Si do t′a mbrojnë serbët Kosovën në Nju Jork? | Politika | DW | 24.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Si do t'a mbrojnë serbët Kosovën në Nju Jork?

Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica ka vendosur që të udhëtojë vetë në Nju Jork. Misioni i tij është ruajtja e kufijve të jashtëm të Serbisë

Vojisllav Koshtunica

Vojisllav Koshtunica

Kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica është shprehur, se në seancën e Këshillit të Sigurimit në Nju Jork do të prezantojë tri qëllime kryesore të Beogradit: Kosova duhet të mbetet pjesë e Serbisë; Serbia ka besim të plotë tek Këshilli i Sigurimit, dhe Serbia është e gatshme për zgjidhje kompromisi.
Koshtunica dhe autoritetet serbe pohojnë se kompromisi do të thotë gjetje e zgjidhjes sipas modelit të tyre: më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi. Mirëpo autoritetet serbe kanë dhënë shpjegime të ndryshme se çfarë do të thotë kjo formulë. Kryetarja e Qendrës koordinative serbe për Kosovë e Metohi, Sanda Raskovic - Ivic, për këtë thotë: "Unë e quaj këtë një status të Kosmetit sipas kushtetutës së vitit 1974, e deri në momentin kur Millosheviqi centralizoi në tërësi pushtetin në krahinë. Do të thotë ekzistencën e pushtetit ligjdhënës, ekzekutiv dhe gjyqësor".
Ministri i jashtëm i Serbisë dhe Malit të Zi, Vuk Drashkoviq këtë model e shpjegon pak më ndryshe: "Thënë shkurt, ky model do të thotë dy gjëra: siguria e pakicës serbe, kishave dhe manastireve të tyre në Kosovë dhe ruajtja e emrit të tanishëm të kufirit të jashtëm me Shqipërinë dhe Maqedoninë", thotë Drashkoviq, duke shtuar se pala serbe është e gatshme që menjëherë pas pranimit të këtyre dy parimeve, të nënshkruajë një marrëveshje e cila do të parashikonte ekzistencën e këtij emri të kufirit të jashtëm vetëm në harta dhe dokumente, por jo edhe në realitet.
Kryetari i Forumit për raporte etnike, Dushan Janjiq thotë, se formula serbe më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi, mund të ketë edhe më shumë kuptime: Janjiq: "Kjo formulë mund të thotë shumë. Në kushte normale kjo do të mund të thoshte edhe një formulë e cila mund t'i kënaqte të dyja palët. Por në këtë rast mungon gatishmëria e palëve për kompromis. Kjo formulë mund të nënkuptojë një konfederatë pa ndonjë lidhje të fuqishme mes shteteve anëtare, union shtetesh apo dhe ndonjë lloj autonomi të lartë. Ne kemi bërë disa studime ku kësaj formule mund ti jepen 16 modalite të ndryshme", thotë Janjiq, duke shtuar se Beogradi në të vërtetë është i interesuar që çështja të zgjidhet në disa faza dhe jo menjëherë.
Diapazoni kaq i gjërë i interpretimeve serbe të autonomisë dhe pavarësisë, do të thotë se në Beograd ende nuk është saktësuar strategjia e qartë për ardhmërinë e Kosovës:
Janji vazhdon: "Beogradi po dëshmon se ka vetëm disa elemente të strategjisë. Ai do të insistojë në ruajtjen e parimeve të kartës se Helsinkit, e cila parashikon ruajtjen e kufijve të jashtëm. Në këtë kuadër Beogradi do të ofrojë një autonomi të lartë dhe një lloj parashteti për Kosovën. Elementi i dytë i kësaj strategjie është përpjekja e Beogradit për të nisur një lloj procesi paqësor, ku do të evitohej imponimi i zgjidhjeve të shpejta dhe të njëanëshme".
Janjiq poashtu pohon se në Beograd ende nuk është saktësuar qëllimi përfundimtar i Serbisë: "E kam shumë vështirë t'a them, sepse strategjia ende është vetëm në duart e pushtetit. Nuk ekziston ndonjë debat i hapur për këtë çështje. Më duket se qëllimi i kësaj garniture politike është që çështjen e Kosovës të mos e zgjidhë deri sa ajo është në pushtet. Pra do të insistojë në gjetjen e ndonjë zgjidhjeje kalimtare, dhe jo përfundimtare", pohon Janjiq.

Në këto kushte, kryeministri Koshtunica ka vendosur që të udhëtojë vetë në Nju Jork dhe të insistojë në ruajtjen e kufijve të jashtëm. Ndërkohë ministri i jashtëm, Vuk Drashkoviq do të shkojë në Kinë me shpresë se Pekini zyrtar, së bashku me Rusinë, do të ketë më shumë mirëkuptim për qëndrimet e Beogradit zyrtar.


  • Data 24.10.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqsw
  • Data 24.10.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqsw