1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Skandal i ri në tregtinë me mish të skaduar në Gjermani

5 Shtator 2006

Njoftimet për skandale me ushqimet gjithmonë shkaktojnë indinjatë. E njëjta gjë ndodhi edhe së fundi, pasi u zbulua që një firmë bavareze nxirrte në treg mish, që i kish skaduar afati përpara katër vjetësh. Tani e gjithë vëmendja është përqëndruar tek çështja, se si duhet të kontrollohen ushqimet dhe si qëndron puna me dënimet.

https://p.dw.com/p/AqzW
Fotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

Ministri bavarez për çështjet e konsumatorëve, Verner Shnapauf i partisë kristiansociale mbrohet duke i hedhur poshtë kritikat ndaj sistemit të konrtrollit në landin e tij. Ndërmarrja e prekur në Mynih është kontrolluar për herë të fundit prej autoirteteve në qershor, mishi i skaduar, rreth 60 ton, afati i skadencës së të cilit e tejkalonte katër vjetëshin, nuk u zbulua prej konsumatorëve, por prej një telefonate anonime që sinjalizoi policinë. Lidhur me këtë ministri thotë: "Nuk duhet të krijojmë përshtypjen, sikur është i mundur kontrolli 100%. Objektivisht një gjë e tillë është e pamundur. Ju duhet të imagjinoni, që në frigoriferët e një rrjeti të tillë firmash në Evropë është depozituar mall i ngrirë me tonelata nëpër rafte të larta me katër, pesë apo gjashtë kate. Eshtë krejtësisht e pamunudr që kontrollorët të verifikojnë çdo raft në detaje."

Në rastin e fundit të skandalit me mish të skaduar në Bavari, fjala është këtu për mishin e gjuetisë nga Pasau, ministri pat premtuar që do të intensifikohen kontrollet. Ai krijoi një njësi speciale për këtë. Ndërsa reagimi i tij sot, është që Shnapauf kërkon dënime më të rënda dhe gjoba më të larta për ata që shesin mishin e skaduar: "Gabimi ka të bëjë me atë, që ndërmarrjet kërcënohen me dënime të buta. E ç´janë 10.000 apo 15.000 euro, kur më parë ke fituar një milionë? Kjo do të thotë, që duhen ashpërsuar masat e dënimit dhe në rastin e rrezikimit të shëndetit, unë personalisht jam që një akt i tillë të klasifikohet si krim. Pra duhet të ekzistojë masa e dënimit me së paku një vit heqje lirie, për të rritur efektin."

Kjo kërkesë mbështetet nga shoqata federale gjermane e bujqve dhe nga opozita në Bundestag. Eksperti i partisë liberale në opozitë për çështjet agrare, Hans Mihael Goldman, mendon se dënimet me gjoba nuk japin efektin e duhur. Edhe kryetarja e fraksionit parlamentar të partisë ekologjike, Berbel Hën, kërkon ashpërsimin e masave të dënimit. Presidenti i shoqatës së bujqve Gerd Sonleitner është shprehur edhe për ndalimin e përhershëm të ushtrimit të profesionit për ndërmarrjet që kanë tregtuar mish të skaduar.

Rezerva ndaj kërkesave të ministrit kristiansocial Shnapauf ka shprehur përfaqësuesi i organizatës së konsumatorëve "Food
Watch", Tilo Bode, në intervistë për kanalin e parë televiziv të Gjermanisë, ARD: "Natyrisht që dënimet janë të rëndësishme, megjithatë ndryshe nga ajo që kërkon zoti Shnapauf, sepse sipas tij duhet të ketë dënime më të ashpra për individë të veçantë. Por këta autorë të veçantë është shumë e vështirë që t´i gjesh në vorbullën e kësaj dege të tregtisë. Ajo për të cilën ne kemi nevojë janë dënimet për ndërmarrjet, që mund të kategorizohen sipas xhiros që ato bëjnë."

Ndërkohë hetuesit në Mynih ishin aktivë edhe në fundjavë. Sërish ata kanë gjetur mish të prishur nëpër kioskat e dynerit, nëpër restaurantet aziatike dhe në lokalet tradicionale të Bavarisë, vë në dukje zëdhënësi i këshillit të qarkut të Mynihut pa përmendur emrat e këtyre ndërmarrjeve të gastronomisë. Hetuesit mendojnë, se një pjesë e konsiderueshme e mishit të prishur është shpërndarë nëpër lokale dhe u është servirur klientëve.