1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Situata në kompleksin bërthamor Fukushima jashtë kontrollit

16 Mars 2011

Gjendja në kompleksin bërthamor japonez Fukushima 1 bëhet gjithnjë e më e paqartë. Kompleksi s'kontrollohet dot më, sepse edhe punëtorët e mbetur u larguan përkohësisht nga centrali, pasi rrezatimi arriti nivel ekstrem.

https://p.dw.com/p/10ZpW
Centrali në FukushimaFotografi: AP

Pjesërisht u matën vlera rekord të radioaktivitetit prej 1000 millizivert në orë. Sipas të dhënave të ekspertëve një rrezatim kaq i lartë shkakton probleme të rënda shëndetësore. Ndërkohë niveli i radioaktivitetit është sërish në rënie, tha zëdhënësi i qeverisë japoneze, Yukio Edano. Më parë në reaktorin 4 kishte shpërthyer sërish një zjarr. Por sipas të dhënave të autoritetit japonez për sigurinë bërthamore flakët ishin shuar pak kohë më pas. Edhe mbi reaktorin 3 vihej re tym i bardhë. Fjala mund të jetë edhe për avull, tha Edano. Në këtë bllok ka gjasa të jetë dëmtuar shtresa e brendshme mbrojtëse e reaktorit.

Japan Pressekonferenz Atomkrise Fukushima Reaktor 16.03.2011
Konferencë shtypi për situatën në reaktorin FukushimaFotografi: AP

SHBA dërgon specialistë të tjerë në Japoni

Në Japoni këtë të mërkurë priten specialistë të tjerë për energjinë bërthamore nga SHBA. Gjithsej 34 specialistët ofrojnë ndihmë teknike. Pjesë e detyrës së tyre është edhe analiza e pasojave të mundshme për popullsinë të radioaktivitetit të çliruar nga reaktorët e dëmtuar. Pas autoritetit francez ASN tani edhe një institut i pavarur kërkimor në SHBA e klasifikoi avarinë në Fukushima të shkallës 6 nga gjithsej 7. Nuk përjashtohet mundësia që avaria të klasifikohet edhe e shkallës 7, shprehën shqetësimin ekspertët e Institutit për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare (Isis) në Uashington. Shkalla 7 është arritur deri tani vetëm në rastin e katastrofës së Çernobilit në 1986.

Japonia kërkon ndihmë nga BE

Japan Erdbeben Atomkrise Evakuierung Fukushima 16.02.2011
Nuk dihet sa gjatë do të qëndrojnë të evakuuar.Fotografi: AP

Japonia i ka kërkuar ndihmë BE-së për viktimat e shumta të tërmetit dhe cunamit të së premtes së kaluar. Presidenti i Komisionit të BE-së, José Manuel Barroso, tha se bëhet fjalë për ndihmë materiale si batanije, dyshekë dhe fuçi të mëdha uji. Rreth 500.000 vetë janë strehuar ndërkohë në strehime emergjence në Japoni. Atje mungojnë shpesh ushqimet dhe uji. Të mërkurën në kryeqytetin e vendit Tokio ndërtesat u drodhën sërish si pasojë e një tërmeti 6,0 ballësh. Në verilindje të Japonisë 850.000 familje janë pa energji elektrike, ndërkohë që temperaturat janë afër zeros. Në brendësi të vendit zona të tëra janë nën rrënoja. Mungojnë pajisjet e rënda për të larguar gërmadhat. Deri tani janë konfirmuar zyrtarisht 3.400 të vdekur. Mijëra vetë vazhdojnë të rezultojnë të humbur.

Autor: dpa/Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica