1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

060109 USA Wirtschaft Obama

Jens Borchers7 Janar 2009

Presidenti i ardhshëm, Barak Obama prej javësh përsërit: nevojitet një paketë e madhe koniunkturore për të rimëkëmbur ekonominë amerikane të goditur rëndë. Po si paraqitet bashkëpunimi mes republikanëve dhe demokratëve?

https://p.dw.com/p/GTSo
Presidenti i zgjedhur, Barak ObamaFotografi: AP

Fillimisht ishte fjala vetëm për shumë, shumë miliarda që shteti do t'i shpenzojë për shtrim rrugësh, për politikë energjetike dhe për rinovime shkollash. Tani, nën trysninë e republikanëve, bëhet fjalë edhe për lehtësime fiskale. "Më e rëndësishmja tani është që të stabilizohet pacienti." Pacienti është ekonomia amerikane. Brenda dy javësh Barak Obama do të jetë edhe zyrtarisht mjeku trajtues. Deri tani receta e tij parashikonte para së gjithash një gjë: Shteti duhet të shpenzojë shumë para që ekonomia të rifuqizohet. Tani shtohet një element i ri: Shteti duhet edhe të mbledhë më pak para, pra të vjelë më pak taksa. Këtë kërkon Partia Republikane. Ajo arsyeton kështu: Lehtësimet fiskale janë mjeti i duhur, sepse atëherë sipërmarrësit krijojnë vende pune. Miç Mëkonëll, udhëheqësi i republikanëve në senat: "Republikanët mendojnë se lehtësimet fiskale janë një rrugë e mirë për të kaluar shpejt para tek njerëzit. Për shembull mund të ulej tatimi mbi të ardhurat nga tani 25 në 15 për qind."

US Kongress zur Finanzkrise in Washington Vorsitzender Chris Dodd
Senatorë amerikanë pas diskutimeve për krizën ekonomike, dhjetor 2008Fotografi: AP

Demokratët nuk janë kundër propozimit republikan

Lehtësimet fiskale janë një fjalë magjike për republikanët, me anë të saj paketa koniunkturore mund t'u shitet më lehtë shtresave të zgjedhësve konservatorë. Me sa duket ekspertët rreth Barak Obamës duan ta pranojnë këtë. Për këtë qëllim për paketën e planifikuar koniunkturore mund të shpenzohen deri 300 miliardë dollarë. Pjesërisht për sipërmarrje, pjesërisht për të ardhura private.

Barak Obama gjendet që tani nën trysni. Ai dëshiron ta zbatojë mundësisht shpejt planin e vet. Për të është e qartë që shumë amerikanë presin veprime konkrete prej qeverisë së tij dhe kjo në një kohë që ajo nuk është ende zyrtarisht në detyrë. Ditët e fundit Obama foli në Kongres me politikanë drejtues demokratë dhe republikanë mbi paketën e vet koniunkturore. Ai do që ky program të fitojë mbështetje mbarëpartiake dhe që të realizohet shpejt: Obama: "Ne parashikojmë që deri në fund të janarit ose në fillim të shkurtit të kemi realizuar pjesën më të madhe të projektit."

Do ta mbështesin republikanët Obamën?

Në këtë mënyrë është e qartë, që objektivi fillestar për ta nënshkruar paketën koniunkturore praktikisht fill pas bërjes së betimit më 20 janar, nuk do të arrihet. Barak Obamës i duhet të kërkojë një rrugë në xhunglën politike të Kongresit ende pa marë detyrën. Duan vërtet republikanët ta mbështesin projektin apo mos duan ta paraqesin Obamën si peshë të lehtë? Si dikë që nuk arrin t'i mbajë premtimet e veta zgjedhore bombastike? Barak Obama përsërit vazhdimisht: "Unë pres që ju të ndieni të njëjtën urgjencë si unë, që të veprojmë shpejt. Amerikanët kanë nevojë që të veprohet tani."

Symbolbild Wirtschaft USA
Ekonomia amerikane - Pamje simbolikeFotografi: AP

Republikani Miç Mëkonëll (Mitch McConnell) duket sikur nuk e ka me kaq nxitim. Senatori paralajmëron: "Mua më shqetëson nxitimi me të cilin mund të bëhet kjo. Bëhet fjalë për një paketë shumë të madhe e cila mund t'u afrohet shpenzimeve prej një bilion dollarësh. A duam ta bëjmë këtë pa konsultë ekspertësh, pa pjesëmarrjen e senatorëve republikanë që përfaqësojnë gjysmën e popullit amerikan?"

Konsulta ekspertësh: këto mund të zgjasin. Pjesëmarrja e senatorëve gjithashtu. Me sa duket Obama po përpiqet të arrijë shumë njëherësh: një paketë të shpejtë koniunkturore, por jo orgji të pakontrolluar shpenzimesh. Mbështetje mbarëpartiake, por jo përkulje para kërkesave të republikanëve. Veç kësaj të përgatisë një paketë që para së gjithash hap së paku rrugën në sektorin e energjetikës dhe në sistemin shëndetësor, nuk shpenzon para vetëm në planin afatshkurtër. Është prova e parë e madhe për Obamën, dhe ai e di këtë.