ShBA dhe Afganistani & 100 ditët e qeverisë & Gripi i Shpendëve | Studimi në Gjermani | DW | 02.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

ShBA dhe Afganistani & 100 ditët e qeverisë & Gripi i Shpendëve

Ndër temat e komentuara në shtypin e sotëm veçojmë opinione lidhur me vizitën e presidentit të ShBA, Xhorxh Bush, në Afganistan, Indi dhe Pakistan, 100 ditët e qeverisë së koalicionit të gjerë në Gjermani si dhe problemin e gripit të shpendëve

Bush në Afganistan

Bush në Afganistan

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" lidhur me Afganistanin shkruan:

"Afganistani shënon një kuotë shumë speciale rritjeje. Numri i akteve të dhunës me motive politike vitin e kaluar është rritur 20% krahasuar me vitin 2004. Në një sfond të tillë tingëllon disi idilike, që presidenti amerikan Bush lavdëron demokratizimin e vendit dhe e quan Afganistanin si një shembull. Nëse nga ana tjetër krahasojmë gjendjen sot me atë përpara rrëzimit të Talibanëve, vërehet që shumica e afganëve janë shumë më mirë se përpara disa vjetësh. Ndaj ishte e rëndësishme dhe e drejtë, që Bushi u shfaq tani personalisht në këtë vend. Presidenti afgan Karzai ka nevojë për çfarëdolloj mbështetjeje. Deri tani mund të themi, se ai e ka merituar këtë. Pavarësisht se situata në vend mbetet e vështirë", nënvizon "Frankfurter Allgemeine Zeitung".

Në të përditshmen "Nürnberger Zeitung" lexojmë:

"Amerikanët e dinë rëndësinë e subkontinetit të rritur jashtë mase, që do të shndërrohet në një supermarket ekonomik. Por me Indinë dhe Pakistanin ndodhen përballë njëra-tjetrës dy fuqi atomike me mosbesim të thellë reciprok - ndaj shumë shpesh përdoret termi "fuçi baruti". Ka ardhur koha që India të bëhet një lojtare globale. ShBA po punojnë në këtë drejtim, sepse vendi i dytë në botë për nga madhësia është një demokraci e qëndrueshme, një partner komod për Kinën, kundërshtaren potenciale të ShBA. Ndaj ShBA përqëndrohen gjithnjë e më shumë tek Azia, ndërsa Evropa duhet të ketë kujdes që një ditë të mos duket e plakur", komenton "Nürnberger Zeitung".

Tema tjetër: 100 ditët e qeverisë së koalicionit të kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve në Gjermani. Nga artikulli i "Berliner Morgenpost" veçojmë:

"Opozita thërret, përpiqet të lëvizë, por nuk ia del. Madje partitë e vogla i kritikojnë, se përpiqen vetëm për interesat e pjesëshme dhe vetëm për klientelën e tyre. Por tani ekologjistët, partia e majtë dhe liberalët duhet të dëshmojnë pretendimin e përgjithshëm opozitar, se janë në gjendje të qeverisin më mirë se dy partitë e mëdha në pushtet. Kjo nuk është e lehtë. Për herë të parë qysh prej viteve gjashtëdhjetë qeveria ka përballë një opozitë, së cilës i mungojnë të gjitha mjetet për t'a dëshmuar veten. Ndaj duket se kancelarja pas 100 ditëve të para do të ketë edhe 1360 ditë të tjera komode në post", analizon "Berliner Morgenpost".

Gazeta "Die Zeit" të njëjtën temë e analizon duke iu referuar njërës prej detyrave të koalicionit të gjerë, reformën në sistemin e federalizmit: "Natyrisht që sistemi jotransparent i republikës duhet t´u përshtatet raporteve të reja në bashkësinë evropiane dhe kërkesave të globalizimit. Por projekti i federalizmit të koalicionit të gjerë ka të tjera motive. Jo të gjithë anëtarët karakterizohen prej synimit të madh: që në emër të legjitimitetit demokratik të bëhet më transparente për qytetarët procedura e vendimeve politike, që parlamentet e landeve të çlirohen prej rolit të tyre të tarafeve dhe që të shërohet dobësia e vendimarrjes në federatë. Gjithçka në këtë mes sillet rreth pushtetit, ndonëse ky nuk është ndonjë turp, e rëndësishme është që ta dimë", shkruan "Die Zeit".

Lidhur me epideminë e gripit të shpendëve dhe masat që po merren berlinezja "Der Tagesspiegel" kritikon sistemin e federalizmit:

"Njerëzit po shqetësohen, sepse masat e marra deri tani nuk janë të mjaftueshme. Gjermania është mbushur me zona të izoluara, po pastaj? Ne duhet të përgatitemi, që virusi specifik H5N1 i gripit të shpendëve do të na shoqërojë me vite. Një virus që shfaqet në nivel global dhe nga ana tjetër masa që merren të organizuara nga qarqet e landeve, si mund të funksionojë kjo? Ne do të na duhet të diskutojmë për ndërthurjen e kompetencave të federatës si dhe për bashkëpunimin evropian. Madje duhet të diskutojmë edhe atë që ndonëse prisnim me muaj të tërë virusin H5N1 disa lande s´kanë asnjë plan katastrofe", tërheq vëmendjen "Der Tagesspiegel".

  • Data 02.03.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arr8
  • Data 02.03.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arr8