1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti ekonomik i BE-së & Misioni i BE-së në Kongo

24 Mars 2006

Dy tema evropiane veçojmë nga shtypi i sotëm. Komentatorët i referohen samitit të BE-së në Bruksel dhe vendimit të marrë po në Bruksel për misionin në Republikën Demokratike të Kongos.

https://p.dw.com/p/Arql
Në takimin e nivelit të lartë në Bruksel
Në takimin e nivelit të lartë në BrukselFotografi: AP

Lidhur me samitin e BE-së gazeta "Handelsblatt" shkruan:

"Premtimi i dhënë në kuadër të samitit ekonomik të BE-së është i madh: kryetarët e shteteve dhe të qeverive duan t´u ofrojnë shanse më të mira punësimi 460 milionë shtetasve të BE-së, më shumë investime në burimet e së ardhmes dije dhe novacione, kosto të favorshme dhe një furnizim më të mirë për energji e njëkohësisht mbrojtje e mjedisit. Këto rezultate do të jetë e lehtë të shihen, nëse do të merren vendime solide", nënvizon Handelsblatt".

"Ostsee Zeitung" ndalet në temën më të rëndësishme të samitit, e pikërisht tek politika e energjetikës:

"Më së voni pas mosmarrëveshjeve për linjën gjermano-ruse të gazsjellësit që kalon përmes detit Balltik në Poloni është bërë e qartë, se interesat kombëtare i presin rrugën një politike unike të BE-së për energjetikën. (...) Mëse gjysma e nevojave të BE-së për energji plotësohen nga jashtë dhe tendenca është në rritje. (...) Por përgjigja e evropianëve ndaj kësaj nuk është e qëlluar. Ato i përmbahen 25 minimarketeve dhe strategjive të ndryshme kombëtare", shkruan "Ostsee Zeitung".

Në mënyrë të ngjashme argumenton edhe e përditshmja "Reutlinger General-Anzeiger":

"Ndryshimi për të cilin ka nevojë urgjentisht Evropa është hapja e tregjeve, por shumica e atyre që mbrohen ndaj kësaj janë ata që qeverisin. Kjo pasi proteksionizmi është popullor, gjë që e kanë treguar edhe demonstratat masive kundër ndryshimeve në kontratat e shërbimeve publike. Por me çdo masë mbrojtëse, që merret zmadhohet problemi i punësimit në Evropë. Ky është një kontekst, që me përjashtim të britanikut Toni Bler asnjë pjesëmarrës tjetër i samitit të Brukselit nuk guxon t´ua sqarojë shtetasve të vet", komenton "Reutlinger General Anzeiger".

"Nordkurier" komenton vendimin për misionin e BE-së në Kongo:

Ky mision do të drejtohet nga Gjermania dhe pas vendimit në Bruksel duhet që edhe Bundestagu në Berlin të japë miratimin. Citat "Vallë qeveria do t´i hyjë një aventure afrikane, së cilës nuk i dihet fundi? Duket se po. Misioni i Afrikës që po i ngarkohet Gjermanisë është një akt i keqkuptimit të besnikërisë ndaj aleancës. (...)Përmes një aksioni afatshkurtër dhe të nxituar synohet të tregohet, se Evropa nuk e ka harruar kontinetin afrikan. Nëse është vërtetë kështu, atëherë shtrohet pyetja, përse nuk kanë ndërhyrë me kohë ushtarakisht evropianët në Somali, Darfur, Ugandë, Liberi dhe në shumë e shumë skaje të tjera të rrënuara mjerueshëm prej dhunës në këtë kontinent", shtron pyetjen "Nordkurrier".

Ndërsa në artikullin e "Hessische/Niedersächsische Allgemeine" lidhur me rolin e Bundestagut gjerman si bazë për trupën shkruhet:

"Nëse parlamenti do të ishte zot i këtij procesi, atëherë duhej që ai të mos e miratojë këtë mision me karakter të dukshëm alibie. Për stabilitetin në një vend të tronditur prej luftës civile nuk mund të kujdesesh me një dorë ushtarësh, që në rastin më të keq mund të rrezikohen vet. Një fjalë e urtë ushtarësh thotë: futesh lehtë, por del i vdekur", vëren "Hessische/Niedersächsische Allgemeine".

Së fundi edhe një citat nga komenti i "Sächsische Zeitung":

"Pavarësisht nga të gjitha rezervat vendimi për një mision të tillë është i kuptueshëm, edhe pse ai ka vlerë politike simbolike. Kongo ndodhet në prag të një kthese, një vend i tronditur prej diktaturës disa dhjetra vjeçare të diktatorit Mobutus, një vend i plaçkitur prej ushtarakëve të paskrupullt dhe i coptuar prej luftrave të përgjakshme civile. Tani ka shans, që të vendosen raporte stabël dhe që njërzve t´u jepet një e ardhme paqësore. E kjo është edhe në interesin gjerman. Askush nuk duhet të besojë, se ne s´na prekin konfliktet në Afrikë apo në rajone të tjera të largëta krizash. Se si influencojnë këto ndaj Evropës e tregojnë më së miri dramat e refugjatëve, që tentojnë të kalojnë përmes Mesdheut apo Atlantikut. Tragjeditë do të shtohen, nëse e ardhmja e Afrikës do të vazhdojë të karakterizohet prej luftës, urisë dhe varfërisë", shkruan "Sächsische Zeitung".