Shkupjanët e vlerësojnë si integruese veprën e Nënë Terezës
26 Gusht 2010Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, në vendlindjen e saj në Shkup janë organizuar një sërë manifestimesh në të cilat është rikujtuar vepra madhështore e humanistes, nobelistes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu- Nënë Tereza. Kryetari i asociacionit “Shkupjania Nënë Tereza”, Stojan Trençevski thotë se ky jubile është rast i mirë që të ndihen parimet e veprës së humanistes së madhe shkupjane.
“Si shkupjania më e njohur në botë, ajo i takon gjithë njerëzimit, andaj vepra e saj ndihet lirshëm, të bën krenar. Duke qenë ajo shkupjane, atë e ndiejnë si të vetën të gjitha religjionet që bashkëjetojnë në Shkup,” thotë Trençevski.
Vepra e Nënë Terezës ka një domethënie të veçantë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, thotë Vllado Dimovski nga Qendra për tolerancë ndëretnike.
“Vetë emri i Nënë Terezës do të thotë afrim i popujve që jetojnë në Maqedoni, ajo është sinonim i tolerancës, mirësisë dhe humanitetit,” shprehet Dimovski.
Nënë Tereza - shpresë për gjeneratat
Në Institutin për Trashëgimi Kulturore me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës është mbajtur një tribunë shkencore, ku është folur për veprën e figurës madhore, që nderon tërë njerëzimin.
“Ne bashkëqytetarët e saj krenohemi që në këtë vend lindi një figurë, që do të jetë krenari jo vetëm e shqiptarëve, por do të jetë shpresë edhe për të gjitha gjeneratat, që kanë nevojë më së shumti për të,” shprehet Abdylaqim Ademi zëvendëskryeministër i Maqedonisë.
“Nënë Tereza - nëna e të varfërve” është titulluar ekspozita e fotografit kroat Zvonimir Atletiç. Hapja e ekspozitës në vendlindjen e Nënë Terezës është një emocion i veçant për të.
Krenari për prejardhjen shqiptare
“Ajo gjithmonë ka ruajtur kujtimet për vendin nga e ka pasur prejardhjen dhe është krenuar me atë që është shqiptare, çdoherë e ka potencuar këtë fakt,” thotë fotografi Zvonimir Atletiç.
Piktori shqiptar, Miftar Memeti me rastin e jubileut ka sjellë përmes 100 pikturave të gjitha fazat e jetës së bamirëses shqiptare nga fëmijëria deri në Lumturimin e saj, duke krijuar imazhin e një tabloje të vetme të shenjtores së të varfërve.
“Duke dashur të tregoj dashurinë e nënës sime, unë nuk kam gjetur figurë më të madhe se Nënë Tereza, prandaj do t'i përkushtohem këtij portreti, kësaj figure derisa të mundem,” thotë piktori Miftar Memeti.
Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, Parlamenti i Maqedonisë ka mbajtur një seancë solemne.
Autor: Fatos Musliu/Shkup
Redaktoi: Auron Dodi