1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman mbi vdekjen e Millosheviçit dhe pasojat

Vilma Filaj-Ballvora14 Mars 2006

Vdekja e ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç vazhdon të jetë në fokusin e analistëve. Në përgjithësi komentatorët u referohen pasojave politike që mund të ketë vdekja e parpitur e tij në burgun e Sheveningenit si dhe pasojave ndaj Tribunalit të Hagës.

https://p.dw.com/p/Arqw
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Badische Neueste Nachrichten" që del në Karlsruhe shkruan:

"Bashkësia ndërkombëtare është e papërgatitur për pasojat që sjell vdekja e papritur e Millosheviçit. Gjendja në përgjithësi është mjaft shpërthyese. Vdekja e ish-presidentit të Jugosllavisë koinçidon me copëzimin e mëtejshëm që po kërcënon unionin shtetëror artificial mes Serbisë dhe Malit të Zi: Kosova është praktikisht e humbur, ndërkohë që edhe malazezët duan të lënë lamtumirën me pavarësinë", komenton "Badische Neueste Nachrichten".

Komentatori i "Südwest Presse", gazeta e Ulmit, u referohet reagimeve të forcave nacionaliste në Serbi:

"Ende pa vdekur mirë ai, për nacionalistët serbë ka lindur një martir. Vdekja e Sllobodan Millosheviçit e shpëtoi atë nga gjykimi i bashkësisë ndërkombëtare që mund ta kish lënë pas hekurave për jetën që i kish mbetur. Fakti që tani ai vdiq në qelinë e tij po nxit legjendat. (...) Ata që ëndërrojnë një Serbi të madhe shkojnë shumë larg, ata as që duan t´ia dinë për rënojat që ka lënë pas Millosheviçi në Ballkan, dhe e konsiderojnë procesin kundër tij si një komplot ndërkombëtar", shkruan "Südwest Presse".

Të njëjtin aspekt analizon edhe e përditshmja berlineze "Tages Zeitung":

"Për nacionalistët në Serbi mosmarrëveshjet lidhur me Millosheviçin janë si një dhuratë e rënë nga qielli: e kush guxon të bëjë thirrje tani në Beograd për arrestimin dhe ekstradimin në Hagë të të kërkuarve si kriminelë lufte Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç? Tani po ringjallen tezat për një komplot të forcave të errëta që duan të nënshtrojnë Serbinë. Njeriu përgjegjës jo vetëm për vrasjen e qindra mijëra njerëzve, por edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë dhe të ish-miqve të vet, në sytë e serbëve po fiton postum dëftesën e shenjtërisë", thekson "Tages Zeitung".

Ndërsa në artikullin e "Neue Ruhr/Neue Rhein Zeitung" analizohet pozita e Tribunalit të Hagës dhe roli i kryeprokurores:

"Carla del Ponte e kish në dorë, që të mos lejonte daljen nga kontrolli të procesit më të rëndësishëm për krime lufte qysh pas 1945. Në vend që t´i ndante pikat e akuzës dhe ta çonte Millosheviçin drejt dënimit, ajo për katër vjet rresht i bashkangjiti 68 pika aktakuzës, ndër to 66 për krime lufte, genocid dhe krime çnjerëzore. Gjyqi nuk është për të zbardhur historinë e Jugosllavisë së shpërbërë, kjo është detyrë e historianëve. Rezultati është indinjues për viktimat dhe shumë negativ për Serbinë. Pa shqiptimin e dënimit Millosheviçi mund të mbetet atje si një legjendë. Ky vend i varfëruar i Ballkanit edhe për shumë kohë do të mbetet larg Evropës", vëren "Neue Ruhr/Neue Rhein Zeitung".

Po për Tribunalin e Hagës edhe një citat nga komenti i së përditshmes "Eßlinger Zeitung":

"Tribunali po humbet kohë për zbardhjen e krimeve më të mëdha të luftës në historinë evropiane të pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas planit të OKB-së deri në vitin 2008 duhet të jenë shpallur të gjitha vendimet. Por ende Karaxhiçi dhe Mlladiçi jo që s´janë ulur në bankën e të akuzuarve, por ata as nuk janë kapur. Për më tepër që tani grindja lidhur me trajtimin mjekësor të Millosheviçit po nxit forcat radikale serbe me tezat e komplotit si dhe vendet e tjera sllave që mund të vënë në pikëpyetje pretendimin e Tribunalit për drejtësi. 40 kriminelë lufte janë dënuar. Në verë del Ponte do të hapë procesin e Srebrenicës. Pa Karaxhiçin dhe Mlladiçin në bankën e të akuzuarve vështirë se ky proces mund të verë në vend drejtësinë për viktimat e mbijetuara të masakrave serbe", shkruan "Eßlinger Zeitung".

Së fundi një pjesë nga komenti i gazetës "Neue Osnabrücker Zeitung" lidhur me perspektivën e Serbisë:

"Shumica e moderuar në Serbi nuk duhet të stepet. Ajo ka tani shansin të ndërmarrë një hap simbolik drejt Perëndimit. Vendimtare për këtë është, që varrimi i Milosheviçit të mos dalë jashtë kontrollit duke u shndërruar në një manifestim të madh të luftënxitësve të dështuar. Të tilla nacionalizma në vitet 90 shkaktuan vuajtje të pafundme në Ballkan. Ato mundën të shkulen nga pushteti vetëm me ndërhyrjen e NATO-s. Kësaj radhe ky vend nuk duhet të përsërisë për të dytën herë vetëbllokimin e rrugës drejt një së ardhmeje demokratike me BE-në."