Trazirat në Afganistan | Studimi në Gjermani | DW | 30.05.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Trazirat në Afganistan

Aksidenti rrugor i shkaktuar prej trupave të SHBA-së në Kabul provokoi trazirat më të rënda në Afganistan qysh pas rrëzimit të regjimit të Talibanëve në fund të vitit 2001. Kjo është një ndër temat më të komentuara në shtypin e sotëm gjerman.

Gazeta "Landeszeitung" e Lyneburgut konstaton: "Në vështrim të parë Perëndimi ka dështuar. Ndihmat disa miliardëshe për rindërtimin janë firuar. Vëmendja kryesore ka qenë e përqëndruar tek Iraku. Por në një vështrim i dytë e kupton se qysh në fillim Perëndimi është strapacuar. Eshtë një arësye e pakuptimtë të pretendosh që Afganistani si shtet shumëkombësh të shndërrohet në një fanar të demokracisë. Vetëm një herë në të shkuarën kanë qenë në unanimitet uzbekistansati, shiitët, pashtutë, taxhikistanasit dhe talibanët: e kjo vetëm për të dëbuar pushtuesit sovjetikë. Ndërsa tani lordët e luftës janë në unanimitet vetëm për ta ndalur Perëndimin në iniciativën e tij që të imponojë demokracinë në një vend të krijuar prej egoizmave të fiseve", shkruan "Landeszeitung".

Komentatori i "Märkische Oder Zeitung" që del në Frankfurt mbi Oder me tone skeptike shkruan: "Ndërkohë rrezikohet i gjithë misioni ndërkombëtar, që synonte të sjellë demokracinë dhe mirëqënien, por që gjithnjë e më shumë po devijon në kaos. Zotërit e luftës dhe mafia e opiumit janë vënë në lëvizje, ndërsa në Berlin ende përcillet imazhi, se çlirimi i Afganistanit është vetëm çështje kohe. Kështu si po rrjedhin ngjarjet tani, koha ka kaluar", vëren "Märkische Oder zeitung".

E përditshmja që del në Berlin "Neues Deutschland" heq një paralele me gjendjen në Irak: "Nën hijen e situatës katastrofale në Irak çorientohet edhe gjendja e paqëndrueshme në Afganistan. Gjithnjë e më shumë hidhen në veprim atentatorët kamikacë dhe qysh prej javësh janë intensifikuar sulmet e Talibanëve në Jug të vendit. Si përgjigje SHBA nisin sërish bombardimet dhe pasoja janë të famshmet "dëme kolaterale". Qytetari i thjeshtë edhe pas pesë vjetësh të rrëzimit të Talibanëve ndodhet sërish në një luftë të vazhdueshme", nënvizon "Neues Deutschland".

Gazeta "Braunschweiger Zeitung" shkruan: "Trazirat në Kabul janë një sinjal edhe për bundesverin, ushtrinë gjermane. Sigurisht që ka një miqësi disa dhjetëra vjeçare gjermano-afgane. Por kjo nuk ofron mbrojtje prej dhunës dhe urrejtjes. Refuzimi ndaj ushtarëve të huaj në rast të acarimit të konfliktit amerikano-afgan i prek të gjithë të huajt. Do të ishte po aq pakujdesi sa edhe e rrezikshme që t´i referohesh marrëdhënieve tradicionalisht të mira me Gjermaninë duke mbivlerësuar veten me një rol të posaçëm. Të qenit i vëmendshëm presupozon edhe që të peshohen mendimet për tërheqjen e trupave nga Afganistani. Peshimi i rreziqeve dhe i përgjegjësisë për ushtarët janë të lidhura në mënyrë të pandashme me misionin në malësitë e Hindukushit", komenton "Braunschweiger Zeitung".

Ndërsa komentatori i "Neue Osnabrücker Zeitung" është i mendimit, se në gjendjen që ndodhet Afganistani duhet të shtohen trupat ndërkombëtare të paqes: "Trazirat më të rënda në Kabul qysh pas rëzimit të Talibanëve janë një sinjal i përgjakshëm paralajmërues, se lufta për të ardhmen e Afganistanit nuk është fituar. Nëse SHBA, BE-ja dhe OKB-ja nuk reagojnë me zgjuarsi ndaj revanshit të islamistëve, atëherë atyre do t´u dalë edhe më shumë prej duarsh kontrolli ndaj këtij vendi. Përforcimi i ndjeshëm i trupave të dobësuara të paqes është urgjentisht i nevojshëm, për t´u prerë rrugët pakistaneze te furnizimit Talibanëve. Gjithashtu duhet edhe një koncept për rindërtimin, që pas luftës civile disa dhjetëra vjeçare është mjaft i vështirë. Miliardat e ndihmave deri tani s´kanë mundur të shmangin as problemin e energjisë në Kabul. E pra ku kanë shkuar gjithë këto para?", shtron pyetjen Neue Osnabrücker Zeitung".

Në të përditshmen "Flensburger Tageblatt" lexojmë: "Trazirat në Kabul janë shprehje e pakënaqësisë në rritje. Kryeqyteti i fryrë edhe nga kthimi i refugjatëve, mendohet se deri tani janë kthyer rreth pesë milionë syresh, është shndërruar në një metropol të kundërshtive. Nga njëra anë investohet për vilat private dhe qendrat moderne tregtare, nga ana tjetër gëlojnë nëpunësit e korruptuar dhe varfëria e pafund. Misioni ndërkombëtar në Afganistan ndodhet në udhëkryq. Bashkësia ndërkombëtare duhet të shmangë humbjen e besimit, në rast të kundërt ajo do të çojë ujë në mullirin e islamistëve. Tërheqja nga Afganistani nuk mund të jetë zgjidhje. Një hap i tillë do të ishte si kapitullim përpara terrorit", thekson "Flensburger Tageblatt".

  • Data 30.05.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arph
  • Data 30.05.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arph