Të martën votohet në Ohio
3 Mars 2008"Duhet të nxirren ligje të reja, me të cilat do të rregullohej fushëveprimi i ndërtimtarëve, përllogaritja e kostove, çmimet e trojeve dhe gjëra të tjera."
Joi Beacham mendon se ligje të tilla mund të sigurojë Barack Obama. Prandaj ka vendosur të punojë vullnetarisht në shtabin e tij zgjedhor në kryeqytetin e Ohajos, Kolumbo.
"Me të vërtetë është dëshpruese, sepse ne jemi njerëz të mirë dhe mundohemi sa mundemi, punojmë shumë", thotë ajo.
Megjithatë nuk mjaftoi: shtëpia e blerë para tre vitesh e Joi Beacham dhe familjes së saj, është shitur me dhunë. Ata jetojnë tani me qira në një banesë të vogël. Joi mendonte se llogaritë e bëra prej bankave dhe shitësve të shtëpisë, ishte në rregull.
"Ne mund t'i strukturojmë financat tuaja në mënyrë që të mund të bleni shtëpinë. Ju jeni afro - amerikanë, ndërsa ne duam që sa më shumë të tillë të kenë shtëpitë e tyre dhe jo të banojnë me qira, thoshin ata. Edhe unë shpresoja realizimin e ëndërrës amerikane...", ankohet Joi.
Endërra e saj amerikane nënkuptonte pagesën e hipotekave në vlerë prej 1.100 dollarësh në muaj, për të cilën nuk e kishte njoftuar askush. Kur burri i Joit humbi punën, ata u përpoqën të shesin shtëpinë, por më kot. Shtëpia u hodh në shitje të dhunshme. Vullnetarët tjerë në shtabin e Obamës nuk dinë asgjë për këtë problem, sepse Joi turpërohet t'u tregojë. Paul Haggart, i cili udhëheqë një organizatë, që kujdeset për të dëmtuarit nga kriza e imobilieve, mendon se kjo është shumë tipike.
"Çështja e financave është punë private. Njerëzit nuk e dinë fare nëse duhet të flasin për këto gjëra. Ata kanë frikë të flasin me kredidhënësit. E kanë vështirë të kërkojnë ndihmë, në veçanti nëse nuk u besojnë bashkëbiseduesve", shpjegon ai.
Kriza në veçanti e ka goditur Clevelandin, qytetin e dytë më të madh në këtë shtet. Me lagje të tëra janë shitur me dhunë. Joi e ka shumë të vështirë të jetojë në banesën e tanishme të vogël. Ajo shpreson se me fitoren e Obamës do të zgjidhen më lehtë problemet e tyre.
"Ato që Obamën e bëjnë të veçantë janë vizioni dhe vendosmëria për realizimin e qëllimeve. Ai e shfrytëzon shpresën si mjet për ndryshimin e gjërave. Prandaj në fushatën e tij janë përfshirë të gjithë: njerëz të rinjë, të vjetër, të zi dhe të bardhë. Të gjithë ata punojnë së bashku sepse shpresojnë një të ardhme më të mirë."