1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman mbi zgjedhjet në Ukrainë

V.F.B28 Mars 2006

Rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Ukrainë është një nga temat e rëndësishme ndërkombëtare të komenteve në shtypin e sotëm

https://p.dw.com/p/Arqh

Gazeta "Süddeutsche Zeitung" shkruan: "Në Kiev po konturohet një kapitull i ri i aleancës partiake, që në vjeshtën e vitit 2004 përmes revolucionit të portokalltë imponoi përsëritjen e zgjedhjeve të manipuluara presidenciale. Një koalicion i tillë padyshim që do t´i japë impuls të ri programit të reformave të Jushçenkos. Sepse deri tani bilanci i tij nuk është i kënaqshëm. Presidenti Jushçenko me sa duket e ka të qartë, se duhet të involvojë më fort në kursin e reformave Lindjen e vendit me strukturat post-sovjetike, nëse do t´i bëjë ballë ndarjes së vendit. Pra ai do të përpiqet t´i përfshijë partitë e rajoneve në politikën e tij. Perspektiva për stabilizimin politik të Ukrainës është përmirësuar ndjeshëm me zgjedhjet", komenton "Süddeutsche Zeitung".

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" e sheh koalicionin e vjetër si një shans: "Kuota e bashkuar e votave është vetëm më poshtë asaj që arriti Jushenko në fund të 2004 pas raundit të tretë të votimeve. Partia e rajoneve në të kundërt është shumë më poshtë rezultatit që arriti në zgjedhjet e atëhershme kryetari i saj Janukoviç. Forcat e portokallta kanë tani një shans tjetër që ta kalojnë provimin politik, të cilin e humbën vitin e kaluar, kur u shpërbë qeveria", shkruan "Frankfurter Allgemeine Zeitung".

Në të kundërt komentatori i "Märkische Oderzeitung" vëren se koalicioni ende nuk e ka marrë pushtetin: "Timoshenko mbështetet tek orientimi konseguent ndaj Perëndimit të Ukrainës dhe në këtë kontekst kërkon konfliktin me Rusinë. Jushçenko synon një ekuilibër me fqinjin e fuqishëm, pa e humbur prej fokusit afatgjatë antarësimin e vendit të tij në BE. Mbi bazën e këtij konstelacioni as Janukoviçi nuk ka dalë nga gara. Ky përfaqëson Ukrainën lindore tradicionalisht miqësore ndaj Rusisë. Sidoqoftë BE-ja për t´i paraprirë ka njoftuar, se në të ardhmen do të bashkëpunojë edhe me një qeveri të Janukoviçit", vëren "Märkische Oderzeitung".

E përditshmja e Bonit "General Anzeiger" e sheh të dobësuar presidentin Jushçenko: "Zgjedhje të lira dallohen nga ajo që rezultatin nuk mund ta zgjedhësh. Këtë e përjetoi tani edhe Viktor Jushçenko, presidenti i Ukrainës. Rezultati përndimtar i votimeve të së dielës ende nuk është përcaktuar. Por qysh tani
është e qartë, se duhet vendosur midis dy partnerëve jashtëzakonsiht jo komodë. ...Dhe përderisa partia e Jushçenkos e ka humbur dukshëm garën elektorale, dhe ai është dobësuar edhe prej kushtetutës së re që i garanton të drejta të zgjeruara legjislativit, në të dyja rastet duhet që ai t´ua lërë qeverisjen rivalëve", nënvizon "General Anzeiger".

Gazeta "Leipziger Volkszeitung" analizon rolin e Julia Timoshenkos: "Vetëm udhëheqësja e opozitës që e tregon veten si Zhan D´arka ukrainase mund t´i sigurojë bllokut të portokalltë një shumicë parlamentare. Me këtë konturohet një kapitull i ri i koalicionit partiak që mundësoi përsëritjen e zgjedhjeve të manipuluara të 2004. Me një dallim: kësaj here Timoshenko është kaluar. Ajo jo vetëm mund të diktojë kushtet për krijimin e koalicionit, njëri prej më të rëndësishmëve është që ajo do të jetë kryeministre. Por ajo do të ketë edhe kompetenca të zgjeruara në kurriz të presidentit, gjë kjo që ia garanton reforma parlamentare që ka hyrë në fuqi me zgjedhjet. Aq ambicioze sa është Timoshenko nuk do të lerë t´i shpëtojë shansi. Mbetet megjithatë të shpresohet që në vorbullën e emocioneve personale të mos lihen në mes të rrugës detyrat e vërteta", tërheq vëmendjen komentatori i "Leipziger Violkszeitung".