Sa kushton sot një orë pune në vendet ish-komuniste?
30 Mars 2010Një orë pune në Gjermani i kushton një punëdhënësi mesatarisht 30,90 Euro. Kjo ishte shuma që u pagua vitin e kaluar në ekonominë private gjermane, bëri të ditur Zyra Federale e Statistikave në Visbaden. Në krahasim me vendet e tjera evropiane, Gjermania zë në këtë mënyrë vendin e tetë: më të shtrenjta ishin orët e punës në Danimarkë, Belgjikë, Luksemburg, Francë, Austri, Finlandë dhe Hollandë. Në Danimarkë puna është më e shtrenjtë se kudo në Evropë: ora e punës atje kushton 37.40 Euro.
Ora e punës kushton pak në ish- vendet e bllokut komunist
Në 18 vende të BE shpenzimet për orë pune ishin më të ulëta: Bullgaria sipas kësaj statistike kishte me 2,90 Euro shpenzimet më të ulëta për orë pune nga të gjitha vendet e tjera. Të ulëta qenë shpenzimet për orë pune në përgjithësi në vendet e ish-bllokut komunist: në Republikën Çeke ora e punës më 2009 kushtoi 9,60 Euro, në Estoni 7,80 Euro, në Hungari 7,60 Euro, në Sllovaki 7,50 Euro, në Poloni 6,90 Euro, në Letoni 5,90 Euro, në Lituani 5,80 Euro dhe në Rumani 4,00 Euro.
Italia dhe Greqia zënë vendet e mesit
Vendet fqinje me Shqipërinë, Italia dhe Greqia zënë vendet e mesit përsa i përket orës së punës: në Itali, sipas këtyre të dhënave, ora e punës në vitin 2009 kushtoi 25,60 Euro, kurse në Greqi ajo kushtoi 17,00 Euro.
Shpenzimet për orën e punës llogariten mbi bazën e pagave dhe rrogave bruto si dhe shpenzimeve mbi pagat.
Autor: Auron Dodi/ dpa/ afpd/sp
Redaktoi: Esat Ahmeti