1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sot iu dha lamtumira e fundit presidentit Rugova

Bekim Shehu26 Janar 2006

Dhjetëra mijëra qytetarë shoqëruan kortezhin e përmotshëm në Prishtinë. Rugova u cilësua nga politikanët ndërkombëtarë si figurë e vendosmërisë, tolerancës dhe emancipimit politik të Kosovës

https://p.dw.com/p/AqgH
Fotografi: dpa

Të shtënat e fundit në nderim të presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova nga garda ceremoniale!

Rugova u varros në varrezat e dëshmorëve të Prishtinës me nderime, i mbuluar me flamur të Dardanisë dhe i përcjellë nga Garda Ceremoniale e TMK-së. Kortezhi mortor përshkoi rrugën kryesore të Prishtinës, përmes dhjetëra mijëra qytetarëve. Shumë nga ta me lot në sy duke hedhur lule mbi arkivol, i jepnin lamtumirën e fundit presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.

Presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova, folësit në ceremoninë qëndrore para shumë delegacioneve të shteteve te huaja, e cilësuan figurë të vendosmërisë, tolerancës dhe emancipimit politik të vendit. Njëri nga ta ishte, shefi i diplomacisë evropiane, Havier Solana. Presidentin e ndjerë, Solana e konsideronte mik të vjetër që siç tha, tërë jetën i përkushtoi mbrojtjes së të drejtave të popullit të Kosovës.

Havier Solana, shpreson se trashëgimia e presidentit Rugova dhe mendimi i tij do të vazhdojë të ekzistojë në Kosovë. Në këtë moment të vështirë udhëheqësit politik duhet të tregojnë bashkim, unitet përgjegjësi dhe zemërgjerësi. Ka edhe shumë punë për t'u bërë dhe nuk ka kohë për të humbur. Të gjitha bashkësitë në Kosovë duhet të sigurohen që të kenë një të ardhme të sigurt. Kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur statusin e Kosovës, tha Havier Solana. Shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, ishte një tjetër folës për veprën e presidentit, Rugova. Në ceremoninë qëndrore për presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova, folën edhe i dërguari i SHBA-së, Alphonso Jackson, nënkryari i LDK-së, Kolë Berisha, kryetari i parlamentit, Nexhat Daci dhe kryeministri, Bajram Kosumi.

I fundit që përmbylli ceremoninë mortore për presidentin, Rugova ishte kryetari i kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci. Kryetari i kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, tha se, presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, do të prehet në dheun e Kosovës, apo në Dardaninë antike siç thoshte shpesh vetë Ibrahim Rugova.