçenko. Deri sa pak muaj më parë edhe Janukoviç e Jushçenko u grindën sërish - sepse presidenti dyshoi që pas kalimit të 11 deputetëve në anën e kryeministrit fshihej paraja dhe e interpretoi këtë si shkelje të kushtetutës.

"Dikush në qeveri mendoi se mund t'i blinte votat e tyre pa u ndëshkuar dhe t'i shiste. Votat e tyre u ndërruan - ky është një shembull brutal për korrupsionin politik."

Jushçenko shpalli shpërndarjen e parlamentit, u afrua me Timoshenkon, gjersa Janukoviç iu drejtua gjykatës kushtetuese. Një poker pushteti që mund të zgjasë edhe vitet që vijnë.