1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Temat: Ministri i jashtëm gjerman Fisher përpara komisionit hetimor; Debati mbi kushtetutën e BE-së

1 Maj 2005

Në qendër të shtypit ndërkombëtar janë dëgjimi i ministrit të jashtëm gjerman Joshka Fisher përpara komisionit hetimor mbi skandalin e vizave si dhe debati mbi ratifikimin e kushtetutës evropiane

https://p.dw.com/p/Arvj

Gazeta zviceriane NEUE ZÜRCHER ZEITUNG lidhur me dëgjimin e ministrit të jashtëm gjerman Joshka Fisher nga komisioni hetimor për skandalin e vizave shkruan:
"Paraqitja e ministrit të jashtëm Fisher përpara komision hetimor parlamentar në Berlin të ashtuquajtur të vizave ishte ashtu siç pritej: sjellja e kujdesshme e një dëshmitari që zgjatet në hollësi të parëndësishme, pranon me keqardhje një pjesë të fajit dhe mbrohet me aftësi nga sulmet e reja të anëtarëve të veçantë të komisionit që dëgjonin me durim... Megjithëse paraqitja e Fisherit në media nuk ishte thuajse aspak e bindshme komisioni duket se nuk qëndronte në një lartësi sysh me të. Anëtarëve të tij u mungonte shumë përvoja në çështjet e politikës së jashtme dhe vepruan me shumë ngurrim në përpjekjen për të demaskuar arsyen e vërtetë të anomalive në Ministrinë e Jashtme. Duket qartë se puna e këtij komisioni këtej e tutje nuk do të tërheqë më shumë vëmendjen e opinionit."

Gazeta STANDART që del në Vjenë analizon:
"Që Fisher dëshiron dhe mesa duket aktualisht edhe do të qëndrojë në post nuk do të thotë që nuk janë bërë gabime shumë të rënda. Politikani gjerman deri para pak kohësh më popullor është i pazëvendësueshëm në kabinetin e kancelarit Shrëder. Nëse largohet ai i gjithë koalicioni do të lëkundej dhe Shrëder mund t'i thotë lamtumirë vazhdimit të aleancës kuq e gjelbër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Për këtë arsye për momentin duket se sjellja e gabuar e Fisherit nuk do të ketë pasoja. E megjithatë: edhe pse Fisher e hodhi pas marrjen në pyetje nga komisioni hetimor parlamentar dëmi politik mbetet."

Gazeta spanjolle EL PAIS hedh vështrimin në një tjetër aspekt:
"Skandali do të kishte shkaktuar më pak zhurmë nëse nuk do të koinçidonte me momentin e një papunësie të lartë në Gjermani. Vetëm pak gjermanë tregojnë mirëkuptim për faktin që disa mijëra emigrantë të paligjshëm në rradhët e të cilëve elementë të njohur të penalizuar, zënë vende pune në një vend që ka pesë milion të papunë. Fisher prej kohësh nuk është më ylli i ndritshëm në qiellin e politikës gjermane. Thelbi i skandalit është megjithatë një tjetër. Të gjelbrit gjermanë, partia ekologjiste me e fuqishme në glob, nuk janë në gjendje të kuptojnë se një politikë e kufijve të hapur mund të ketë pasoja shkatërrimtare edhe kur niset nga qëllime shumë të mira."

Po për këtë temë gazeta londineze DAILY TELEGRAHP vë në dukje:
"Emigracioni ka qenë gjithnjë një temë e nxehtë në Gjermani, por tani është bërë edhe më delikate pasi papunësia ka arritur nivelin më të lartë që prej përfundimit të luftës dhe punëtorët nga Lindja akuzohen gjithnjë e më shpesh se u marrin vendet e punës vendasve."

Kalojmë në një tjetër gazetë duke ndërruar edhe temë. Në debatin mbi kushtetutën e Bashkimit Evropian një vit pas zgjerimit në Lindje të Unionit gazeta hollandeze TROW konstaton:
"Një vit më pas bilanci i zgjerimit është pozitiv. Detyra më e madhe për 25 anëtarët e BE-së është tani të punojnë për vazhdimin e proçesit të integrimit. Zgjerimi i një viti më parë tërheq kandidatë të rinj. Frika prej kësaj është e gabuar por Unioni duhet megjithatë të shmangë një zgjerim aq të shpejtë sa do të bënte të pamundur thellimin e bashkëpunimit. Aktualisht nuk është e sigurtë nëse kushtetuta e re e BE-së do të ratifikohet në të gjitha vendet. Një "Jo" në një ose disa shtete anëtare nuk do të riparohej lehtë."

Dhe së fundi citojmë nga parizianija LE MONDE:
"Bashkimit Evropian punët i shkojnë keq pasi në pjesën më të madhe të shteteve anëtare mungon vullneti i vërtetë evropian. Një votë negative në Francë do ta forconte më tej këtë tendencë. Pikërisht ky është qëllimi i atyre që refuzojnë këtë formë të Evropës. Përkrahësit e kushtetutës së BE-së janë me të drejtë të shqetësuar kur mendojnë për atë që do të pasonte refuzimin e saj. Por ata do të ishin më bindës nëse do të shpjegonin se çfarë do të ndryshonte për Evropën me këtë kushtetutë."