1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Strategjia e CDU-së është që qendra t'i përkasë kristiandemokratëve

Stützle, Peter (DW Berlin) 3 Dhjetor 2007

Në fjalimin në kongresin e partisë në Hanover kancelarja Angela Merkel, njëkohësisht edhe kryetare e partisë, u ndal thuajse në të gjitha temat rëndësishme të politikës së brendëshme dhe të jashtme.

https://p.dw.com/p/CWPM
Kongresi i CDU-se në Hanover. Kancelarja Angela Merkel, Roland Koch, kryeministër i Hesenit, Ole von Beust, kryebashkiaku i Hamburgut, Christian Wulff, kryeministër i Saksonisë së PoshtmeFotografi: AP

Këtë vit nuk pritet ndonjë gjë, as rizgjedhja e saj si kryetare partie dhe as si kancelare. Kështu mund të mendoje duke dëgjuar Angela Merkelin tek nisi fjalimin në kongresin e partisë, sikur ky të ishte një referat i thjeshtë. Megjithatë ka diçka të rëndësishme që pritet në fillim të vitit të ardhshëm: në tri lande zhvillohen zgjedhjet parlamentare, pikërisht në landet ku qeverisin kristiandemokratët. Koha nuk pret. Rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të influencojë atmosferën në vend për zgjedhjet e vitit 2009. Kryetarja e partisë Merkel e di këtë. Ajo tashmë e ka mësuar, që zgjedhjet mund t´i humbasësh për fije, ashtu si edhe përpara dy vjetësh, kur kristiandemokratët kishin nisur kursin mjaft miqësor ndaj sipërmarrësve. Ndaj papritur fjalimi i Merkelit mori vrull duke fshikulluar pagat e larta të menaxherëve, gjë që e ndryshoi rrufeshëm atmosferën në sallë: "Meqënëse një bos amerikan i industrisë së automobilëve fiton 1000 herë më shumë se një punëtor, duket se edhe një koncern gjerman i automobilëve duhet të rrisë pagat, që nuk është kurrë në gjendje t´ua garantojë punonjësve të vet. Unë nuk dua të flas për suksesin e ndërmarrjeve amerikane të automobilëve, por unë lexoj, që edhe të gjithë prodhuesit prej vitesh i konsiderojnë si mjaft të sukseshme ndërmarrjet japoneze të automobilëve. Në Japoni shefi fiton njëzet herë më shumë se punëtorët e tij. Kjo është thuajse dyfishi i asaj që fiton një kancelar gjerman, nëse nuk shkon në Zvicër për të bërë biznese me gazin rus, të dashur kolegë."

Socialdemokratët e kanë braktisur qendrën

Pa këtë nëntekst që i adresohej paraardhësit të saj Gerhard Shrëder (Schröder), një fjali të ngjashme mund ta kishe dëgjuar edhe në kongreset e socialdemokratëve. Eshtë pjesë e strategjisë së këtij kongresi, që qendra politike në Gjermani t´i përkasë kristiandemokratëve. Merkeli i akuzon socialdemokratët, se në kongresin e partisë në fund të tetorit në Hamburg kanë hequr dorë prej qendrës. Lidhur me këtë ajo përsëriti qëndrimin e saj ndaj idesë së socializmit demokratik, që u vendos në programin e socialdemokratëve në këtë kongres: "Socializmi demokratik është një kundërthënie në vetvehte. Këto nuk përputhen në logjikën e të menduarit, të dashur kolegë. Socializmi përfundon në totalitarizëm."

Për Merkelin një politikë e qendrës duhet të forcojë solidaritetin në shoqëri. Kjo arrihet vetëm mbi bazën e vlerave të përbashkëta. Me të drejtë në programin e ri, që duan të miratojnë kristiandemokratët theksohet: se "Gjermania është vend i integrimit." Por për këtë duhet gatishmëria që të pranohen migrantët, të cilët jetojnë në këtë vend.

Qendra kërkon dialogun por nuk serviloset

Motos së kongresit të partisë "Qendra" Merkeli iu referua edhe në politikën e jashtme. Një politikë e qendrës kërkon dialogun edhe me fuqitë e mëdha, por nuk u serviloset atyre, tha kancelarja duke pasur parasysh kritikën ndaj politikës së saj lidhur me Kinën dhe Rusinë. Për këtë ajo iu referua ish-kancelarit socialdemokrat Vili Brand (Willy Brandt): "Askohe motoja ishte kthesë nëpërmjet afrimit dhe jo afrim përmes servilizmit."

Ajo shtoi njëkohësisht , se përse politika e saj e jashtme është më e suksseshme nga ajo e paraardhësit Shrëder: Sepse ajo është një politikë serioze. Ajo u thotë aleatëve direkt qëndrimin gjerman dhe i përmbahet asaj që thotë. Në këtë mënyrë gjermanët sërish kanë influencë dhe mund të arrijnë qëllimet e tyre. Kaq shumë vetëlavdërim u mirëprit prej 1001 të deleguarve, të cilët i shprehën mirënjohjen kancelares me duartrokitjet që zgjatën disa minuta.