Shtypi gjerman i së hënës: Irani dhe lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar | Studimi në Gjermani | DW | 04.09.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman i së hënës: Irani dhe lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar

Analistët e shtypit gjerman ndalen ndër të tjera në situatën në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, në mosmarrëveshjen atomike me Iranin dhe në luftën kundër terrorizmit

Kofi Annan në Lindjen e Afërt dhe të Mesme

Kofi Annan në Lindjen e Afërt dhe të Mesme


Ndalemi fillimisht në gazetën DRESDNER NEUESTE NACHRICHTEN për gjendjen në Irak dhe politikën amerikane atje:

"Për presidentin e SHBA, Bush, gjendja në Irak bëhet gjithnjë e më delikate. Një fjali, e cila prej javësh nuk të thotë ndonjë gjë të re, por që përmban në vetvete shumë dramë. Ndërkohë, vendin e dy rrymave e kërcënon një katastrofë e përmasave të gjera, paralajmëron Pentagoni. Pikërisht në momentin kur njeriu numër një në Shtëpinë e Bardhë përpiqet ta rrëzojë si të pavlefshme këtë ide, ai merr një shuplakë të fuqishme nga vetë qeveria irakiane. Kalimi i komandës ushtarake në duart e irakianëve dështoi, sepse Bagdadi kërkon më tepër pavarësi nga trupat amerikane. Më fort, kryeministri Nuri al Maiki nuk do të kishte pasur mundësi t'i tregonte vendin aleatit të tij tashmë të padashur."

Gazeta STUTTGARTER ZEITUNG analizon vizitën e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan në Teheran:

"Udhëheqja iraniane e siguroi sekretarin e përgjithshëm të OKB-së shprehimisht për bashkëpunim dhe mbështetje në çështjen e Libanit. Kështu që Teherani e tregon veten si anëtar të përgjegjshëm të familjes së popujve. Anani veproi në mënyrë të arsyeshme, kur vizitoi Teheranin. Refuzimi amerikan për të folur drejtpërdrejt me udhëheqjen iraniane është po kaq i gabuar, sa edhe refuzimi i Izraelit për të folur me hizbollatë në Liban dhe me hamasët palestinezë. Vetëm bisedimet dhe negociatat mund të sillnin zgjidhje të reja për Iranin dhe Paqen në Lindjen e Afërt. Ai që përjashton të tjerët, kontribuon vetë për mungesën e paqes."

NORDWEST ZEITUNG i kthehet grindjes atomike me Iranin:

"Nëse Irani do të arrijë të vijë në zotërim të bombës atomike, gjendja e përgjithshme në politikën botërore do të ndryshojë në mënyrë dramatike. Jo vetëm Izraeli, të cilin Ahmadinexhadi sipas fjalëve të tij synon ta fshijë nga harta, edhe Turqia dhe pjesë të Evropës do të ndodheshin në sajë të rrezes së shtuar të veprimit të raketave iraniane me rreze të gjatë veprimi nën kërcënimin e bombës atomike iraniane. Një armatosje bërthamore në Lindjen e Mesme do të kishte qenë vetëm një çështje kohe. Edhe terrori global, i cili ka kontaktet më të mira me Teheranin, nuk do të ishte më larg kërpudhës atomike. Ai që reagon sot i dorëzuar ndaj veprimeve në Iran, i pranon këtij regjimi madje edhe një barazpeshim të frikës me Izraelin e armatosur me armë bërthamore, atë e pret nesër një ëndërr e keqe që nuk e ka parë ndonjëherë."


Komentatori i FULDAER ZEITUNG ndalet në strategjinë e perëndimit në luftë kundër terrorizmit:

"Në luftë kundër terrorizmit perëndimi bën një gabim të madh: ai i vë të gjitha në një kartë, atë të dhunës. Kurse ajo që kërkohet të luftohet në përmasa të gjera, është këneta ideologjike. Një ide luftohet në mënyrë më efektive me një ide. Myslimanët e moderuar duhet të tërhiqen të forcuar dhe si partnerë të barabartë në anën tonë. Përndryshe, ajo që kërcënon është e shumëcituara luftë e kulturave- një përfytyrim katastrofik."


Gjendja në Afganistan preokupon edhe komentatorët e LANDESZEITUNG dhe të THÜRINGISCHE LANDESZEITUNG. Fillimisht komenti i LANDESZEITUNG që botohet në Lyneburg:

"Pesë vjet "luftë kundër terrorit" nuk e bënë botën më të sigurtë. Në Afganistan, perëndimin e kërcënon megjithë nënshtrimin e talebanëve një disfatë shkatërrimtare. Ka shumë kohë që fanatikët kanë rifilluar t'i detyrojnë gratë të mbajnë sërish çarçaf, të dëbojnë vajzat nga shkollat, të arkëtojnë fitime nga mbjellja që lulëzon e opiumit, të guxojnë të ndërmarrin sulme kundër trupave të NATO-s. SHBA nuk e kanë marrë ende përsipër rolin e perandorisë. Nuk është për t'u çuditur, kur vetë ky shtet u krijua nga lufta kundër perandorisë britanike. "Roma e re" vepron me angazhimet e saj afatshkurtra si sherif botëror kundër interesave të saj: të pushtosh, të mbash zgjedhje dhe të tërhiqesh- kjo nuk sjell ndonjë kryqëzatë pro demokracisë, por për anarkinë."

Ja së fundi edhe mendimi i THÜRINGISCHE LANDESZEITUNG, e cila botohet në Vajmar:

"I gjithë aksioni i ISAF-it, pas dëbimit të qëlluar të talibanëve radikalë-islamikë, është kryer si të thuash me zemër të thyer. Mungojnë paratë dhe me këtë edhe angazhimi. Përse ndryshe do të vdisnin atje çdo ditë e më shumë luftëtarë talibanë dhe ushtarë perëndimorë në sulmet e kryengritësve radikalë islamikë. Këta tani guxojnë të veprojnë fare hapur, edhe kjo pasojë e të vepruarit politik me gjysmë zemre, i cili del në pah po të kesh parasysh armatosjen e mangët të ushtarëve tanë gjermanë atje. Akoma nuk guxon askush ta shqiptojë këtë ide, por po të mos ndryshojë asgjë, ushtarët e ISAF-it një ditë do ta shohin veten si rusët që u dëbuan nga Afganistani."

  • Data 04.09.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aro7
  • Data 04.09.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aro7