Temat: Haradinaj në Hagë. Kina dhe çështja e Tajvanit. SHBA dhe kampi i Guantanamos | Studimi në Gjermani | DW | 15.03.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Temat: Haradinaj në Hagë. Kina dhe çështja e Tajvanit. SHBA dhe kampi i Guantanamos

Në shumë gazeta gjermane botohet sot lajmi lidhur me seancën e parë zhvilluar të hënën në Tribunalin e Hagës, ku ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe dy të bashkëakuzuarit e tjerë u njohën me akuzën dhe deklaruan se janë të pafajshëm. Gazeta "DIE WELT" shkruan: "Ramush Haradinaj e konsideroi veten përpara Tribunalit të Hagës të pafajshëm. Avokati i tij i kërkoi Tribunalit që klienti i tij të gjykohet në gjendje të lirë. (...) Ndër 37 pikat e akuzës janë përfshirë varsje, dëbime, keqtrajtime dhe përdhunime. Viktimat kanë qenë antarë të popullsisë së minoritetit serb, por edhe romë që janë dëbuar. Në aktakuzë bëhet fjalë edhe për vrasjen e kolaboratorëve. (...) "DIE WELT" vë në dukje gjithashtu, se po të hënën drejt Hagës u nis vullnetarisht edhe serbo-boshnjaku i akuzuar për krime lufte Gojko Jankovic. Ky i fundit ka qenë oficer i policisë ushtarake të serbëve të Bosnjes. Ai akuzohet për krime të kryera ndaj myslimanëve në qytetin boshnjak Foca."

Mjaft e mkomentuar në shtypin e Gjermanisë është sot çështja e Tajvanit pasi kongresi popullor në Kinë miratoi ligjin kundër shkëputjes së republikës ishull nga Kina. Nga komenti i "FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG" veçojmë: "Duket se as brezi i udhëheqësve të rinj nuk e ka kuptuar se çdo të thotë të rrespektosh vullnetin e popullit. "Bashkëatdhetarët" në Tajvan, për të cilët flet me aq kënaqësi kryeministri Ven Zhiabo, nuk duan që të bashkohen me republikën Popullore të Kinës, madje këtë ata nuk e duan as sipas modelit të Hongongut. Eshtë e rrezikshme nëse udhëheqja nuk e pranon këtë", vëren "FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG".

Mbi të njëjtën temë "HAMBURGER ABENDBLATT" shkruan: "Kina demonstron burrin e fortë. "Ligji kundër shkëputjes" i miratuar nga kongresi popullor, s´është gjë tjetër veçse fuqizim i kompetencave luftarake kundrejt Tajvanit. Por demonstrimi i pushtetit presupozon njëkohësisht edhe dobësi. Hendeku midis ideologjisë komuniste që zyrtarisht vazhdon të jetë në fuqi dhe kapitalizmit të karakterizuar prej korrupcionit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut, po thellohet gjithnjë e më shumë. Ata që brenda radhëve të BE-së mendojnë të shfuqizojnë në kohë të tilla embargon e armëve ndaj Kinës nisur nga interesat ekonomike, i shkelin me këmbë idealet e veta. Ata që mendojnë për një gjë të tillë i bëjnë lajka një regjimi diktatorial, injorojnë demokracinë e re dhe kontribuojnë në destabilizimin e mëtejshëm të një rajoni, që ka mjaft kokëçarje me Korenë e Veriut. Pa harruar këtu edhe thellimin e hendekut që ekziston mes Evropës dhe SHBA, që e konsiderojnë veten si fuqi mbrojtëse e Tajvanit", analizon "HAMBURGER ABENDBLATT".

Gazeta "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG" boton një koment lidhur me kampin e Guantanamos në bazën ushtarake të SHBA, ku mbahen në arrest të dyshuarit si terroristë: nën titullin "Sistemi i Guantanamos" në këtë artikull ndër të tjera shkruhet: "Guantanamo ndoshta mund të konsiderohej si një pakujdesi në librin e historisë së SHBA në qoftëse ky do të ishte një rast i vetëm. Por nuk është kështu. Guantanamo ka sistem. Ky kamp dëshmon për vendosmërinë e kësaj qeverie për t´iu shmangur detyrimeve ligjore. Në këtë frymë Uashingtoni rrëmben njerëz në mbarë botën dhe për arësye hetimesh i transferon ata nëpër të gjitha shtetet. Po në këtë frymë Uashingtoni u refuzon praninë e konsulentëve të huajve të dënuar me vdekje nëpër burgjet e SHBA, i shmanget Gjykatës Ndërkombëtare dhe lufton Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Po e njëjta gjë bëhet edhe kur qeveria harton memorandume, të cilat vënë në pikëpyetje ndalimin e torturave. Amerika ka një mal me merita në luftën për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Por qeveria e Bushit është duke e shembur këtë mal meritash në Guantanamo apo gjetkë. Kjo qeveri e ka ngritur sigurinë kombëtare në piedestalin e artë duke sakrifikuar për të dy thesarë të këtij vendi: të drejtën dhe moralin", komenton "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG".

  • Data 15.03.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArwK
  • Data 15.03.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArwK