Të diplomuarit pa perspektivë punësimi në Maqedoni
30 Prill 2010Të dhënat e fundit të Agjencisë për punësim tregojnë se numri i qytetarëve të papunë në Maqedoni ka kaluar shifrën 350 000. Këto të dhëna janë prezantuar në prag të festës ndërkombëtare të punës, 1 majit. Rroga të njejta, jeta gjithnjë e më e shtrenjtë, standardi po bie dita ditës, këto janë përgjigjet më të shpeshta, që i japin kryefamiljarët, kur pyeten, se si jetohet në Maqedoni. Edhe të rinjtë gjithnjë e më shumë po e ndjejnë varfërinë si rezultat i të qenit i papunë.
Papunësi e theksuar tek të rinjtë
40% prej numrit të përgjithshëm të të papunëve është e grupmoshës, që sapo ka kaluar të tridhjetat. Tek ata po mbizotëron pesimizmi, sepse koha e pritjes në Agjencinë për punësim është prej 5 deri në 7 vite.
“Pasi përfundova fakultetin, konkurova në disa vende pune, por kot. Përgjigjja çdo herë ishte negative. Më pas u paraqita në agjencionin për punësim, tash plot tri vite, edhe këtu nuk kam fat, ende jam i papunë”, rrëfen Agron Rustemi, ekonomist i diplomuar nga Shkupi.
Angazhimet sezonale janë zgjidhje të përkohshme
Shitja e librave të vjetër, e simitave, apo edhe ndonjë punë në kopshte të lulishteve, janë angazhime sezonale të të rinjve pa punë. Ata merren me këto punë të imponuara, sepse siç thonë u vjen turp të jetojnë në kurriz të prindërve dhe t'u kërkojnë atyre të holla për të dalë në mbrëmje me shokë, apo miq.
“Kisha problem se s'dija si ta kaloj ditën, prandaj vendosa të merrem me disa punë, që sigurojnë mjete financiare për nevojat e përditshme. Kam filluar të shpërndaj gazeta thotë Agron Rustemi. Ai është i mllefosur për mospasje të një strategjie në nivel shtetëror për punësimin e të rinjve të diplomuar. Koha e humbur vështirë kompenzohet, thotë Agroni
Mungesa e perpektivës deziluzionuese
“Maqedonia edhe me kushtetutë është e deklaruar si shtet social, që nënkupton garantimin e vendeve të punës, po unë kalova të tridhjetat dhe ende nuk kam asnjë ditë përvojë pune”.
Fati i njejtë e ka përcjellë edhe juristen e re Vjollca Memetin, e cila është shpërngulur nga një zonë periferike në kryeqytet, me qëllim për të siguruar ndonjë vend pune.
“Ka disa muaj që nuk kam paguar faturat për rrymë, bile edhe telefonin e kam të mbyllur, kam problem edhe me pagesën e qirasë, është vështirë të jetosh në një qytet, kur nuk ke të holla. Fatkeqësisht nuk kam punë të rregullt. Ka raste, kur më ofrohet ndonjëherë. Po ja që për një apo dy muaj nuk është ajo, që njeriu mund të ekzistojë“, thotë Vjollca Memeti. Ajo kritikon partitë politike, sepse çdo punësim kalon përmes tyre. Kjo është një situatë e papërballueshme. Ne kërkojmë punë dhe asgjë tjetër", thotë Vjollca.
“Gjithçka lidhet me financat. Të gjithë ne mendojmë të krijojmë ardhmëri, familje dhe ajo është një pengesë, sepse nëse nuk ke financa, nuk mund ta planifikosh jetën.“
Të rinjtë në Maqedoni fatin e tyre të punësimit e shohin në profesionalizimin e administratës shtetërore, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të realizohet arsimimi i tyre adekuat.
Autor: Fatos Musliu
Redaktoi: Angjelina Verbica