Serbia e ndarë më dysh
30 Prill 2008"Ata që e nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizimit dhe asocimimit me BE e kanë turpëruar Serbinë dhe vetveten." Kështu shprehet kryeministri në detyrë, Vojisllav Koshtunica, i cili këtë dokument e quan marrëveshje të turpshme të Solanës. Gjatë fushatës elektorale në Valevë, kryeministri theksoi se qëllimi këtij dokumenti është tradhëtia e vendit dhe fitimi i pikëve politike, me qëllim mbetjen në pushtet të presidentit Boris Tadiq dhe Partisë së tij demokratike.
Koshtunica u sugjeroi shteteve anëtare të BE dhe NATO-s, se Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asociimit nuk ka kurfarë domethënie për Serbinë, sepse ajo kurrë nuk do të heqë dorë nga sovraniteti dhe integriteti territorial.
Para simpatizantëve të tij, të cilët brohorisnin: tradhëtia, tradhëtia, Koshtunica paralajmëroi se Kuvendi menjëherë pas zgjedhjeve do ta anullojë këtë Marrëveshje, ndërsa turpi do t'u mbetet atyre që e nënshkruan. Për partnerin e tij në koalicion, Velimir Iliq, fitorja e koalicionit të Tadiqit në zgjedhje do të thoshte se Serbia do të binte në duart e tradhëtarëve.
Qëndrimi i radikalistëve
Kundër Marrëveshjes janë shprehur edhe radikalët e ultranacionalistit Vojisllav Sheshel, të cilët së bashku me socialistët dhe koalicionin popullor të Koshtunicës, sipas të gjitha sondazheve të tanishme, do të fitojnë shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Këto parti pohojnë se Tadiqi me këtë nënshkrim e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Proevropianët i kundërvihen Koshtunicës
"Këto janë budallallëqe", ishte përgjigja ndaj këtyre pohimeve e liderit të Partisë G 17 plus, Mllagjan Dinkiq, i cili është në koalicion me Tadiqin. Tadiq, Dinkiq dhe forcat tjera proevropiane janë të mendimt se kundër Marrëveshjes mund të jenë vetëm ata që nuk e duan Serbinë dhe popullin e vet. Ata mendojnë se turpi i takon Koshtunicës, i cili nuk ishte prezent në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes, në Luksemburg.
Eksperti Millan Pajeviq paralajmëron se shumë forca demagogjike dhe destruktive politike, do ta shfrytëzojnë këtë nënshkrim për sulme të reja kundër forcave proevropiane. Pajeviq: "Duhet t'i përballojmë këto manipulime të tmerrshme, sepse rrugë tjetër nuk ka."
Serbia zhvillon pjesën më të madhe të tregtistë me BE
Ndërsa eksperti i Institutit për shkencë dhe politikë në Berlin Dushan Reliq bënë të ditur se: "Rreth 60 përqind e tregtisë serbe realizohet me BE. Në anën tjetër, tregtia me Rusinë është vetëm 11 përqind, në radhë të parë në sektorin e energjisë. Ndërkohë që investitorët më të mëdhenj në Serbi, janë shtetet anëtare të BE."