Të studiosh në fortesë! | Evropa | DW | 14.04.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Të studiosh në fortesë!

Në qytetin kufitar Komarno fillon së shpejti punën universiteti i parë për hungarezët e Sllovakisë

Kryeqyteti sllovak Bratislava mbi lumin Danub

Kryeqyteti sllovak Bratislava mbi lumin Danub

Në Komarno në jug të Sllovakisë së shpejti do të hapë dyert për herë të parë universiteti i parë hungarez në Republikën Sllovake. Ai do të shërbejë si një urë komunikimi mes pakicës hungareze dhe shumicës në vend dhe pritet të eliminojë ndryshimet në arsimim mes dy grupeve të popullsisë. Universiteti do të jetë njëkohësisht edhe shprehje e politikës së ndryshuar për pakicat në republikën më të re të Evropës.
Në panoramën e qytetin të bien në sy menjëherë kishat e shumta. Në një hapësirë të vogël njëra pranë tjetrës gjen në të shtëpitë e Zotit të të krishterëve katolikë dhe protestantë, të reformistëve dhe ortodoksëve serbë. Në të gjen madje edhe një sinagogë.
Një pamje monumentale për një qytet me 38.000 banorë dhe qendër të vogël të rinovuar ofrojnë kullat e gurta mbrojtëse përreth qytetit. Një pjesë e tyre janë ndërtuar qysh në Mesjetë, më pas ato janë zgjeruar pas lëkundjeve të tokës. Komarno që në hungarisht shqiptohet Komarom është një nga qytetet më të vjetra në Sllovaki në mes të një panorame pjellore me bashkimin e lumenjve Danub dhe Vagë. Drithëra, perime dhe fruta kultivohen në këtë luginë.

