1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tension dhe papajtueshmëri mes shqiptarëve dhe serbëve: Zgjedhjet në veri të Mitrovicës

31 Maj 2010

Në veri të Mitrovicës të dielën u mbajtën në një situatë të tensionuar zgjedhjet lokale. Autoritetet në Prishtinë nuk do t'i njohin këto zgjedhje, ndërsa palës serbe nuk i intereson qëndrimi i Prishtinës.

https://p.dw.com/p/NdXv
MitrovicaFotografi: Filip Slavkovic

Për disa orë forca të mëdha të policisë së Kosovës dhe ato të trupave të KFOR-it, bllokuan gjatë ditës së dielë urën qëndrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të shmangur një përplasje ndërmjet shqiptarëve edhe serbëve. E gjithë kjo ndodhi gjatë kohës kur në veri të Mitrovicës zhvilloheshin zgjedhjet lokale të organizuara nga Serbia, ndërsa, në jug të qytetit shqiptarët protestonin kundër këtyre zgjedhjeve. Një grup serbësh dhe një grup shqiptarësh u nisën në drejtim të njëri tjetrit duke hedhur gurë dhe sende të forta.

Intervenim i trupave të KFOR-it

Policia e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse u vendosën në mes të dy grupeve dhe përdorën gazin lotsjellës për të shpërndarë turmat dhe për të shmangur një përplasje të drejpërdrejtë. Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, tha se ishte i nevojshëm intervenimi i trupave të KFOR-it. Hoti: “Për të parandaluar një të keqe më të madhe, duke marrë parasysh se një numër i madh i qytetarëve nga të dyja anët e qytetit ishin tubuar aty, natyrisht u desht intervenimi edhe i forcave paqeruajtëse.”

Kosovo KFOR NATO-Friedenstruppe Obilic
Trupat e KFOR-it në Kosovë gjatë patrullimitFotografi: AP

Organizatorët e protestave në jug të Lumit Ibër, ishin shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së. Xhavit Jashari, njëri nga organizatorët, thotë se protestat kanë për qëllim kundërshtimin e zgjedhjeve serbe në veri të Mitrovicës. Jashari: “Kjo protestë e jona është vetëm fillimi për ta bërë të plotë për ta ruajtur dhe për ta mbrojtur sovranitetin e Kosovës.”

BE dhe Kosova nuk do t'i njohin zgjedhjet në veriun e Mitrovicës

Në krye të grupit të serbëve mbi urën e lumit Ibër ditën e dielë doli ish-udhëheqësi i qendrës kordinuese serbe për

Kosovën, Nebojsha Joviq. Ai kërkoi nga forcat paqeruajtëse që shqiptarët të largohen dhe t'i lënë serbët të votojnë. Joviq: “Duam që çdo gjë të zhvillohet në mënyrë të qetë. Vetëm se ata duhet të largohen. Ne nuk duam të shkojmë askund, ne po votojmë. Por nëse ata qëndrojnë aty edhe ne do të qëndrojmë këtu. Prandaj ata duhet të largohen."

Situata pas disa orësh u qetësua dhe të dyja grupet ato shqiptare dhe serbe u shpërndanë dhe nuk u njoftua për ndonjë person të lënduar. Megjithkëtë, zgjedhjet lokale të organizuara nga Serbia u zhvilluan në veri të Mitrovicës dhe në Novobërd në qendër të Kosovës. Në garë ishin 13 subjekte politike serbe. Këto zgjedhje u kundërshtuan nga autoritetet e Kosovës dhe misioni i BE-së, të cilat thanë se ato nuk do të prodhojnë kurrfarë efekti juridik, duke paralajmëruar se së shpejti qeveria e Kosovës do t'i organizojë zgjedhjet në veri të Mitrovicës, ashtu siç parashihet në pakon e Marti Ahtisarit.

Njëri nga kandidatët për kryetar të komunës paralele serbe të veriut të Mitrovicës, Oliver Ivanoviq, thotë se atij nuk i intereson nëse këto zgjedhje do të njihen nga autoritetet ndërkombëtare apo jo. Ivanoviq: “Ky proces zgjedhor po zhvillohet në një situatë tejet të tensionuar, sepse është investuar shumë në të dhe partitë e mëdha në Serbi e vlerësojnë këtë fakt.” Ivanoviq shprehet se serbët e veriut do të përfaqësohen nga të zgjedhurit e tyre dhe jo nga personat që emëroheshin nga misionet ndërkombëtare siç ishte praktikuar në të kaluarën.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi