1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi ndërkombëtar mbi politikën për Lindjen e Mesme

19 Gusht 2006

Zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe diskutimi në OKB për dërgimin e trupës ndërkombëtare të paqes janë një temë që ka dominuar shtypin evropian gjatë javës. Në këtë kontekst analizohet edhe roli i Gjermanisë në këtë mision

https://p.dw.com/p/AroN
Ushtare izraelite, qe largohen nga Libani
Ushtare izraelite, qe largohen nga LibaniFotografi: AP

Gazeta franceze "Le Monde" shkruan, se Gjermania nuk është e lirë në politikën për Lindjen e Mesme, citojmë: "Shtrohet pyetja nëse ushtarët gjermanë mund të dërgohen në Liban, në përforcim të UNIFIL edhe pse mund të ndodhen para rrezikut të konfrontimit me ushtarë izraelitë. Qeveria në Berlin do të dëshëronte të mos ta shtronte fare këtë pyetje dhe rezervat e Izraelit do të ishin mëse të pranueshme. Me dëshirën e shprehur nga ana e Ehud Olmerit u hap përsëri një plagë e vjetër. Argumentet e kryeministrit izraelit janë të dykuptimta. Ai pranon nga njëra anë se Gjermania e sotme nuk është më ajo që ishte dje. Nga ana tjetër ai nënvizon se Gjermania është një partner i privilegjuar i aleancës dhe që është e detyruar të angazhohet për të mirën e Izraelit. E thënë ndryshe: Gjermania mund të bëjë çfarë të dojë për sa kohë nuk rishfaqet e kaluara, përndryshe ajo kurrë nuk do të jetë e lirë në politikën e saj në Lindjen e Mesme."

Ndërsa britanikja "The Times" komenton, se është e zhgënjyer për njoftimin e Francës që do të verë fillimisht vetëm 200 ushtarë në dispozicion të trupave të OKB në Liban: "Dhjetë ditë më parë e nëjta gazetë i ka lavdëruar përpjekjet e Francës për të gjetur një formulë realiste në zgjidhjen e konfliktit në Liban. Këtë ne e bëmë duke shpresuar se Franca do të drejtonte një trupë të fortë prej 15 mijë ushtarësh që do të kishte mandatin të ndihmonte ushtrinë libaneze në çarmatimin e hisbollahëve. Ne jemi shumë konfuzë tani që diplomatët francezë duken të tërhequr me tmerr nga një ide e tillë. Franca do që ta komandojë trupën, por tashmë duket sikur më shumë synohet në marrjen e drejtimit të trupës se sa për të arritur qëllimin e një paqeje të qëndrueshme."

Gazeta hollandeze "De Volkskrant" shkruan mbi rolin e
Francës si fuqi drejtuese e një trupe paqëruajtëse të OKB-së në
Liban: "Eshtë e kuptueshme, që francezët, të cilët kanë përvoja të hidhura me operacionet ushtarake në Liban, kërkojnë të kenë
mbëhtetje optimale. Përbërja sa më e shumëllojshme e trupave rrit
legjitimitetin e tyre. Por nëqoftëse është e vërtetë, se Parisi nuk do të shkojë më tej veçse t´i shtojë disa oficerë kontigjentit të sotëm UNIFIL prej 2000 vetëh, atëherë operacioni i OKB-së nuk premton shumë. Ky mision nuk mund të ketë sukses pa një flamurtar të fortë. Shpresojmë, që Franca ta marrë përsipër këtë."

Edhe gazeta milaneze "Corriere della Sera" komenton rezervat franceze për një pjesëmarrje me të gjërë në trupën e
OKB-së në Liban: "Presidenti francez Zhak Shirak bën të ditur dërgimin e 200 ushtarëve francezë për përforcimin urgjent të trupave të OKB-së në Liban. Por, a është fjala këtu për një pjesë të kontigjetit, apo për të gjithë pjesëmarrjen franceze në trupat në jug të Libanit. Sidoqoftë lidhjet historike ndërmjet Bejrutit dhe Parisit nuk vihen këtu në diskutim, edhe pse ato i kanë kushtuar Francës në të kaluarën. Në Paris nuk është harruar vdekja e 58 desantëve ajrorë, që patën humbur jetën në Bejrut nga një atentat kamikac në kuartierin qëndror të ushtrisë para 23 vjetësh. Edhe ata ishin atëherë në një mision paqeruajtës."

Franca Italia dhe Spanja sipas informacioneve të gazetës spanjolle "El Pais" kërkojnë nga OKB-ja garanci plotëuese për të dërguar trupat në Liban. "Të tri vendet do të japin kontigjentet e planifikuara për trupat helmetkaltra, vetëm nëqoftëse OKB-ja bën të qartë llojin dhe rrjedhën e zhvillimeve të misionit paqeruajtës." Një nga problemet kryesore, sipas "El Pais" "përbën fakti se askush nuk dëshiron ta marrë përsipër detyrën e çarmatosjes së milicëve hisbollah. (...) Spanja mbron idenë, që trupat e OKB-së të marrin një mandat krejtësisht të ri, që ndryshon nga ai i trupave UNIFIL i vitit 1978. Parisi, Roma dhe Madridi janë marrë vesh me njëri-tjetrin në Nju Jork."

Gazeta zvicerane "Basler Zeitung", thekson, se çarmatimi i Hisbollahut mund të arrihet vetëm me mjete politike: "Ushtria libaneze është pikëpyetja më e madhe mbas rregullave jo të forta të OKB-së për paqen midis Izraelit dhe Hisbollahut. Megjithatë ekspertët janë optimistë se ushtria mund ta përmbushë detyrën e saj: kjo mund të arrihet nëse misioni nuk do të ketë detyra luftarake por do të mbështesë bashkëpunimin me trupën ndërkombëtare të OKB-së për të siguruar paqen. Megjithatë mandati i UNIFIL është kaq i paqartë sa mbetet e hapur nëse mund të përdoret forca në procesin e çarmatimit të Hisbollahut. Kështu çështja e çarmatimit të Hisbollahut mbetet po ajo që ishte para luftës: një problem që nuk mund të zgjidhet ushtarakisht, por që mund të zhgjidhet vetëm politikisht."