Samit gjermano-ruso-francez në kuadër të 750 të Kaliningradit | Evropa | DW | 03.07.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Samit gjermano-ruso-francez në kuadër të 750 të Kaliningradit

Në kuadër të festiviteteve me rastin e 750 vjetorit të Kalinindgradit kancelari Gerhard Shrëder, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe presidenti francez Zhak Shirak u takuan në eksklaven ruse të detit Balltik, Svetlogorsk. Në qendër të takimit ishin çështje të politikës ndërkombëtare. Pika kulmore e protokollit të festiviteve që vazhduan për tri ditë me radhë në ish-kryeqytetin e Pursisë Lindore u eklipsua prej refuzimit të palës ruse për të ftuar përfaqësues të nivelit të lartë nga vendet fqinjë Polonia dhe Lituania.

Gerhard Shrëder, Vladimir Putin, Zhak Shirak

Gerhard Shrëder, Vladimir Putin, Zhak Shirak

Një ditë e vere me diell që shkëleqente, një ditë plazhi në Svetlogorsk. Ky ka qenë një nga plazhet luksoze të prusianëve të pasur në kohën që Kaliningradi, i quajtuar asokohe Kënigsberg ka qenë gjerman. Për shumë ishte befasues fakti që pikërisht këtu presidenti rus Vladimir Putin ftoi të djelën kancelarin Gerhard Shrëder dhe presidentin francez Zhak Shirak, kjo pasi Kaliningradi shtrihet rreth 50km në Lindje të kësaj zone.

Sqarimi për këtë u dha përgjysmë në konferencën e shtypit, ku Putin u përpoq që ky samit të mos lidhej në një kontekst me festivitetet e jubileut. Formati i treshes, samit ky pothuajse tradicional gjermano-ruso-francez është pra i tillë, theksoi Putin: "Sa ka të bëjë me çështjen, se dikush është zemëruar që nuk kemi ftuar këtu dikë tjetër, besoj se thjeshtë ajo i tejkalon kufijtë e fantazisë gazetareske. Ceremonitë festive me rastin e 750 vjetorit të Kaliningradit/Kënigsbergut ne i organizuam si një çështje të brendëshme."

Ndaj sipas Putinit, është çështje e Rusisë të zgjedhë se kë do të ftojë dhe kë jo. Në këtë mënyrë presidenti rus iu përgjigj pyetjes, se përse Polonia dhe Lituania nuk ishin të pranishme. Shrëder ishte i pranishëm, sepse universiteti do të marrë emrin Imanuel Kant. Në rast se ky universitet do të merrte emrin Shopen, pasi kompozitori polak ka bërë shumë për Kaliningradin, atëherë do të ish ftuar presidenti Kvaznievski nga Varshava. Shrëder, i pari kancelar që viziton Kënigsbergun e dikurshëm, u ngërdhesh disi duke preferuar të mos i komentojë pakënaqësitë nga Varshava dhe Vilna.

Në vend të kësaj Shrëderin e gëzoi fakti që ishte i ftuar dhe që pati nderin të mkarrë pjesë në ripagëzimin e universitetit të Kaliningradit që ketej e tuje do të mbajë emrin e humanistit të madh evropian Imanuel Kant: "Kjo më prek jo vetëm mua, por edhe shumë njerëz në Gjermani, të cilët kanë më së shumti kujtime të mira, por edhe mjaft të dhimbshme kur është fjala për luftën dhe Gjermaninë fashiste. Për këta njerëz ky qytet që sot është rus dhe mban emrin Kaliningrad, ka mbetur në zemrat e tyre si Kënigsberg. E kjo kuptohet, pa qenë nevoja të kemi rezerva, sa i pëkret integritetit territorial që mund të lidhet me diçka të tillë."

Mund të thuash se ky samit ishte disi i nxituar, pasi për Shrëderin ishin planifikuar vetëm 7 orë qëndrimi në tokën ruse. Ndaj edhe temat e politikës ndërkombëtare u prekën fare shkurt. Shrëder e priti me kënaqësi deklaratën e Putinit, se: "Rusia do të vazhdojë të mbështesë si një avokate mbrojtëse Gjermaninë në kërkesën e saj për një vend të përheshëm në Këshillin e Sigurimit." Ndonëse Putin tërhoqi vëmendjen, që çfarëdolloj reforme nuk duhet të çojë në përçarjen e OKB-së dhe as në kthimin e saj në një klub diskutimesh.

U diskutua edhe për takimin e nivelit të lartë të G8 që zhvillon punimet gjatë kësaj jave në Gleanegle në Britaninë e Madhe. Presidenti francez Zahk Shirak theksoi çështjet e rëndësishme që lidhen me ndihmat për Afrikën, burimet e reja financiare si dhe përparimet vendimtare në mbrojtjen e klimës pas Protokollit të Kiotos.

Shrëder përshëndeti shprehimisht faktin, që samiti i G8 tashmë do t´i rikthehet temës së tij fillestare, ekonomisë. Në sfondin e rritjes së kostove të energjisë në këtë samit duhet të diskutohet gjerësisht edhe për raportet midis vendeve të prodhimit të energjisë dhe atyre konsumatore: "Në këtë kontekst e rëndësishme është që jo vetëm të diskutohet për çmimet me vendet prodhuese të energjisë, por duhet të kujdesemi për më shumë transparencë në tregjet ndërkombëtare që janë prekur prej valës së spekullimeve."

Lidhur me temën e politikës bërthamore të Iranit, Shirak theksoi, se Franca mbështet politikën e Rusisë dhe është për krijimin e marrëdhënieve normale me Teheranin, në mënyrë që të arrihet në një zgjidhje që të pengojë përhapjen e armëve bërhamore. Trioja ruso-gjermano-franceze, e krijuar prej qëndrimit refuzues ndaj luftës së Irakut, theksoi gjithashtu, që konfliktet e së shkuarës me SHBA tashmë janë tejkaluar. Tani vështrohet përpara për të gjetur shpejt zgjidhje dhe për të vendosur paqen.

  • Data 03.07.2005
  • Autor Horst Kleuzer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArDt
  • Data 03.07.2005
  • Autor Horst Kleuzer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArDt