1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Strukturat paralele në Veri trajtohen me dallime

29 Shtator 2010

Përfaqësues të qeverisë së Kosovës thonë se janë të vendosur në zbatimin e strategjisë për integrimin e veriut të Kosovës. Kjo strategji synon në radhë të parë mënjanimin e strukturave paralele.

https://p.dw.com/p/PPv2
Ura që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut nuk i bashkon komunitetet
Ura që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut nuk i bashkon komunitetetFotografi: Filip Slavkovic

Në Kosovë edhe autoritetet ndërkombëtare edhe ato vendase pajtohen se strukturat paralele në veriun e Kosovës të mbështetura nga Beogradi janë të paligjshme, por ata janë të ndarë në qasjen ndaj këtyre strukturave. Qeveria e Kosovës ngul këmbë në mënjanimin e plotë të tyre, ndërkohë që një pjesë e pranisë ndërkombëtare komunikon me to, siç thotë zëdhënësi i misionit EULEX, Blerim Krasniqi, në funksion të vendosjes së sundimit të ligjit edhe në atë pjesë të Kosovës.

Këtë e bëjnë për t'iu shpjeguar atyre mandatin e misionit EULEX dhe kërkojnë mbështetje nga komuniteti dhe përfaqësuesit e tyre, për të vendosur sundimin e ligjit në veri të Kosovës. Këto aktivitete mbështeten edhe nga drejtuesi i Zyrës së BE-së në veri të Kosovës, ambasadori Mikele Giffoni. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se misioni EULEX i njeh këto struktura paralele”, thotë Blerim Krasniqi.

Urdhër për mosbindje policisë së Kosovës

Të njohura apo jo, këto struktura vazhdojnë të veprojnë në Veri. Ditë më parë përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në një mbledhje të mbajtur në Zvecan, i urdhëruan pjesëtarët serbë të policisë së Kosovës të mos u binden urdhërave të autoriteteve të emëruara nga Prishtina. Kjo meqenëse komanda rajonale e policisë së Kosovës në Mitrovicë i urdhëroi pjesëtarët serbë të policisë që të shërbejnë edhe në jug të Mitrovicës dhe jo vetëm në veri të këtij qyteti. Ministri i brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, thotë për programin tonë se përfaqësuesit e strukturave paralele serbe të sigurisë duhet të dëbohen nga Kosova.

“Ata nuk kanë të drejtë t'i kërcënohen as policisë së Kosovës dhe as familjeve të tyre dhe duhet të ndërmirren masa ndaj tyre. Ata nuk kanë kurrfarë kompetence t'i urdhërojnë policinë e Kosovës, sepse për ne ata persona janë struktura ilegale. Nëse kanë aktivitete konkrete ata duhet të arrestohen“, thotë Bajram Rexhepi.

Ministri Rexhepi thotë se të vetmet autoritete të sigurisë në veri të Kosovës janë KFOR-i, policia e Kosovës dhe ata të misionit EULEX.

UNMIK-u të ndryshojë mendësinë për Veriun

Me strukturat paralele serbe në veri komunikon edhe misioni i UNMIK-ut, mision ky që tashmë nga institucionet e Kosovës cilësohet si një mision i tejkaluar. Këtë e pohon edhe bashkërenduesi i qeverisë së Kosovës për zbatimin e strategjisë për veriun, Ylber Hysa.

“Strategjia është e qartë, ajo synon integrimin dhe në këtë aspekt ajo që po ndodh kohët e fundit sidomos pas mendimit pozitiv të GJND-së dhe rezolutës për Kosovën në OKB kontribuon në këtë aspekt dhe besoj se do të ishte për të gjithë më mirë, në këtë mes edhe për UNMIK-un, që të kuptojë se ka ardhur koha që ndryshe të mendohet për veriun dhe për Kosovën”, thotë Ylber Hysa.

Por misioni i Kombeve të Bashkuara i hedh poshtë pohimet e tilla, duke theksuar se veprimtaria e administës së UNMIK-ut në Veri është në të mirë të të gjitha komuniteteve pa dallim.

Autoritetet në Prishtinë thonë se zgjidhja për Veriun është zbatimi i strategjisë së tyre, që nënkupton zgjedhje të reja në komunat më shumicë serbe, krijimin e komunës së re në Mitrovicë dhe mënjanimin e strukturave parale serbe të mbështetura nga Beogradi.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi