1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së shtunës për takimin e nivelit të lartë të BE dhe Rusisë

ADD20 Tetor 2006
https://p.dw.com/p/ArnN


Takimi i nivelit të lartë i BE dhe i Rusisë në Lahti të Finlandës është një nga temat qendrore të politikës së jashtme ku fokusohen sot komentatorët e shtypit gjerman.

SAARBRÜCKER ZEITUNG shkruan për raportin midis BE dhe Rusisë:

"Rusia i dërgon Bashkimit Evropian një të katërtën e nevojës së tij për naftë dhe gaz. Tendenca është në rritje. Nuk është vetëm kjo që e bën të varur Bashkimin Evropian. Ai ka nevojë për Moskën edhe në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Sepse në grindjen atomike me Iranin dhe Korenë e Veriut Putini mund të bllokojë me veton e tij në KS të OKB-së të gjitha sanksionet. "Cari i gazit" është i ndërgjegjshëm për këtë, luan poker makiavelist me tubacionet e tij të furnizimit- për të fituar ndikim në parketin ndërkombëtar dhe për përfitim, që ta bën me dorë në biznesin me klientët në tregjet e Evropës perëndimore."

mendon

Gazeta që del në Bamberg, FRÄNKISCHER TAG është skeptike për bashkëpunimin me Putinin:

"Evropianët nisen vetë në një kurth, sepse ata e nënvleftësojnë makiavelizmin e Kremlinit. Moska nuk u druhet konflikteve të dhimbshme, kur vjen puna për pushtetin dhe në këtë, nuk ka ndryshuar asgjë që prej kohëve të BRSS."

Gazeta e Lichtenfelsit, OBERMAIN -TAGBLATT e hedh vështrimin më gjerë, në ngritjen e Rusisë si fuqi ekonomike:

"Kujt i kishte vajtur mendja, që rusët do të nisnin dikur me miliarda rublash një fushatë pushtuese? Pas anëtarësimit të një banke të madhe shtetërore ruse te koncerni ajror dhe i armatimit evropian, EADS, i cili prodhon edhe avionët Airbus, shefit të Kremlinit, Putin, i duhet të theksojë se nuk është parashikuar një e ashtuquajtur "blerje armiqësore" (pra kundër dëshirës). Kjo në një kohë kur EADS-it i duhet urgjentisht kapitali rus, për të qenë në gjendje të financojë projektet e tij prej miliardash. Ndërsa industria ruse e avionëve ka nevojë për teknologjinë tepër moderne të Airbusit. Nga një bashkëpunim edhe më i ngushtë mund të përfitojnë të dyja palët, sikur tek evropianët dhe rusët të mos ishte mosbesimi, se njeri po i hedh hi syve tjetrit. Shabllone të menduari të luftë së ftohtë janë të gjallë deri sot në mendje."


Ndërsa NÜRNBERGER ZEITUNG shkruan për urinë energjitike të shteteve të BE dhe vecanërisht të Gjermanisë:

"Miku i takimit të nivelit të lartë, Vladimir Putin, i cili ka lënë pas vetes një zhvillim të cuditshëm si biznesmen elegant, e shfrytëzon me të gjitha mënyrat urinë energjitike të shteteve anëtare të BE. Peshku më i shëndoshë në grepin e tij, hë për hë është, si të duhet ta pranosh, Gjermania. Duke filluar në tubacionin e furnizimit përmes Detit të Lindjes, që shkaktoi shqetësim para së gjithash tek Polonia dhe vendet balltike, duke vazhduar me kryqëzimin rrotullues energjitik Gjermani deri tek rezervuari gjigant i gazit në landin e Meklenburg-Vorpomeranisë, pala gjermane nuk ka refuzuar asnjë karem të vënë në grep nga pala ruse. Ashtu si edhe pritej, kjo u shoqërua me pak entuziazëm nga evropianoqendrorët"


Edhe gazeta e Kielit, KIELER NACHRICHTEN trajton varësinë e Gjermanisë dhe të BE nga nafta dhe gazi rus :

"Qeveria gjermane do të bënte mirë, që të mos i hidhej kaq me përulje në qafë presidentit rus, sic e ka bërë këtë Shrëderi. Këtë ta sugjerojnë ngjarjet më të fundit në perandorinë gjigante pseudodemokratike. Bashkimi Evropian nuk mund të mbyllë sytë, kur vriten gazetarë të bezdisshëm ose kur mundohet shteti fqinj, Gjeorgji. Nëse ky bashkim synon të mos jetë vetëm një bashkim ekonomik, por edhe një bashkim vlerash, atëherë ai nuk duhet t'i shesë të drejtat e njeriut për naftën dhe gazin rus. Këtij tundimi, Evropa do të mund t'i rezistojë në plan afatgjatë, vetëm po të pakësojë varësinë e saj nga bartësit fosilë të energjisë."


Dhe së fundi DRESDNER NEUESTE NACHRICHTEN, e cila thotë se evropianët mund t'i kujtojnë në rast nevoje Rusisë se edhe ajo varet nga tregu evropian:

"Në fund të fundit mund të kërcënohet me faktin se Evropa është për Rusinë tregu më i rëndësishëm i naftës dhe gazit. Vetëm, si do të bëhej puna, nëse Rusia i ndalonte furnizimet? Putini dhe strategët në Kremlin e kanë kuptuar që herët se sa e rëndësishme është për evropianët cështja energjitike"