1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sot i jepet lamtumira e fundit presidentit Rugova

Bekim Shehu26 Janar 2006

Shumica e delegacioneve të shteteve të huaja që do të marrin pjesë në ceremoninë e sotme të varrimit të presidentit Rugova kanë arritur në Prishtinë

https://p.dw.com/p/AqgI
Fotografi: AP

Numri i delegacioneve që kanë mbërritur në Prishtinë është shumë i madh. Niveli më i lartë politik i BE-së, i kryesuar nga Havier Solana dhe Oli Rehn, qysh mbrëmë zhvilluan takimet e para me udhëheqësit e Kosovës, ndërsa, takimet e diplomatëve të tjerë me udhëheqësit e vendit vazhdojnë edhe gjatë paraditës së sotme, deri në mesditë kur do të zhvillohet ceremonia e varrimit të presidentit Rugova.

Një takim të veçantë, Havier Solana zhvillon edhe me grupin negociator të Kosovës, ndërsa tek anëtarët kosovarë thuhet, se ai do të përcjellë mesazhin që menjëherë qysh në fillim të javës së ardhshme të angazhohet maksimalisht në procesin e bisedimeve për statusin e Kosovës.

Shumë diplomatë të huaj, ndërkaq, më të arritur në Kosovë janë shprehur të pikëlluar për vdekjen e presidentit. Njëri nga ta ishte edhe kongresmeni amerikan, Eliot Engel: Jam shumë i pikëlluar që këtu të vij në varrimin e mikut tim të mirë doctor Rugovës. Kosova ka humbur një lider të mrekullueshëm. E vetmja gjë që mund të them është se Rugova na ka lënë mesazhe të mira për të qenë paqësorë, për të punuar shumë dhe shpresoj, se një ditë shumë shpejt do të festojmë atë që gjithmonë presidenti ka dashur, pavarësinë e e Kosovës, tha Eliot Engel.

Edhe ish emisari i OKB-së, për standardet, ambasadori Kai Aide ishte njëri nga ata që siç tha po e ndjen mungesën e presidentit: Jam i pikëlluar që jam këtu. Është hera e parë që unë vij në Kosovë dhe nuk do ta takoj presidentin Rugova. Presidenti Rugova për zotin Aide kishte një domethënie të madhe, për faktin se me të ka biseduar shumë për proceset politike dhe plotësimin e standardeve. Aide pas një takimi që zhvilloi me njërin nga anëtarët e grupit negociator të Kosovës porositi politikanët e këtushëm që mos të lejojnë zbrazti institucionale.

Ndërsa Veton Surroi u shpreh: Në të ardhmen na pret përmbushja e zbrazëtisë institucionale dhe për këtë ka hapa që duhen ndërmarrë, aktivizimi sa më i shpejtë pas kësaj, pas zgjedhjes së kryetarit të vendit të ekipit negociator dhe përshpejtimi i procesit negociator.

Bisedimet për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit do të fillojnë pas mbarimit të ditëve të zisë, ndërsa, Tirana zyrtare do të mbështesë cilindo kandidat që do të trashëgojë postin e presidentit të Kosovës shprehet kryeministri i shqipërisë, Sali Berisha: Tirana zyrtare ka besim të plotë në mençurinë e përkushtimin e udhëheqësve politikë të Kosovës dhe do të mbështesë cilindo politikan të Kosovës që do të zgjidhet mbi bazën e procedurave të institucioneve demokratike.

Sidoqoftë, që nga dita e shtunë menjëherë pas lajmit për vdekjen e presidentit Rugova, të gjithë udhëheqësit e këtushëm janë shprehur se proceset politike në vend do të pezullohen deri pas ceremonisë së varrimit të presidentit. Varrimi i presidentit Rugova, do të bëhet sot në orën 14, ku pritet të marrin pjesë qindra mijëra qytetarë. Presidenti do të varroset në varrezat e dëshmorëve në lagjen Velania vetëm pak metra larg rezidencës së tij, ku për 16 vjet radhazi presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova zhvilloi aktivitetin e tij si lider i shqiptarëve të Kosovës.