Sllovenia dhe Hungaria janë zhvilluar në drejtime krejt të kundërta | Evropa | DW | 10.05.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Sllovenia dhe Hungaria janë zhvilluar në drejtime krejt të kundërta

Sipas mendimit të Komisionit të BE-së zgjerimi i BE-së me dhjetë anëtarë të rinj ishte një sukses ekonomik. Me një rritje ekonomike prej 3,75 për qind në vit për periudhën 1997-2005 shtetet e reja shënuan rezultate më të larta se të vjetrat, ku kjo shifër ishte vetëm 2,5 për qind. Gjithsesi ky bilanc suksesi duhet parë i diferencuar sipas vendeve të ndryshme. Një shembull i mirë për këtë janë zhvillimet në Hungari dhe Slloveni.

Ekonomia sllovene është në krye të ekonomive të vendeve të BE-së

Ekonomia sllovene është në krye të ekonomive të vendeve të BE-së

Rreth dy vjet pas anëtarësimit në BE të dy këto vende të Evropës juglindore janë zhvilluar në drejtime krejt të kundërta. Sllovenia konsiderohet si shembull ndër dhjetë vendet anëtare. Kurse Hungaria, që merrej dikur si shembull, ka sot deficitin më të madh buxhetor ndër të gjitha vendet e BE-së. Në Hungari as që bëhet fjalë për futjen në përdorim të euros. Në Hungari shpenzohen shumë para për aparatin e tejmadh burokratik të shtetit, për sistemin e vjetëruar shëndetsore dhe për pensionet. Po ashtu qeveria aktuale e drejtuar prej socialistëve në Hungari përdori si karrem për të fituar votat e zgjedhësve ngritjen e pagave për ata që punojnë në shtet.

Tani që zgjedhjet morën fund dhe socialistët i fituan ato, ata duhet të shpjegojnë se si kanë ndër mend që t'i presin rrugën zhytjes së mëtejshme të vendit në borxhe dhe si do të arrijnë që Hungaria të bëhen anëtare e eurozonës në vitin 2010. Zoltan Kiszeky, politolog mendon:

"Anëtarësimi në eurozonë nuk diskutohet, ajo që diksutohet është se kur. Në këtë mes shpresojmë se do të kemi të njejtën situatë si në nëntor të vitit 2003 në Gjermani dhe në Francë. Kjo do të thotë që shumë vende anëtare të BE-së do të kenë probleme me kriteret e konvergjencës, dhe Hungaria shpreson me mbështetjen politike të shteteve të cilat i shkelin këto kritere. Një gjë e tillë i ka shpëtuar një herë edhe Gjermaninë dhe Francën. Nga ana tjetër shtrohet për diskutim edhe mundësia e një pakete kursimesh të menjëhershme, apo një terapi me doza të vogla."

Shumë hungarezë kishin shpresa të mëdha tek anëtarësimi në BE. Jo të gjitha shpresat janë plotësuar. Rrogat në fakt janë rritur, papunësia është relativisht e ulët, por edhe konkurenca është ashpërsuar. Pjesa lindore e Hungarisë nuk ka përfituar shumë prej bumit në Budapest apo në zonën perëndimore të vendit. Gjithsesi BE-ja ka vënë në dispozicion para për ndërtimin e rrugëve dhe të hekurudhave duke kontribuar kështu për lidhje më të ngushta brenda vendit.

Edhe Sllovenia përfiton prej anëtarësimit në BE dhe gjatë viteve të ardhshme do të marrë prej BE-së ndihma që janë dy milionë euro më tepër se sa kontributet që derdh vendi në arkat e BE-së. Ekonomia sllovene është në krye të ekonomive të vendeve të BE-së. Anëtarësimi në eurozonë parashikohet për më 1 janar 2007 dhe në verë pritet që çmimet të shënohen si në monedhën vendase edhe në euro.

Në vitin 2008 Sllovenia do të jetë vendi i parë ndër shtetet e reja anëtare që do të jetë presidente e radhës e BE-së, një tjetër dëshmi që Sllovenia është një ndër vendet më shembullore. Ky është edhe mendimi i qeverisë konservatore në Ljubianë.

Por jo të gjithë sllovenët janë të kënaqur. Gjatë dimrit për herë të parë në Slloveni, e cila konsiderohet tradicionalisht si një vend paqësor, pati protesta të sindikatave. Dusan Semolic, shef i federatës sllovene të sindikatave thotë:

"Edhe ne sindikalistët e mbështetëm anëtarësimin në BE dhe vazhdojmë të besojmë se ky ishte një vendim i drejtë. Por disa politikanë dhe manaxherë tek ne e shfrytëzojnë BE-në si justifikim për të kufizuar të drejtat e punëtorëve. Edhe vendosja e një takse unike, e cila do të jetë më e ulët se sot, është më tepër diçka që do t'i bëjë të pasurit edhe më të pasur."

Ideja e taksës unike u hodh poshtë dhe bashkë me të nuk ka filluar as zbatimi i reformave të tjera të pakëndshme si reforma e sistemit të pensioneve apo privatizimet. Ende shumica e firmave sllovene janë drejtpërdrejt apo jodrejtpërdrejt pronë e shtetit, sidomos në sektorin bankar, atë të energjisë dhe të telekomunikacionit.

Gjithsesi të paktën Sllovenia mund të fillojë me reformat duke u bazuar në një buxhet solid. Në Hungarinë e tejzhytur në borxhe këto reforma do të jenë shumë më të dhimbshme.

  • Data 10.05.2006
  • Autor Eberhard Niembach
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArBA
  • Data 10.05.2006
  • Autor Eberhard Niembach
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArBA