Temat: Tregu i punës në Gjermani; referendumi mbi kushtetutën e BE-së në Francë; vizita e presidentit rus Putin në Izrael | Studimi në Gjermani | DW | 29.04.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Temat: Tregu i punës në Gjermani; referendumi mbi kushtetutën e BE-së në Francë; vizita e presidentit rus Putin në Izrael

Gazetat gjermane trajtojnë sot gjerësisht problematikën e tregut të punës në Gjermani ku numri i të papunëve ka zbritur nën kufirin prej 5 milionësh. Tema të tjera janë referendimi në Francë mbi kushtetutën e Bashkimit Evropian dhe vizita e presidentit rus Putin në Izrael.

Gazeta berlineze "Berliner Zeitung" mbi gjendjen në tregun e punës në Gjermani shkruan:"Hovi i madh i pritur në tregun e punës është bërë tashmë e qartë se nuk do të ndodhë më këtë vit. Në rastin më të mirë do të ketë disa përmirësime që kanë të bëjnë para së gjithash me ndryshimin e stinëve. Në pranverë bëhen më shumë ndërtime, në vjeshtë pas pushimeve të verës firmat kanë nevojë për më shumë krahë pune. Natyrisht politikanët, e kryesisht ata që kanë përgjegjësinë qeverisëse, e kanë për detyrë të përhapin optimizëm. Tregu i punës është drejt përmirësimit, premton ministri gjerman i ekonomisë Volfgang Klement. Por lind pyetja se kur do të ndihet ky përmirësim nga ata që kërkojnë punë në agjensitë e ndërmjetësimit apo nëpër firma të ndryshme."

Ndërsa në të përditshmen e Këlnit "Kölner Stadt Anzeiger" mbi të njëjtën temë lexojmë:"Gjendja në tregun e punës duhet të jetë vërtet e mjerueshme nëse krejt papritur hyn në lojë psikologjia e numrave. Një shifër që është vetëm pak më poshtë kufirit prej 5 milionësh propagandohet nga qeveria si pishtar i shpresës. Fakt mbetet që Gjermania edhe më tej gjendet në një dilemë të shumëfishtë: investohet shumë pak, konsumohet shumë pak dhe kemi një qeveri që lëkundet mes synimeve për modernizim dhe kritikës ndaj kapitalizmit."

E përditshmja nga Mynihu "Tageszeitung" e vlerëson kështu referendumin për kushtetutën e BE-së në Francë:"Kushtetuta e Bashkimit Evropian kërcënon të kthehet në mollë sherri për Evropën. Nëse shumica e qytetarëve francezë dhe hollandezë i thonë jo kushtetutës së BE-së, siç thonë sondazhet e fundit,nuk bëhet fjalë dhe aq për refuzim të përmbajtjes së ligjit themelor të BE-së. Kjo do të tregonte se mendimi për BE-në dikur aq tërheqës ka humbur shkëlqimin e tij të mëparshëm. Dikur Europa përfaqësonte një ide të bukur, bashkimin paqësor të armiqve të betuar të dikurshëm, krijimin e mirëqënies për të gjithë dhe pasurim përmes kulturës së fqinjëve. Kush flet sot për Bashkimin Evropian ka parasyh një kaos burokratik ose konkurrencën e padrejtë të pagave të ulëta. Do të ishte fatale nëse pas një "Jo"-je të francezëve votimi të përsëritej aq shpesh sa rezultati të humbasë vlerën. Një veto e anëtarëve themelues të Bashkësisë Monetare Evropiane, Hollandës dhe Francës do të ishte një shenjë alarmuese që do të tregonte se Evropa me zgjerimin në Lindje ka marrë përsipër diçka që tejkalon fuqitë e saj dhe se qytetarët e saj dëshirojnë më pak dhe jo më shumë Bruksel."

Mbi të njëjtën temë gazeta "Süddeutsche Zeitung" shkruan:"Ndërkohë që kontintenti ka kthyer sytë me ankth drejt Francës dhe rezultatit atje të referendumit mbi kushtetutën e BE-së kryeministri britanik Blair sillet sikur kjo kushtetutë të mos kishte të bënte aspak me të. Dhe partia e tij nuk dëshiron aspak të shqiptojë fjalën Evropë pasi e dinë se megjithë rezistencën politike ndaj saj fati ekonomik dhe politik i ishullit është prej kohësh i lidhur me kontinentin dhe vendimin në Francë. Partia laburiste e sheh qartë potencialin ndarës që mbart Europa për elektoratin e saj dhe i largohet vendimit. Blair tani sinjalizon se ai nuk do të mbajë aspak një referendum në vendin e tij nëse ai do të dështojë në Francë. Kjo burracakëri e shprehur qartë e shoqëruar me qëndrimin në pozita defensive të konservatorëve në opozitë paraqet një pamje të mjerë: situata në Europë qoftë kjo në Britaninë e Madhe, Francë apo Gjermani është për të ardhur keq."

Gazeta "Nürnberger Zeitung" mbi vizitën e presidentit rus në Izrael:"Për të arritur një paraqitje sa më të mirë në Jeruzalem Putin siguroi se do të bashkëpunojë më shumë me Izraelin në luftën kundër terrorizmit. Dhe sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme në bisedën e parë me mikpritësit e tij izraelitë ai kthen mbrapsht në mënyrë demontrative gjatë vizitës së tij livrimin rus të raketave me rreze të gjatë veprimi Sirisë. Me siguri një farsë pasi ndryshe presidenti rus nuk do të kishte asnjë shans të vinte këmbën në Izrael. Megjithatë nuk mund të thuhet se këto i vlejtën: Jeruzalemi dhe njëkohësisht Uashingtoni nuk pranuan propozimin e tij për një takim të nivelit të lartë në Moskë mbi Lindjes e Mesme. Ata nuk dëshirojnë që Rusia t'u ndërhyjë në zanat."

  • Data 29.04.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arvl
  • Data 29.04.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arvl