1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turbullira të forta në Samara - nuk ka afrim në çështjet e diskutueshme në samitin BE/Rusi

Horst Kläuser19 Maj 2007

'Probleme të akumuluara' duhet të trajtoheshin në samitin Bashkimi Evropian - Rusi, pranoi kancelarja Angela Merkel në Samara.

https://p.dw.com/p/Ar82
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti rus Vladimir Putin gjatë takimit
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti rus Vladimir Putin gjatë takimitFotografi: AP

Siç edhe pritej, ajo dhe presidenti Vladimir Putin nuk mundën të paraqisnin zgjidhje për to. Në vend të kësaj shkëmbimi verbal, publik lidhur me trajtimin e kritikëve tregoi se sa e tendosur është atmosfera midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian.

Papritur në temë kryesore të takimit u kthye një tjetër. Gjatë një konference shtypi të karakterizuar nga një intensitet i pazakontë me sa duket u çlirua zemërimi i grumbulluar për deficitet e demokracisë ruse dhe për përjashtimin nga Moska të anëtares së Bashkimit Evropian, Polonisë. Merkel shprehu këtu 'shqetësimin' për pengimin e udhëheqësve të opozitës për të marrë pjesë në një demonstratë të planifikuar në qytetin buzë Vollgës. Një referim i drejtpërdrejtë për ndalimin në aeroportin e Moskës të udhëheqësit të opozitës, ish-kampionit të botës në shah Garri Kasparov, autorit Eduard Limonov, veprimtarit për të drejtat e njeriut Lev Ponomarjov dhe të kritikëve të tjerë të qeverisë.

Putin u përgjigj se nuk e shqetësojnë demonstratat në kuadër të ligjeve, por se masa parandaluese merren edhe në vende të tjera - duke nënkuptuar bastisjet kundër kundërshtarëve të G8-ës në Hamburg. Lidhur me këtë Merkel tha:

"Kam mirëkuptim të plotë për arrestimin e demonstruesve kur ata përdorin dhunë, kanë gurë apo armë. E drejta për demonstrin nuk do të thotë të vësh në pikëpyetje monopolin e shtetit për përdorimin e dhunës. Por kur nuk bën asgjë dhe je vetëm duke shkuar në një demonstratë, atëherë kjo për mua është diçka tjetër."

Putin reagoi emocionalisht ndaj pyetjeve lidhur me vrasjet e gazetares Anna Politkovskaja dhe ish-spiunit Alexander Litvinenko dhe sesi përputheshin këto me dëshirën për partneritet strategjik me Bashkimin Evropian. Ai tha se vrasjet janë çështje e drejtësisë dhe se partneriteti me SHBA nuk vihet nëpikëpyetje megjithëse atje ekzistojnë problemet e Guantanamos dhe të dënimit me vdekje.