Turqi - Qeveria e gatshme të ndeshet me të gjithë kundërshtarët
2 Korrik 2008Lajmi jehoi si një bombë: Në Ankara u arrestuan të martën nën akuzën për anëtarësi në një organizatë sekrete ultranacionaliste dy ish - gjeneralë, një gazetar dhe kryetari i Dhomës tregtare të qytetit. Për këtë rrjet, i cili mban emrin sipas vendlindjes mitologjike turke, Ergenekon, thuhet se ka përgatitur rrëzimin e dhunshëm të qeverisë. Ata akuzohen edhe për vrasjen e një prifti italian dhe gazetarit armen, Hrant Dink. Sipas aktuakuzës, rrjeti planifikonte edhe vrasjen e shkrimtarit Orhan Pamuk dhe politikanes kurde, Leyla Zana.
Që në fillim të vitit ka pasur dhe arrestime të tjera të anëtarëve të Ergenekonit. Në afërsi të Stambollit është zbuluar edhe një vend me armë. Opozita pohon se qëllimi i Erdoganit është që t'u mbyllë gojën kritikëve. Të arrestuarit shpesh janë deklaruar për ndalimin e Partisë për drejtësi dhe zhvillim, AKP, e cila është në pushtet. Rastësi apo jo, por arrestimi u bë pikërisht në ditën e fjalës përmbyllëse të prokurorisë në procesin për ndalimin e kësaj partie. Gjykata kushtetuese edhe një herë ka theksuar rreziqet që sjell AKP-ja për ndarjen e shtetit nga feja. Me këtë shpjegim kërkon edhe ndalimin e saj. Argumenti kryesor i Gjykatës është synimi i partisë që të kthejë shaminë e kokës edhe në universitete. Kryprokurori pohon se AKP-ja ka lidhje madje edhe me rrjetin terrorist të Al Kaidës, mirëpo nuk paraqiti ndonjë argument konkret për këto supozime.
Të enjten fjalën përmbyllëse para Gjykatës kushtetuese do të paraqesin edhe përfaqësuesit e AKP-së. Ma arrestimet e ditës së martë, pushteti e ka bërë shumë të qartë se është i vendosur që të përballet me të gjithë kundërshtarët.