Deri në kthesën e vitit 1989 në një pjesë të kullave mbrojtëse ishin të vendosura trupat pushtuese ruse. Më vonë një pjesë e tyre u mor nga ushtria sllovake. Por edhe ajo është larguar tashmë. Së shpejti në ndërtimet e gurta do të vendosen banorë të rinj: duke filluar nga viti i ri shkollor do të fillojë nga puna universiteti i parë hungarez në Sllovaki. "Po është më mirë që do të kemi mundësi të kryejmë këtu studimet në hungarisht" - kështu shprehet Anxhela 19-vjeçare. Ajo është hungareze dhe këtë vit mbaron maturën. Gjuhën vendase, sllovake ajo e flet me një akcent të lehtë hungarez por megjithatë rrjedhshëm. Në jug dhe lindje të Sllovakisë jetojnë rreth 500.000 hungarezë ose 10% e popullsisë. Rajoni prej shekujsh ka qenë zonë e vendbanimeve hungareze. Mësuesi i matematikës i Anxhelës, Ferenc Pitzek thotë me krenari: "Hungarezët që jetojnë këtu janë në shtëpinë e tyre. Edhe stërgjyshërit e tyre kanë jetuar gjithmonë këtu."
Pas Luftës së Parë Botërore dhe shpërbërjes së monarkisë austro-hungareze më 1918 kur Hungaria u bë në fakt e pavarur por ndjeshëm më e vogël brenda kufijve të rinj hungarezët vendas u bënë fillimisht shtetas çekosllovakë e pas vitit 1993 sllovakë. Ata nuk kanë jetuar gjithnjë në harmoni të plotë me shumicën sllovake e cila në Komarno përbën vetëm një të tretën e banorëve.
Por në Komarno nuk gjen armiqësi reciproke thotë mësuesi i matematikës Pitzek. Mëritë ndeshen më tepër në zona ku mungojnë eksperiencat direkte me etninë tjetër. Vetë Pitzek nuk ka inate të brenshme: "80 vjetë ndarje nga Hungaria bënë që ne të jemi më tolerantë se shumica e popullsisë këtu" - thotë ai.
Veçanërisht në mes të viteve '90 nën qeverisjen e Vladimir Meçiar në Sllovaki pati beteja të ashpra për njohjen e të drejtave të pakicave të hungarezëve në Sllovaki. Madje nga Brukseli mbërritën në kryeqytetin Bratislavë thirrje për respektimin e standarteve evropiane si psh mbishkrimet në dy gjuhë në tabelat me emrat e vendeve.
Sot partia hungareze SMK është e përfaqësuar me shumë ministra në qeverinë sllovake. Sekretari i shtetit pranë ministrisë së arsimit Lazlo Szigeti është vetë hungarez: "Që prej vitit 1998 - thotë Szigeti - me fillimin e mandatit të qeverisë së re, gjendja e hungarezëve është përmirësuar vazhdimisht."
Maturantja Anxhela nuk ndihet në asnjë mënyrë e diskriminuar.
"Aspak. Nuk ka asgjë që të më bëjë të ndihem pjesë e një pakice ose që nuk trajtohem ashtu si sllovakët"-thotë ajo.
Themelimi i universitetit të parë hungarez në Komarno është kështu sukses i politikës për pakicat të ndjekur nga qeveria sllovake e qendrës së djathtë. Nëse gjithçka shkon mirë pra kur të zgjidhen edhe disa çështje ende të hapura administrative dhe teknike, nga 1 shtatori 2004 gjithsej 300 studentë do të mund të nisin studimet në fakultetet e ekonomisë dhe manaxhimit, pedagogjikës dhe teologjisë. Universiteti i 25-të në një vend me 5,5 milionë banorë financohet nga buxheti i shtetit por mbështetje vjen edhe nga jashtë. Në fakt qeveria hungereze në Budapest tërhoqi mbrapsht një pjesë të konsiderueshme të shumës së premtuar pasi kursi i shkurtimit të shpenzimeve i ndjekur prej saj vlen edhe për masat mbështetëse për hungarezët etnikë në shtetet fqinjë. Megjithatë kjo nuk është diçka thelbësore mendon sekretari i shtetit Szigeti. Ai mendon se dëshirat e hungarezëve sllovakë janë përmbushur plotësisht:" Mendoj se me themelimin e universitetit do të bëhet realitet ëndrra e pakicës hungareze: pra të sigurohet për fëmijët e tyre arsimimi në gjuhën hungareze që nga kopështi e deri në universitet."
Dhe Bela Bugar, kryetar i partisë së hungarezëve sllovakë shton: "Për ne është më mirë nëse nxënësit tanë frekuentojnë këtu shkollat fillore e të mesme e më pas mund edhe të kryejnë studimet e larta. Ndryshe do të duhej të shkonin në Hungari dhe aty do të harronin gjuhën sllovake dhe pas studimeve nuk do të riktheheshin në vend."
Anxhela nuk e di ende se cili do të jetë vendimi i saj: "Shumë vetë këtu dëshirojnë të studiojnë në Hungari në universitete të njohura. Unë ende nuk e di nëse do të qëndroj për të studiuar në institutin pedagogjik në Nitra apo nëse do të shkoj në Hungari" - thotë Anxhela.
Sidoqoftë ajo i gëzohet anëtarësimit të afërm në BE në të cilin Hungaria dhe Sllovakia do të hyjnë së bashku. Atëherë ajo do të ketë mundësi të udhëtojë kudo pa pengesa përmes kufijve. Njëri prej tyre, ai me Hungarinë, fillon në Komarno përpara urës së Danubit. Në anën tjetër, në Hungari, shtrihet Komarom, pjesa jugore më e vogël e qytetit. Duke filluar nga 1 maji i ardhshëm edhe këtu diçka thelbësore do të ndryshojë. Për udhëtime do të jetë i mjaftueshëm vetëm letërnjoftimi: "Askush nuk do të kontrollojë më sa do të qëndroj dhe kur do të kthehem - thotë Anxhela. Më në fund do të jetë gjithçka sikur të ishim një vend i vetëm dhe unë do të kaloj kufirin kur të kem dëshirë."

  • Data 14.04.2004
  • Autor Vladimir Müller
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHe
  • Data 14.04.2004
  • Autor Vladimir Müller
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHe