Tiranë: Nisin të ndahen çertifikatat në mënyrë dixhitale
14 Gusht 2008Në njërën nga njësitë administrative të kryeqytetit kanë nisur pasditen e së enjtes të shpërndahen çertifikatat e përgatitura në mënyrë dixhitale. Pikërisht ky duket momenti kur zyrat e gjendjes civile ndahen përgjithmonë nga shkrimi manual i çertikatave dhe nga rregjistrat në gjendje tejet të amortizuar.
Për kryeministrin Sali Berisha dixhitalizimi është një proces mjaft i rëndësishëm, që ka efekt të drejtëpërdrejtë tek qytetarët dhe tek besueshmëria e dokumenteve të tilla. Sipas tij nuk do të jetë e largët dita kur një qytetar shqiptar "nga banesa e tij do të printojë një dokument të tillë".
Por përfaqësuesit e delegacionit të Komisionit Europian, Hubert Petit dhe shefit të Prezencës së OSBE-së Robert Bosch, pjesmarrësit në këtë aktivitet kanë gjetur rastin t'i kërkojnë autoriteteve që të përshpejtohet "procesi i përgatitjes dhe shpërndarjes së kartave të identitetit", angazhim, që sipas tyre, "duhet të përfundojë para zgjedhjeve të vitit 2009".
Pajisja e shtetasve me çerfitikata në varinatin e printimit elektronik nuk do të jetë vetëm favor për banorët e kryeqytetit. Brenda një kohe të shkurtër sistemi i të dhënave dixhitale do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit.