1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti gjermano-italian në Trieste

Stefan Troedle18 Nëntor 2008

Kancelarja gjermane Angela Merkel merr pjesë së bashku me katër ministra në konsultimet qeveritare gjermano-italiane në Trieste. Takimi zgjat një ditë, por në axhendë ndodhen një sërë temash të vështira.

https://p.dw.com/p/FxLc
Angela MerkelFotografi: AP

Në Trieste do të diskutohet kriza ndërkombëtare financiare. Vitin e ardhshëm Italia merr presidencën e grupit të vendeve më të industrializuara G8. Përveç kësaj palët diskutojnë edhe qëndrimin e dy padive italiane për dëmshpërblim, që i referohen masakrave të Wehrmachtit gjerman në Luftën e Dytë Botërore.

Vendimet e gjykatës italiane pro dy padive private

Konsultimet qeveritare gjermano-italiane mund t´i quaje "takime deeskalimi". Sepse një nga temat më të rëndësishme në samitin e vogël në Trieste është qëndrimi ndaj dy vendimeve të hyra në fuqi të gjykatës më të lartë italiane, të gjykatës italiane së kasacionit dhe shfuqizimi diplomatik i tyre. Gjykatësit në Romë këtë vit u kanë dhënë të drejtë dy padive private dhe kanë dënuar Gjermaninë për masakrat e Wehrmachtit në Luftën e Dytë Botërore. Që atëherë kërcënon sekuestrimi i pronës gjermane në Itali, ndër të tjera mund të preken institutet Geothe apo institucione të tjera gjermane.

Belgien EU Sondergipfel zu Russland Georgien Silvio Berlusconi
Kryeministri italian, Silvio BerluskoniFotografi: AP

Gjermania ka qëndrim të qartë për dëmshpërblimet

Pozicioni gjerman është i qartë: Pas një marrëveshjeje të vitit 1961 Gjermania ka paguar dëmshpërblim, me qëllim që të quheshin të përmbyllura pretendimet për pagime financiare. Deri tani konsiderohej, që personat privatë nuk mund të ngrenë padi kundër shteteve. Gjykatësit italienë për herë të parë nuk e kanë marrë parasysh të ashtuquajturin "imunitet shtetëror". Ekspertët e së drejtës ndërkombëtare e quajnë këtë shumë të rrezikshme, sepse këtu është krijuar një rast precedent.


Ministri i jashtëm i Italisë Fratini (Frattini) tha, se edhe vendi i tij është i interesuar të ruajë imunitetin shtetëror. Bëhet fjalë për një problem, që nuk prek vetëm qeverinë gjermane. Në fakt, mbi këtë bazë mund të hidhet në gjyq edhe Italia për viktimat e luftës, psh nga Etiopia ose Libia.

Siç mësohet nga qarqe të afërta me të dyja qeveritë, Gjermania dhe Italia duan të japin së bashku sot në Trieste një deklaratë të përbashkët. Gjermania do ta padisë Italinë zyrtarisht në Gjykatën e Lartë Ndërkombëtare në Hagë, por vetëm për të fituar siguri ligjore në këtë çështje, pra, padia siç duket është e pavlerë dhe nuk shkakton mosmarrëveshje ndërmjet Romës dhe Berlinit. Ndërsa Italia do ta përshëndesë përpjekjen gjermane për sqarimin përfundimtar të çështjes. Qarqet gjermane të afërta me qeverinë e konsiderojnë shumë të mundshme, që deri në vendimin përfundimtar të gjykatës së lartë italiane nuk do të ketë sekuestrim të pronës gjermane në Itali. Në shenjë pajtimi ministri i jashtëm gjerman Stajnmajer (Steinmeier) do të vizitojë së bashku me homologun e tij italian një kamp të dikurshëm përqëndrimi në afërsi të Triestes dhe do të takohet aty me viktima të luftës.

Ekonomia - temë tjetër e samitit gjermano-italian

Në samitin e parë me kancelaren Merkel dhe kryeministrin, Berluskoni (Berlusconi) marrin pjesë edhe ministrat e jashtëm, të ekonomisë, financave dhe të transportit të të dy vendeve. Ministri i transportit, Tifenze (Tiefensee) do të diskutojë edhe për hyrjen e mundshme të Lufthansës tek Al-Italia. Por, siç duket kjo çështje është e përfunduar, sepse Lufthansa ka përfytyrime konkrete, thuhet në Romë, dhe një partner i mundshëm duhet t´i pranojë ato. Në fakt topi ndodhet tani në fushën e pronares së ardhshme të Al-Italia-s, Kai dhe ajo nuk është dakord me kushtet e gjermanëve. Në Itali spekullohet, se Kai do të vendosë për një partneritet me Air France. Për ministrin e ekonomisë, Gloss kryesore do të jenë energjitë e rinovueshme dhe mbrojtja e klimës, ministri i financave Stajnbryk (Steinbrück) do të diskutojë me homologun italian për strategjitë e përbashkëta të të dy vendeve në lidhje me krizën financiare.


Edhe kancelarja do të bisedojë me kryeministrin Berluskoni ndër të tjera për vendimet e samitit botëror të financave dhe presidencën italiane të G8-ës vitin e ardhshëm. Për një ditë një program kaq i ngjeshur.