1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takimi i G-5 në Firence - 5 Ministra të brendëshëm të BE-së konsultohen për problemin e emigracionit ilegal

Jërg Seizelberg17 Tetor 2004

Ministrat e brendshëm të të ashtuquajturit grupi i shteteve G-5 u takuan të djelën për konsultime dyditore në Firence. Ministrat e brendshëm të Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Spanjës po diskutojnë për cështjen e hapjes së një kampi për pritjen e refugjatëve në Veri të Afrikës. Ky propozim i ministrit gjerman të punëve të brendëshme Oto Shili mbështetet edhe nga homologu i tij italian Xhuzepe Pizanu. Franca dhe Spanja janë kundër këtij propozimi.

https://p.dw.com/p/ArG6
Urat e Firences
Urat e Firences

Çështja për të cilën diskutohet në Firence është: "Në të ardhmen ne mund ta realizojmë atë për të cilën kemi rënë dakord në kuadrin evropian, që të mbrohemi më me forcë nga emigracioni ilegal."

Kështu u shpreh ministri gjerman i punëve të brendëshme, Oto Shili, duke shtuar, se: "... ne mund ta paralandojmë rrezikun me të cilin përballen njerëzit, shumë prej tyre madje gjenë edhe vdekjen, duke u munduar të arrijnë ilegalisht në brigjet perëndimore."

Destinacioni i preferuar i njerëzve të barkave janë vendet e Mesdheut, kryesisht Italia. Por ministri Shili mendon, se ky
është një problem që duhet zgjidhur në kuadrin e BE-së, sepse në fund të fundit të gjitha këto vende janë të prekura. 80% e refugjatëve që zbarkojnë në Itali synojnë të vazhdojnë udhëtimin drejt vendeve të BE-së, për të jetuar atje në ilegalitet: "Një gjë e tillë sipas ministrit Shili, presupozon më shumë kriminalitet, më shumë punë në të zezë dhe më shumë kontrabandë droge."

Ministri gjerman nuk është i vetmi që mendon kështu në BE. Asnjëri prej kolegëve të tij nuk do të lejojë një emigracion të pafrenuar. Por duhet të bëhet dallimi mes refugjatëve të përndjekur dhe atyre që vijnë për qëllime ekonomike. Këta të fundit nuk mund të pranohen, sepse shoqëritë evropiane do të mbringarkoheshin, ky është mendimi i shprehur njëzëri nga ministrat e brendëshëm. Por mendimet ndahen lidhur me mënyrën se si duhet përballuar ky problem.

Oto Shili ka mbështetjen e homologut italian. Në grindjen për hapjen e nje kapmi refugjatësh në Veri të Afrikës Xhezepe Pizanu
është aleati më i ngushtë i ministrit gjerman. Por ka edhe ministra në Evropë, që nuk e konsiderojnë të drejtë idenë e Shilit. Dy prej tyre të ulur në tryezën e konsultimeve në Firence janë francezi Dominik de Villepë dhe spanjolli Hoze Antonio Alonso.

Franca ka frikë, se ndër të tjera kampi i refugjatëve në Veri të Afrikës mund të shndërrohet në praktikë në një pikë tranziti të kontrabandës me njerëz. Dhjetra mijëra, mund të mbërrijnë në pikat e pranimit. Dhjetra mijëra të tjerë që mund të refuzohen do të hasin në portat e kampit kontrabandistët, që u premtojnë atyre rrugë të tjera drejt Evropës së dëshiruar.

Shili dhe Pizanu argumentojnë, se përkundrazi kampet e refugjatëve në Veri të Afrikës do të ndihmojnë në luftën kundër emigracionit ilegal. Ata shpresojnë, që kur njerëzit të sqarohen që në tokën afrikane, se nuk kanë asnjë shpresë për të fituar të drejtën e azilit në Evropë, do të stepen dhe nuk do të ndërmarrin udhëtimin me rrezik për jetën përmes detit Mesdhe.

Ministri Shili ende ka shpresë që edhe Franca e Spanja ta pranojnë idenë e tij. Gjatë konsultimeve të së hënës në Firence qëllimi i vetëm i ministrit gjerman është që të gjejë mbështetje për propozimin e vet.